Azemi mposhti vdekjen për t’u kthyer me pesëgolësh

Ilir Azemi nuk e di se si ka shpëtuar nga aksidenti i rëndë me makinë në gusht të vitit 2014.

“Vetëm Zoti ka ditur të më shpëtojë dhe të më kthejë kaq shpejt pas tronditjeve që kam pasur”, tha Azemi të enjten për gazetën, një ditë pasi luajti ndeshjen e parë pas këtij aksidenti dhe qysh në kthim ai u tregua kampion i vërtetë, duke shënuar pesë gola.

Reprezentuesi i Kosovës kishte pësuar aksident të rëndë me makinë në orët e hershme të mëngjesit të 7 gushtit 2014 në afërsi të Nuernbergut, meqë ishte përplasur me një furgon. Ishte dashur intervenimi rreth 30-minutësh i njësitit emergjent të zjarrfikësve për ta nxjerrë nga vetura e dëmtuar së tepërmi, shkruan sot Koha Ditore.

Në aksident kishte pësuar dëmtime të mëdha trupore, duke thyer legenin, disa eshtra, ndrydhje në kraharor, tronditje në tru dhe të tjera. Pas gjithë kësaj, mjekët kishin folur edhe për mundësinë që ai të ngelej në karrocë invalidësh.

Por, një ditë para se t’i mbushte 24 vjet, të mërkurën mbrëma, pra pas gati një vit e gjysmë pauzimi, i është kthyer fushës së gjelbër. Dhe kthimi i tij ishte i furishëm. Shënoi pesë gola në fitoren 17:0 të ekipit U-23 të Greuther Furthit ndaj skuadrës pak të njohur TSV Burgfarrnbach.

“Kam qenë i emocionuar duke e ditur që pas një kohe shumë të gjatë po kthehem në fushë. Ende nuk jam 100 për qind i aftë për të luajtur në nivel të lartë. Shpresoj që sa më parë edhe këmba ime të rikuperohet plotësisht. Por jam gëzuar shumë që ky moment erdhi, falë Zotit që më ka ndihmuar. Kam besim që shpresat nuk do të m’i humbë që të kthehem në nivelin e partë. E nisa mirë, duke shënuar pesë gola”, ka thënë Azemi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button