“JO” e Tiranës për armët kimike, goditje për ndërkombëtarët

Vendimi i Tiranës zyrtare duket se ka vënë në vështirësi ndërkombëtarët. “Washington Post” e konsideron goditje të madhe për përpjekjet ndërkombëtare për të shkatërruar arsenalin kimik të Sirisë dhe vendimin e Ramës një “Lëvizje surprize të Shqipërisë”. Edhe për prestigjiozen “Time” vendimi i Tiranës është një hap i madh prapa në marrëveshjen ruso-amerikane.

“Misioni i shkatërrimit të armëve dhe lëndëve kimike u godit rëndë dje kur Shqipëria refuzoi të jetë pjesë e këtij operacioni. Refuzimi surprizë nga vendi i vogël dhe i varfër i Ballkanit la të hapur pyetjen se ku do ta dërgojë arsenalin e Sirisë, gati 1.300 tonë, e cila përfshin gaz mustarde dhe sarinën?”, – shkruan Agjencia e lajmeve Associated Press.

Malik Ellahi, një zyrtar i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike i ka thënë Associated Press, se pas refuzimit të Shqipërisë ka opsione të tjera, të cilat nuk mund të bëhen ende publike.

“Nuk mund të përmend emrin e një shteti në këtë moment, por sigurisht që ka opsione dhe ka mënyra për të kryer këtë plan”. Ellahi e konsideron deklaratën e Ramës, si “një vendim sovran që mori Shqipëria”.

Edhe Voice of Rusia citon burimet e saj brenda kësaj organizate se, “në vendimin që u dha mbrëmë nuk u caktua ende një destinacion, por SHBA-të kanë alternativat e tyre”, transmeton shekulli.

Ndërkaq Këshilli ekzekutiv i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike miratoi mbrëmë planin për shkatërrimin e armëve kimike siriane menjëherë pas vendimit zyrtar të Tiranës se nuk do të pranonte të ishte pjesë e këtij procesi.

Sipas planit të shkatërrimit, arsenali kimik me rrezikshmëri të madhe do të nxirret jashtë territorit sirian deri më 31 dhjetor të këtij viti, arsenal që do të shkatërrohet brenda 31 marsit të vitit 2014, ndërsa u vendos që afati i fundit për shkatërrimin e të gjitha materialeve të mbetura të jetë 30 qershori i vitit të ardhshëm.

Bazat, laboratorët dhe ambientet e deklaruara të prodhimit të armëve kimike në Siri do t’i nënshtrohen një procesi shkatërrimi në periudhën 15 dhjetor-15 mars. Mbledhja e OPCË u shty për disa orë në pritje të përgjigjes përfundimtare të Shqipërisë. Fill pas miratimit të planit nga organizata, drejtori i përgjithshëm Ahmet Umzucu u shpreh: “Në konferencë u kërkua që drejtori i përgjithshëm të krijojë një fond të veçantë për këtë proces, të informojë vazhdimisht këshillin ekzekutiv për vazhdimësinë e procesit dhe nëse do të ketë ndryshim të afateve të parashikuara. Pritet që Ahmet Umzucu, të paraqesë në një datë të mëvonshme një plan më të detajuar mbi vendin, kostot e procesit dhe masat që do të merren në kuadër të sigurisë për procesin e shkatërrimit”.

Gjatë mbledhjes, liderë të shumtë të botës shfaqën mbështetje të plotë ndaj misionit të organizatës. Norvegjia premtoi që do të dërgonte anije me ekipe për të ndihmuar në transportimin e armeve kimike jashtë territorit sirian, kurse zyrtarë rusë shprehen se nëse armët merren për shkatërrim nga rusët, në proces do të asistojnë ekspertët rusë me mjetet e nevojshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button