Rezultatet e Ajovës: Kruz gjunjëzon Trampin, Klinton barazon me Sandersin

Kruz mposht Trampin në Ajova, favoritin thuajse e arrin edhe Rubio. Ende nuk dihet kush ka fituar te demokratët.

Rezultatet republikane. Përshtypjet e para nga rezultatet e votimeve republikane në Ajova gjithsesi janë gabimet e mëdha që kanë bërë të gjithë anketat. Pas numërimit të 98% të votave fitore bindëse korri Ted Kruz i cili fitoi 27.7% të votave. Favoriti i anketave Donald Tramp doli i dyti me 24.3%, shumë afër Rubios i cili doli i treti me 23.1%. Nga kandidatët tjerë Ben Karson morri 9.3%, Rend Pol doli i pesti me 4.5%, ndërsa kandidatët tjerë patën më pak se 3%.

Rezultatet poashtu mohuan një sërë supozimesh tjera të gabuara për garën republikane. Dalja arriti shifra rekorde me 180.000 votues, por kjo shkoi në favor të Kruzit dhe Rubios, e jo Trampit ashtu siç mendohej. Poashtu fuqia e Kruzit nuk ishte vetëm te evangjelistët; ai fitoi shumë vota edhe nga qendrat urbane që para katër viteve i morri Mit Romni. Rubio tejkaloi të gjitha parashikimet saqë thuajse kaloi edhe Trampin.

Kandidati Kandidati Vota Përqindja Delegatë
 sTed-Cruz Ted Kruz 51.047 27.7% 8
 sDonald-Trump Donald Tramp 44.837 24.3% 7
 sMarco-Rubio Marko Rubio 42.577 23.1% 6
 sBen-Carson Ben Karson 17.173 9.3% 2
 srand-paul Rend Pol 8.361 4.5% 1
Tjerët 20.497 11.1% 0
  TOTAL 184.492 100% 24

 

Në përgjithësi gara tani në njëfarë mënyre resetohet. Fitorja e Kruzit e rivendos atë mes favoritëve. Paraqitja tejet e mirë e Rubios në krahasim me kandidatët tjerë të establishmentit do të thotë se ai mund të nisë të konsolidojë këtë fraksion të partisë së tij. Ndërkaq përkundër humbjes në Ajova, Tramp edhe më tej udhëheq bindshëm në Nju Hempshër dhe resurset e mëdha të tij finansiare do të thonë se ai do të vazhdojë edhe gjatë garën. Për momentin pra duket se gara republikane është shndërruar në garë mes tre personave.

Siç mund të parashihej lehtë, pas rezultateve të Ajovës Majk Hakabi largohet nga gara.

 

Rezultatet demokrate. Një muaj më parë dukej se tejet e ngushtë do të jetë gara republikane. Por me 96% të votave të numëruara, ende nuk dihet se kush ka fituar garën demokrate ne Ajova. Megjithëse pak më të sakta (tregonin epërsi prej 3% për Klintonin), as anketat demokrate nuk mund të kishin parashikuar se gara do të jetë kaq e ngushtë. Me 96% të votave të numëruara dallimi është vetëm 0,2% – Klinon ka 49,8%, ndërsa Sanders 49,6%. O’Malli morri vetëm 0,6% dhe si duket ka vendosur të tërhiqet nga gara. Sido që të jetë rezultati përfundimtar, delegatët do të ndahen njësoj – nga 21 për të dy kandidatët.

Kandidati Kandidati Përqindja Delegatë
 sHillary-Clinton Hillari Klinton 49.8% 21
 sBernie-Sanders Berni Sanders 49.6% 21
 sMartin-OMalley Martin O’Malli 0.6% 0
  TOTAL 100% 42

Partia demokrate në Ajova nuk jep numrin e votave, por vetëm përqindjen e delegatëve që do fitonin kandidatët.

Me këtë rezultat të ngushtë ka gjasa që fituesi i vërtetë mos kuptohet edhe për një kohë. Sidoqoftë paraqitja tejet e mirë e Sandersit heq dilemat nëse ai është konkurent i denjë i Klintonit. Përnjëherë gara demokrate nuk duket më si formalitet, kurorëzim i favorites Klinton, por mund të zgjasë me muaj.

Lajmi tjetër i natës është se Martin O’Malli dorëzohet nga gara. Përkrahja e votuesve të tij si duket do të shkojë kryesisht te Sandersi, gjë që mund t’ia komplikojë edhe më punët Klintonit.

Çka më tutje. Te të dy partitë gara vazhdon në shtetin e dytë, Nju Hempshër, që voton më 9 shkurt.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button