RRËNIMET SHPIRTËRORE

Në këtë kohë kur edhe frymë e kemi vështirë të marrim nga politika e zënkave partiake dhe ngase ajri është bërë mo zo’ ma keq nga ndotja, temat tjera sikur kanë dalë në plan të dytë a të tretë. Një temë me peshë që pret me decenie, fare nuk trajtohet: ndryshimet arkitekturale të qyteteve e të fshatrave, rrënimi i vlerave kulturore dhe të traditës sonë. Përkundrazi ajo heshtet, futet nën qilim.

Ndoshta dikush e ka thënë ndonjë fjalë për këto ndryshime, për këto shkatërrime të arkitekturës, por, ja që mua s’më ka rënë në sy një gjë e tillë në faqet e shtypit tonë në gjuhën shqipe këtu në Maqedoni, as që kam dëgjuar gjë të jetë folur për këtë çështje në mediat elektronike. Ndoshta edhe e kanë thënë ndonjë fjalë, por do ta kenë thënë në mënyrë afirmative. Më shkurt, shpesh  i kanë mbështetur rrënimet dhe shkatërrimet.

Do të ndalem në Tetovë, të përpiqem ta ilustroj dëmin e bërë në qytetet, në fshatrat rreth tij dhe në komunat që i ka afër, ndonëse edhe në qytetet tjera fare nuk janë punët më mirë. Do të pyes: çfarë ka ndodhur me arkitekturën e Tetovës së vjetër e të bukur, me mjaft shtëpi simpatike shqiptare, me monumente fetare e laike që i kanë lënë të parët tonë?

Pyetjes duhet t’i përgjigjem vetë. Janë bërë dëme të pariparueshme traditës arkitekturale shqiptare. Nuk është më xhamia e madhe që dikur e stoliste qendrën. Në vend të saj është ndërtuar një viran-objekt që e kanë emërtuar shtëpia e kulturës. Nuk është as parku përballë kësaj xhamie. Dhe, më e keqja – këtu nuk është edhe kompleksi i shtëpive të vogla qytetëse në qendër të Tetovës me kopshte të vogla, por të rregulluara me shije dhe të stolisura me lule. Nuk ka asnjë gjurmë të ndonjë kishe shqiptare. Rrugët e dikurshme me dyqane me qepena janë tretur pa nam e pa nishan. Këto kanë shkuar në harresë. Dhe, fatkeqësisht edhe ne shqiptarët nuk jemi shumë të dhënë pas mbamendjes. Rrënohet e kaluara jonë – ne heshtim.

Besa edhe vetë marrim pjesë në këtë prapëti.

Keq, keq. Po të ishte mbrojtur kjo arkitekturë Tetova do të ishte ndër qytetet më atraktive në Maqedoni, sepse do ta kishte alte shtatin e saj, i cili, bashkë me bukuritë natyrore që e rrethojnë do ta bënte qytetin një qendër të rëndësishme turistike e kulturore.

Dhe, fatkeqësisht ajo që është rrënuar, ajo që është zhbërë nuk bëhet më, nuk ribëhet. Por meseleja është që të shpëtohen ato pak gjëra që kanë mbetur: shtëpia e Halim Beut, shtëpia e Xhafer doktorit edhe ndonjë tjetër që mund t’i ketë shpëtuar dorës së dhunës. Dhe, Teqeja e Harabati Babës është këtu, të cilën BFI-ja, në vend se ta mbrojë e rrënon. Edhe Teqja e Porojt e cila edhe si mikrotoponim është harruar e jo më objekti. Por edhe shumë objekte të tjera.

Ka mbetur vetëm Xhamia e Pashës si monument me peshë dhe shtëpia e rrethuar me mure të larta e Abdurrahman Pashës. Edhe kjo nuk ka dalë e paprekur, e palënduar. Në bahçen e kësaj shtëpie janë ndërtuar shtëpi të reja të cilat nuk inkuadrohen në tërësinë dhe harmoninë e ambientit të kësaj shtëpie të rrallë. Objektet e reja e shëmtojnë këtë kompleks unik arkitektural me peshë artistike dhe historike.

Xhamitë e vjetra janë shtrirë përdhe gjithandej dhe në vend të tyre janë ngritur kiç godina. Me fjalë të tjera kemi të bëjmë me një dhunë revolucionare ndaj traditës, njësoj siç ushtrohet dhunë edhe ndaj natyrës. Kanë humbur pa nam e pa nishan edhe kishat që lidhen me të kaluarën tonë.
Në rrethin e Tetovës ka edhe kështjella. Kalaja një zot e di si i ka hallet. Ka mbetur diku-diku edhe ndonjë shtëpi e vjetër fshati, ndonjë mulli… As për këto s’kam dëgjuar që dikush të tregojë ndonjë interesim.

Autoritetet komunale, njësoj si të tjerët, asnjëherë nuk e kanë vënë në rend të ditës këtë çështje që ka të bëjë me arkitekturën e qytetit, por edhe me atë të fshatit si pjesë e identitetit tonë dhe e të kaluarës sonë. Përkundrazi janë përpjekur të bëhen bij besnikë të revolucioneve. Ndoshta kështu ka ndodhur edhe për shkak të mosdijes. Ndoshta edhe jo. Sido që të jetë, çështja është edhe morale. Dhe, na prek të gjithëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button