Të gjithë të kënaqur nga arritja e Berat Jakupit

Reprezentacioni i Maqedonisë në karate për kadet, junior dhe U21, ka organizuar konferencë për shtyp, pas kthimit nga botërori i karatesë në Guadalajara të Spanjës, i cili përfundoi para pak ditësh. 

Selektori i U21 të Maqedonisë, Arlind Huseini foli për të arriturat në botëror, duke e vlerësuar si një sukses të madh. Maqedonia është kthyer me një vend të tretë që e fitoi Berat Jakupi dhe një vend të pestë në disiplinën KATA.

 “Jemi të kënaqur nga suksesi i arritur në kampionatin Botëror. Ka qenë një paraqitje shumë e mirë e karateistëve tanë, por edhe kësaj radhe ka shkëlqyer Berat Jakupi, karateisti ynë më i mirë. Ai bëri ndeshje të mira duke fituar ndaj rivalëve të tij me rezultate bindëse. Jam i kënaqur edhe nga Doan Osmani, i cili u ndal në luftën e tij të katërt”, tha Huseini para gazetarëve. 

I lumtur nga ky rezultat ka qen edhe anëtari i KK Fati nga Gostivari,  Berat Jakupi, i cili për momentin është karateisti më i mirë dhe më i suksesshëm në Maqedoni. 
“I zhvillova gjashtë luftëra ku pesë prej tyre i fitova. Tash më duhet të punoj më shumë sepse kundërshtarët e mi kanë nisur ta mësojnë taktikën e veprimeve”, deklaroi Jakupi. 

Aktiviteti i ardhshëm i reprezentuesve të Maqedonisë do të jetë turneu premier që do të zhvillohet në Strazburg. Në këtë aktivitet përveç Berat Jakupit do të paraqitet edhe karateisti i Metallurgut, Ferat Kerbliçi.

Lajme të ngjashme

Back to top button