Pushteti kontrollon gjithçka, populli ka ‘respekt nga frika’

Sipas anketës telefonike të realizuar nga Agjencia ‘Faktor Plus Adria’ nga Beogradi, rreth 30% e të anketuarve janë shprehur se do të votonin për VMRO-DPMNE dhe 10% për BDI, me ç’rast këto dy parti do të fitonin zgjedhjet po të mbaheshin tani.

Ekspertët për Portalb deklaruan se dyshojnë si në objektivitetin e anketuesve poashtu edhe në sinqeritetin e të anketuarve. Ata njëherit u përgjigjën në pyetjen psebombat” e publikuara nga opozita dhe problemet e shumta me të cilat përballen qytetarët nuk ndikojnë tek këta të fundit që të ndërrojnë mendim.

Iljasa Salihu, publicist: Interesi i ngushtë material ia ka zënë vendin vetëdijes shoqërore

“Po të kishim qenë shtet normal dhe shoqëri e lirë, qysh me hedhjen e “bombës” së parë do të duhej të rrëzohej (keq)qeverisja VMRO-BDI, si dhe krerët me gjithë shpurën e tyre do të duhej të shkonin në përgjegjësi penale. Mirëpo, nuk jemi shtet dhe shoqëri e tillë!… Fatkeqësisht, vetëdija e shoqërisë sonë nuk është në shkallën e duhur dhe vendin e saj e ka zënë interesi i ngushtë material.”

Sipas Salihut, ndër shkaqet që e pamundësojnë dëbimin e partive në pushtet janë: propaganda, kërcënimet, përshtypja se ky koalicion, veçanërisht BDI-ja ka përkrahje të lartë ndërkombëtare dhe prania e parimit të Stalinit se nuk janë me rëndësi votuesit, mirëpo numëruesit e votave.

Ismet Ramadani, analist politik: Liderët kanë krijuar mentalitetin komunist ‘Respekt nga frika’

“Unë mendoj se këto dy parti me këtë formë të qeverisjes kanë krijuar një rrjet të madh të klientelizmit. Kjo d.m.th. se i kanë përvetësuar njerëzit me ndikim dhe qytetarët e zakonshëm duke iu ofruar beneficione të ndryshme, duke përdorur pushtetin me të gjitha instrumentet për ta frikësuar qytetarin, për ta lidhur për një vend pune, për një interes korruptiv sado i vogël që të jetë dhe kështuqë ata qytetarë edhe më tutje mendimin e tyre e shprehin jo sipas bindjeve të tyre, por sipas interesit momental që e kanë në lidhje me partitë në pushtet.”

Ramadani përmendi rastin me anketat në kohën e Millosheviçit në Serbi, anketat në Rusi, në Bjellorusi, në Korenë Veriore, duke theksuar se edhe në Maqedoni ka elemente të diktaturës, si: kërcënimet e Gruevskit ndaj institucioneve të posaformuara, ndaj ndërkombëtarëve. Paraqitja e një armiku të jashtëm dhe të brendshëm sipas tij, krijojnë një mentalitet që i ngjan kohës së komunizmit: respekt nga frika.

Naser Ziberi, analist politik: Pushteti kontrollon gjithçka, opozita e paaftë për të bërë diçka

Sipas Ziberit bombat e opozitës dhe bllokimi në proceset euro-integruese nuk kanë motivuar mjaftueshëm qytetarët për të ndërtuar një pozitë anti-pushtetit aktual dhe kjo është rezultat i shumë faktorëve, si: kontrolli dominant mbi mediat me shikueshmëri më të madhe, përmes të cilave partitë në pushtet ndikojnë tek qytetarët; standarti i ulët jetësor që i bën qytetarët inferiorë e të varur nga pensionet, ndihmat sociale, subvencionet si dhe paaftësia e opozitës për t’i motivuar qytetarët në luftë kundër dukurive negative para të cilave është ekspozuar shoqëria në Maqedoni.

Për këtë theksoi: “Opozita është treguar anemike dhe e paaftë për të bërë diçka më tepër. Një nga çështjet që duhet të ndodh është opozita e denjë për ta marrë përgjegjësinë për të ardhmen e vendit. Opozita nuk mund të jetë vetëm një ndjekëse e pushtetit, por ajo duhet të jetë e denjë për të ofruar alternativë dhe për të dhënë shpresë te qytetarët se në qoftë se mbështetet ajo, Maqedonia mund të bëhet vend më i mirë për qytetarët, me perspektivë, vend anëtar i Unionit Evropian.”

Ali Pajaziti, sociolog: Partia gjigande po harxhon kredinë e luftës dhe të kauzës

Sipas Pajazitit, bombat dhe standardi jetësor nuk ndikojnë në votën e dhënë të qytetarëve për shkak se janë të kushtëzuar.

“Besoj se ky trend këtu diku e ka fundin sepse njerëzve do t’u plasë filmi dhe do të shpëtojnë nga darët e partitokracisë dhe votën do t’ia japin më të mirit, gjegjësisht partive të tjera pos asaj ose atyre pushtetare. Pra një pjesë e mirë qyterave janë hallexhinj, kurse një pjesë janë besnikë të liderit të përhershëm ose të ngjyrave të jetës. Me gjasë kjo është koha e kur bëhen kalkulimet e fundit të divorcit nga partia e cila i ka thyer të gjitha premtimet, që edhe ithtarët më të denjë i ka zhgënjyer me dështimet e veta seriale, një pas një. Këtu diku fillon rrugat drejt ambisit edhe e një partie gjigante që dalënngadalë po harxhon kredinë e luftës, të patriotizmit, të 2001, të kauzës, të çiftelisë… Sondazhet masin opinionin e çastit që deri në zgjedhje mund të ndryshojë në masë të madhe.”-u shpreh.

Arben Taravari, neurolog: Do të shohim rrënimin e këtij pushteti totalitar si kullë prej letrave

“Nuk mund të besohen të gjitha sondazhet, sepse ato porositen me para prej strukturave të caktuara. Ne i njohim disa që i bën IRI dhe sipas saj diferennca ndërmjet Alenacës për shqiptarët dhe BDI-së, është fare e vogël vetëm 1,5%. E keni parasysh shtypja që u bëhet administratorëve, mjekëve, puntorëve dhe afaristëve dhe njëkohësisht përqindja e lartë e njerëzve të papërcaktuar, këtu do të jetë fitimi historik i Aleancës për shqiptarët! A sa për efektin e bombave, shihni tkurrjen e BDI-së, largimin e deputetëve të tyre, erozionin në strukturat e tyre, qëndrimin e gazetarëve, analistëve dhe vetë popullatës në përgjithësi. Tash kur do të vij edhe procesuimi i rasteve në Prokurorinë speciale, do të shohim rrënimin e këtij pushteti totalitar si kullë prej letrave.”/Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button