Pulti

Të nderuar lexues! Kësaj radhe vendosa të shkruaj për diç jashtë ngjarjeve të përditshmërisë sonë të zymtë socio-politike, ikonklastikën e lë mënjanë, thash të merrem me një subjekt-objekt formëvogël por relevant, të cilin duam që ta zotërojmë kur jemi në shtëpitë tona, por nganjëherë edhe jashtë saj, nëpërmes të cilit relaksojmë ose pezmatojmë edhe më tepër veten, të cilin kur e humbim për një çast stresohemi, madje dalim taktit. Bëhet fjalë për pultin e kutisë së dikurshme magjike, TV-së, që dalëngadalë po ia lëshon fronin rrjetit të rrjeteve, merimangës së botës virtuale, internetit. Ndoshta s’ju ka ndodhur të lodhni kokën për një gjë kaq të thjeshtë, gjegjësisht për njëjësinë (singularitetin) e veglës që komandon pamjet e televizorit, që të çon para dhe mbrapa nëpër kanalaet e ndryshme, që dikur ishin dy-tre, sot, pa numër. Pyetja kryesore që shtrojmë lidhur me pultin (ndonëse sot kjo çështje është reklativizuar me celularët inteligjentë që mund të përdoren për këtë qëllim) është kjo: Thua pse prodhuesit nuk japin dy syresh, pra dy pulte ose thënë popullorçe “digitronë”? Vallë është shumë e kushtueshme një vegël e tillë shoqëruese që i detyron pridhuesit të japin vetëm një të tillë? Pse nuk mund të gjejmë një të tillë nëse të prishet e para? Edhe nëse e gjejmë, e gjejmë ose të shpërdoruar, ose të një cilësie të ulët, mall kinez që s’shkon gjatë kohë, vetëm disa ditë a javë dhe më në fund, meqë ka shumë metra deri te TV-ja (?) dhe s’bëjmë hapa nga kolltuku për të ndryshuar kanalet, “jemi të detyruar” ta ndryshojmë televizorin, blejmë një të ri. Nën presionin e fllajerëve, fushatave reklamuese dhe estetikës së manjetizuzuar, blejmë dhe kënaqemi, kanalet i lëvizim dhe bëjmë zaping në një mënyrë shumë të shpejtë dhe shpesh të pavetëdijshme, pa u ndalur në një stacion, duke ndjenur një a dy orë dhe pas shikuar me gjithë mend gjë prej gjëje, duke gjezdisur nga dokumentarët te filmat, nga lajmet te moda, nga sporti te muzika e kështu me radhë. Sa ka ndryshuar bota nga TV-të bardh e zi, deri te ultra-slimët. Dhe pulti, është privilegj, është satisfaksion. Normalisht, nëse ju funksionon dhe  keni në zotërim.

Dhe, sërish çështja e njëjësisë së komanduesit nga distanca. Ma merr mendja se arsyeja e “të falurit” nga kompanitë e mëdha të aparateve televizive vetëm nga një pult është një strategji e frymës së kapitalizmit të etur për profit dhe vetëm profit, për nxjerrje të parave nga xhepat, kuleta dhe kohëve të fundit nga kartelat me të gjitha metodat e mundshme. Prodhohet për të konsumuar, dhe ne duhet konsumuar që ata, manjatët, plutokratët të prodhojnë, dhe si rrjedhim të fitojnë, sepse vetëm kështu lëviz rrota e “kapitalizmit të egër”. Plot njerëzve ju ndodhqë të hedhin mënjanë televizorin ose resiverin e antenës satelitore vetëm për shkak të pultit të deformuar. E njëjta gjë kohëve të fundit ndodh edhe me hekurin për hekurosje, fshesat elektrike, të cilat kur prishen shkon te mjeshtri që të shpjegon se si do ta gjesh pjesën dhe kur kontakton servisin e sertifikuar konstaton se s’ke hesap të presësh e as të lodhesh, se s’e mban barra qeranë, andaj të bie më lehtë të blesh një të re. Imagjinoni ku mund të arrijë arroganca kapitalizuese: skandali i fundit, ilaçrat shkatërrues për shëndetin të prodhur në Itali dhe Serbi për tregun shqiptar. Industri farmakologjike gjenocidale. Ullinj të futur në pluhur hekuri, për t’u nxirë, bezelje në vend të fëstëkut mbi bakllava. Pra metoda nuk zgjidhet, me rëndësi është paraja. Kapitalizmi konsumerist ndërlidhet edhe me fetishizmin, në fakt me dy lloje të fetishizmit: ai i prodhimit dhe ai i konsumimit. Logjika e kësaj shoqërie është ngritja në qiell e konsumit përmes reklamës, që si ideal ka ekonominë e harxhimit shpesh edhe irracional, që si parullë ka urdhrin: puno, ha, pi dhe konsumo si një i çmendur. Dhe siç thotë një mendimtar amerikan, qendrat tregtare janë tempujt e modernitetit dhe të shoqërisë kapitaliste. Këstet, 12, 24, 48 janë pjesë e manisë së konsumit që iu injektohet njerëzve në kohën tonë, kur si me një shkop magjik paraja shkëputet prej nesh dhe kalon atje ku duhet të shkojë te kapot e ekonomisë që s’dinë të ngihen, që sa më shumë kanë aq më shumë duan. Filozofia e njëjtë reflektohet edhe tek  copëza e vogël e quajtur pult: Skema është që sa më shpejtë të filloni të mendoni për një aparat tjetër dhe jo të lodhni kokën me shpëtimin dhe jetëgjatësimin e të parit. Plutokratët e kanë rregulluar botën që njerëzit t’i shndërrojnë në qenie me pasionin për të konsumuar gjithçka që reklamohet. Sot në trend është formula karteziane e riformatuar: Blej, pra ekzistoj (I shop, threfore I am!). Shkenca sociologjike shënon se konsumerizmi është religjioni i fundit të shekullit XX (Miles) dhe i kohës sonë, i epokës së globalizimit. Shpesh na ndodh që të blejmë gjëra për të cilat s’kemi nevojë, me paratë që s’i kemi, për të lënë përshtypje te njerëzit që madje as i duam! Bleni LCD, Led, Oled, Curve, 4K, 3D, Ultra Slim, dhe pulti është juaji. Një. Andaj Ruajeni. Në këtë drejtim ju ndihmon smartfoni, por ai është individual dhe mund të shkaktojë grindje, mund t’ua lexojnë sekretet, mund “të shpërdorohet”… Shënim: Lidhur me korporatat, brendet dhë profitin, po patët kohë, lexoni Naomi Campbell, No logo dhe Noam Chomsky, Profit Over People (Përfitimi mbi njerëzit).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button