Davutoglu në Davos: Terrorizmi kërcënon gjithë njerëzimin

Kryeministri turk Ahmet Davutoglu në ditën e dytë të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në temën “Roli Global i Turqisë” tha se Davosi është një axhendë gjithëpërfshirëse e përvitshme ndërsa këtë vit janë diskutuar shumë çështje të rëndësishme duke nisur nga kriza e refugjatëve e deri tek krizat ekonomike globale, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi të drejtë ti bëjmë presion komunitetit ndërkombëtarë për zgjidhjen e krizës në Turqi por askush nuk ka ndërmend të bëjë presion mbi Turqinë. Mes Turqisë dhe SHBA-së si dy vende aleate ka vetëm bashkëpunim dhe konsultim strategjik”, ka thënë ai.

Davutoglu ka thënë se këtë mëngjes ka patur takim me Sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon në lidhje me Samitin Botëror Humanitar i cili do të mbahet në Stamboll. Ai u shpreh se Turqia është vendi që ka strehuar më shumë refugjatë në botë dhe se kriza e refugjatëve është në interes të afërt për Turqinë dhe komunitetin ndërkombëtarë.

Ndërsa në lidhje me çështjen për luftën kundër terrorizmit Davutoglu tha se terrorizmi kërcënon të gjithë njerëzimin.

“Askush nuk mund të mbetet indiferent ndaj terrorizmit. Dy javë më parë në Stamboll pati një sulm. Edhe në Paris pati një sulm terrorist të tmerrshëm dhe për këtë arsye ka nevojë për ndërgjegjësimin global edhe kundrejt terrorizmit edhe kundrejt krizës së refugjatëve. Lufta kundër terrorizmit është një çështje e rëndësishme që është diskutuar në Davos. Turqia ndodhet në qendër të shumë çështjeve globale, aktiviteteve dhe problemeve ku ajo luftone terrorizmin dhe krizën e refugjatëve”, tha Davutoglu.

Ai thekson se kriza ekonomike globale e cila është diskutuar në Davos ka qenë gjithashtu një çështje e rëndësishme që është diskutuar edhe në Samitin G20 që u mbajt në Turqi me shpresë se këto forume ku diskutohet kriza ekonomike globale të gjenden zgjidhje të problemeve themelore si papunësia dhe inflacioni.

Davutoglu tha se bashkëpunimi doganor mes Turqisë dhe BE-së është përmirësuar.

“Turqia ka përpara një reformë ekonomike gjithëpërfshirëse dhe një 4 vjeçar stabil pa zgjedhje. Për projektet në të ardhmen, reformat dhe rritjen ekonomike në Davos kisha takime me shumë CEO dhe investitorë ndërkombëtarë sepse Turqia me 4 përqind është një prej ekonomive më të shpejta”, ka thënë ai.

Ndërsa në pyetjen e gazetarit se “A bëjnë SHBA-të presion mbi Turqinë për të mbrojtur më mirë kufijtë tuaj?” Davutoglu u përgjigj: “Mes aleatëve nuk ka presion. Mes Turqisë dhe SHBA-ve ka bashkëpunim të afërt për gjetjen e zgjidhjeve politike në Siri dhe Irak si dhe në çështjet në luftën kundër terrorizmit. Zv.presidenti amerikan Joe Biden të shtunën do të qëndrojë në Ankara dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë. Sepse gjithë koston e destabilitetit në Irak dhe Siri po e paguan Turqia dhe veçanërisht për shkak të dështimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Siri. Refugjatët vijnë në Turqi dhe terrorizmi kërcënon Turqinë. Ne kemi të drejtë ti bëjmë presion komunitetit ndërkombëtarë për zgjidhjen e krizës në Turqi por askush nuk ka ndërmend të bëjë presion mbi Turqinë. Mes Turqisë dhe SHBA-ve si dy vende aleate ka vetëm bashkëpunim dhe konsultim strategjik”.

Kryeministri turk ka shpjeguar mes tjerash se afërsisht gjysma e popullsisë së Siri janë detyruar të brakstisin shtëpitë dhe se qindra mijëra të tjerë kanë humbur jetën, ndërsa fëmijët në Madaya kanë vdekur nga uria.

“Gjetja e zgjidhjes për krizën në Siri është përgjegjësi e jona dhe e komunitetit ndërkombëtarë por më parë KS-OKB duhet të bëjë hapin. Deri tani komuniteti ndërkombëtar ka dështuar. Shpresoj që në procesin e ardhshëm politik të gjendet një zgjidhje”, tha Davutoglu.

Sipas tij, para nisjes së procesit të dialogut politik duhet të bëhet presion mbi regjimin e Sirisë që të mos pengohen ndihmat humanitare. “Duhet të kalohet në veprim për të parandaluar krimet e luftës që janë kryer në Madaya, përdorimin e armëve kimike dhe bombave fuçi ndaj civilëve. Nëse ndaj kësaj krize nuk gjendet sa më parë një zgjidhje, kriza globale do të vazhdojë dhe miliona refugjatë do të vijnë në Turqi dhe Evropë”, tha ai.

Ndërsa në pyetjen nëse Turqia do të mbyll kufijtë kryeministri Davutoglu deklaroi se gjithmonë kanë zbatuar politikë me dyer të hapura për refugjatët dhe kjo është traditë historike. “Ndërsa me terroristët luftojmë. Opozitarët e moderuar luftojnë kundër DAESH-it por fatkeqësisht avionët rusë po godasin opozitarët. Për këtë arsye duhet të luftojmë edhe me terrorizmin edhe me regjimet shtypëse që vrasin civilët”, ka thënë kryeministri turk Davutoglu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button