Maqedonia fillon me zbatimin e projektit mbi menaxhimin e financave publike

Ministria e Financave dhe Sektori i buxhetit dhe financave të Maqedonisë në një periudhë dy vjeçare do të zbatojë tuining projektin e financuar nga Bashkimi Evropian mbi “Përforcimin e buxhetit afatmesëm për menaxhimin efektiv të financave publike”, raporton Anadolu Agency (AA).

Aktivitetet e këtij projekti do të zbatohen në periudhën duke filluar nga dhjetori i vitit 2015 deri në nëntor të vitit 2017, ndërkohë që synojnë përforcimin e kapaciteteve për planifikim afatmesëm dhe raportimin në përputhje me Metodologjinë e Sistemit Evropian të Llogarive (ESA), me qëllim kryesor përmirësimin e cilësisë së shpenzimeve publike në vend.

Shefi i Departmentit për çështjet politike të delegacionit të BE-së, Lukas Holub, në prezantimin e projektit theksoi se një sistem efikas dhe transparent i financave publike konsiderohet si bazë e një menaxhimi të fuqishëm dhe të shëndoshë të fondeve publike.

“Një sistem i këtillë përmirëson përgjegjshmërinë, krizat dhe rreziqet nga mashtrimet dhe korrupsioni, si dhe përmirëson çështjet të cilat janë adresuar vendit në raportin e viteve të fundit të pregatitur nga Komisioni Evropian”, tha Holub.

Nga ana tjetër, sekretari shtetëror në Ministrinë e Financave, Igor Dimitrov, tha se përmirësimi i menaxhimit të financave publike dhe përforcimi i planifikimit të buxhetit afatmesëm është një nga prioritetet kryesore të qeverisë së Maqedonisë në procesin e anëtarësimin në BE.

Dimitrov shton se aktivitetet e këtij projekti dhe projekteve tjera të financuara nga BE-ja që zbatohen në vend, dëshmojnë bashkëpunimin e vazhdueshëm të Maqedonisë dhe Komisionit Evropian.

Projekti me vlerë prej 1 milion e 100 mijë euro ka për qëllim sigurimin e qëndrueshmërisë së financave publike dhe menaxhimin më efikas të shpenzimeve publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button