TRING PARE – KAP SOMUN

Mjegulla e dendur e ka mbështjellë qytetin. Po kështu e ka nga dhjetori deri në shkurt ky qytet. Shtëpitë, ndërtesat mezi duken, përveç siluetave të frikshme të përmendoreve vigane që të shfaqen edhe në ëndërr edhe në zhgjëndërr. Vetëm lagjet e Gazi Babës, Seravës dhe të Kodrës i gëlltit tërësisht mjegulla e dimrit. Smogu dhe mjerimi. Por zhurmë ka. Zhurmë politike. Kërcasin polemikat për pushtet.

Verës është tjetër mesele. Vera është më e qetë. Verës dalin punëtorët e ndërmarrjes së parqeve të mbjellin lule bulevardeve të pjesës së re të qytetit dhe duket shkëlqimi. Shkëlqim është ama edhe i ftohtë. Ndërtesa, ndërtesa të stileve barok e rokoko dhe përmendore të mëdha në çdo hap duken në diellin që depërton nëpër smog. Dhe, në qytetin tënd ndjehesh i huaj midis këtyre përmendoreve. Nuk janë përmendore që i përshtaten këtij nënqielli. Nuk janë as ngrehinat e stilit barok e rokoko. Po verës së paku zhurma politike është e një intensiteti më të vogël.

Në pjesën e vjetër të qytetit nuk vijnë punëtorët e ndërmarrjes së parqeve. S’ka ku mbillen lule këtu. Çdo pëllëmbë është shfrytëzuar për një ndërtesë, për nj kënd shtëpie, për një dyqan të vockël. Këtu gëlon nga çajtoret me tavolina trotuareve dhe shpërndahen tingujt e cingërimave të lugëve të çajit kur përzihet sheqeri në gotat e vogla. Kjo është muzika e këtyre lagjeve. Dhe, ndonjë vaj fëmije. Këtu të prridh mjerimi.

Njerëzit në pjesën e vjetër të qytetit ecin me duar në xhepa dhe presin nga qielli mos po u del një punë, kurse punë nuk ka as nga qielli as nga partia. Pastaj struken nëpër shtëpitë e tyre plot terr e lagështirë.

Hajnat e presin terrin, natën pa hënë, gjumin e njerëzve të lodhur nga mundi për koren e bukës. Atëherë hajnat i thyejnë drynat e futen nëpër dyqanet e vogla të lagjes dhe ia vjedhin mallin e kompjuterin dyqanxhiut i cili mezi ia del ta mbajë familjen me fitimin, sepse pjesën më të madhe të mallit e jep veresi. Ndodh që hajnat të operojnë edhe në ndonjë shtëpi kur shtëpiarët kanë shkuar mysafir ose në pushim. Është punë strategjie dhe përcjelljeje.

Dyqanxhinjtë dhe hallemëdhenjtë e plaçkitur vrapojnë pas policisë t’u ndihmojë, ndërsa gratë e varfra presin në dyqanin e zbrazur të vijë buka, t’i marrin tri a katër. Buka i mban. Mish nuk ka, as gjalpë, as pemë. Patatet, për të cilat shoku Enver ka thënë se janë edhe bukë edhe gjellë, sivjet janë bërë me lëvore të gjelbër, por edhe fëmijët nuk pajtohen me fjalët e shokut Enver. Duan bukë. Nuk duan patate me lëvore të gjelbër.

Një grua e molisur çdo ditë kthehet me strajcat e najlonit me bukë të djeshme. I blen përgjysmë më lirë. Shkon duke u luhatur në shtëpinë e saj që gjendet në një gropë, përballë xhamisë së madhe e të re. E hap derën që kërcëllon dhembshëm duke e shikuar me pikëllim shtëpinë e vogël, me dy dhomëza, duke ëndërruar një shtëpi modeste, ku nuk do të ketë lagështirë e ku do të shpëtojë nga era e rëndë e mykut.

Kur kthehet nga puna e mundimshme e argatisë si kanalmihës burri i kësaj gruaje dhe i zoti kësaj shtëpie e cila gjendet në gropë përballë xhamisë se madhe e të re, duke i lëvizur këmbët me vështirësi nga lodhja, gruaja ia jep një letër nga gjyqi për kundërvajtje: gjobë pse i shoqi ka kaluar në këmbë rrugën e shënuar me vijë të plotë. Burri e merr, e lexon dhe e hedh mbi tryezën e vjetër. Natyrisht një e sharë i rrëshqet nga goja. Gruaja e shtron sofrën: bukë e kripë. Fëmijët i lëshohen bukës, kurse i zoti i shtëpisë e ndez një cigare. Gruaja ia hedh një shikim pyetës burrit pse nuk ulet në sofër. Ai e kupton: “Nuk më hahet” thotë. Dhe, shikon kah dritarja mjegullën. Mendon: na ngulfati dimrit mjegulla, verës hija që e mbulon shtëpinë në këtë gropë që nuk i lejon rrezet e diellit t’i ledhatojnë dritaret, kurse verë e dimër na rraskapitën të dhënat e ndryshme. Tash edhe kjo gjobë e mallkuar!

Gruaja pendohet pse ia ka treguar letrën e gjyqit para se të hante bukë i shoqi. Pastaj ulet afër tij. “Mos u mërzit”, i thotë gruaja e penduar. “Ka zot, do të na ndihmojë Zoti”.

Burri mendon ta gjejë një njeri në parti, t’i kërkojë ndihmë. Së paku t’ia bëjë një mundësi ta paguajë gjobën me këste. I kujtohet një kushëri nga fshati i lindjes, që është bërë i madh në parti. Mirëpo kushëriri i tij nga fshati që është bërë “i madh” në parti nuk i flet tash. Bëhet sikur nuk e njeh. Po halli?

Burri e di se gjithçka shkon me të njohshëm e me para. “Tring pare – kap somun”, iu kujtohet një shprehje që e përdornin bashkëfshatarët e tij derisa jetonte në fshat si fëmijë. Me të vërtetë “tring pare e kap somun”! Ndryshe nuk ka. Po as të njohshëm ka, as para. Ah, sikur të ishte tash në fshat, do ta kishte marrë një gjel në duqe dhe pak groshë në anën tjetër dhe do të kishte kërkuar çare. Po tash jeton në qytet. Pastaj i vjen rëndë pse i shkon mendja te ryshfeti! Skuqet nga turpi dhe e ndjen si iu shpejtohet ritmi i zemrës. Dikur, mendon ai, dikur në kohën e Titos paradoksalisht e ka pasur më mirë, sepse punonte në gragjevinë (nuk thotë ndërtimtari, sepse nuk don ta zbukurojë pozitën e atëhershme të punëtorit në këtë degë të ekonomisë, ku pjesa dërmuese e punëtorëve të krahut ishin shqiptarë). Atëherë punonte, e merrte një rrogë, kishte sigurim relativisht të mirë shëndetësor dhe pushim vjetor, të cilin e shfrytëzonte duke dalë ndonjë ditë në bjeshkë te farefisi. Atëherë s’kishte probleme me sigurimin e bukës. Po edhe ryshfeti ishte me masë. Dhe, kishte punë. Në gragjevinë, në gragjevinë, po ama punë ishte. Tash? Tash ka njëzet vjet që nuk është në punë. Heej njëzet vjet! Njëzet vjet argat! Për pesë pare në ditë. Për këtë kohë u rritën fëmijët. U bënë për punë edhe ata. Edhe për martesë. E gjithë këto gojë duhet të ushqehen, të gjithë këta duhet të bëhen shtëpi më vete, me punën e rëndë të tij të argatit te pronarët privatë, ku nuk paguhet mirë, as ku nuk ka ndonjë siguri. Sot e thërrasin, nesër mund t’ia japin shqelmin: hajt baju, kah sytë këmbët! Kështu e ka argatia.

Gruaja, edhe ajo e di, se me ryshfete zgjidhen problemet. Ajo i thotë të shoqit me kujdes të shkojë të trokasë në këtë e atë derë dhe t’u ofrojë pak ryshfet atyre të partisë ose kujtdo. Do të shkojë ajo te vëllezërit e vet të kërkojë hua. Do ta kthejnë borxhin kur të punësohet njëri nga fëmijët. Burri e ndez një cigare, e fryn tymin përpjetë kah tavani. Atij i vjen rëndë kur e mendon ryshfetin. Nuk e di si do t’i jepte para dikujt për një punë të cilën ai dikushi duhet ta kryejë ashtu, sepse ai dikushi për këtë merr rrogë. Por gruaja, thuaja ia ka lexuar mendimet. “O D. ti e di si shkon puna: tring pare – kap somun”!… “E di, e di”… thotë burri dhe e vë buzën në gaz disi hidhur. Përsëri skuqet dhe përsëri i shpejtohet ritmi i zemrës. Burri nuk përgjigjet, që në fakt do të thotë se pajtohet. Fytyra hijerëndë e gruas së lodhur e fiton betejën me turpin e burrit. E mund burrërinë instinkti i fortë i nënës.

Burri mbështetet në minderin e vjetër dhe, duke hallakatur nëpër palët e shumta të hallit, i kujtohen zgjedhjet. Njëherë thotë vet me vete: do të vijnë kohë më të mira pas zgjedhjeve, herën tjetër e pyet veten: po si mund të vijnë ditë më të mira me njerëzit e njëjtë të skenës politike. “Jo, jo, pa ardhur njerëz të tjerë, s’do të bëhet gjë prej gjëje. S’na hiqet dot samari i argatit. Pastaj i kujtohet se shoqja do të shkojë te vëllezërit e saj të lypë hua për ryshfet. Përsëri e rëndon turpi. Si të kërkojë para hua për ryshfet nga kunetërit? Pastaj ngushtohet se i dalin parasysh tre djemtë e rritur, të cilët nëse nuk punësohen, do ta marrin botën në sy. Do të shkojnë e do të treten përgjithmonë. Atëherë tërhiqet. “Ndashtë”, mendon. “Le të bëhet çka të bëhet. Do ta provoj. Krejt njerëzit veprojnë kështu, e arsyeton veten”. Kot arsyetohet. Ndërgjegjja e bren deri në shkallën e dhembjes.

Pastaj shkon në dhomë, bie dhe e mbulon kryet me jorgan.

“Megjithatë”, thotë, “turp i paparë”! Të jap ryshfet! Ryshfet, ryshfet, ryshfet…

Sikleti nuk e lë t’i mbyllë sytë deri në mëngjes. Në veshë vazhdimisht i ushtojnë fjalët e shprehjes: tring pare – kap somun dhe i përsëriten në formë jehone fjalët ryshfet, ryshfet, ryshfet…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button