Bohemi i letërsisë shqipe

Brezi më i ri nuk e njeh aq sa e meriton poetin Mirko Gashi. Disa studiues të rinj, së fundmi, i përkushtohen veprës së tij dhe ky është lajm i mirë. Vepra e bohemit të letërsisë shqipe është me horizont të hapur të pritjes. Ka shumë të rinj që mahniten nga poezia e tij, sapo e lexojnë, pa e ditur se kush është autori.

Mirko Gashi ka shkruar poezi të veçanta. Nuk rrinte pa pirë e pa shkruar. Kishte mënyrë të veçantë jetese kur nga shkrimtari pritej të ishte njëfarë profeti, sepse njerëzit e zhgënjyer nga politikanët i shihnin poetët si autoritete morale.

Poeti ynë nuk moralizonte. Poeti ynë jetonte për poezinë. Krijonte shumë variante të një poezie. I punonte në kokën e tij me muaj e vite para se t’i botonte.

Poeti na thoshte ne studentëve, që na rastiste ndonjëherë të rrinim me të: “Ka thënë nëna: kam një djalë të mençur dhe një poet”. Pra poeti duhej të ishte disi si i çmendur, apo më saktë, siç e ka thënë Kadareja, “i krisur”.

Aty ku adhurohet arti dhe respektohet artisti, nuk përçmohet mënyra e veçantë e jetesës së tyre, prandaj janë shpikur shprehje që të mos përçmohen krijuesit e vlerave të papërsëritshme. Artistët nuk quhen “normal”, sepse me veprimet e tyre nuk duken të këtillë. Nuk quhen “jonormal”, sepse me veprën e tyre e bëjnë atë që nuk mund ta bëjnë njerëzit tjerë. Quhen “më normal se sa normalët”.

Mirko Gashi ishte “më normal se sa normalët”. Ai bëri jetë të vështirë, por jetoi me dinjitet. I dehuri i përhershëm ishte ndër më mendjekthjellëtit e kohës. Ai thoshte të vërtetat e tmerrshme dhe të rrezikshme. Ishte i krisur, si çdo poet.

Në kushte terrori duhej të ishe i vëmendshëm. Policë shikimvëngër mund të të vrisnin për qejf, pa i dhënë askujt llogari, madje mund të shpërbleheshin. Fundja, nuk ja vlen që të vdesësh si personazhi i Kafkës, duke e shqiptuar fjalinë: “si qen”.

Në kushte terrori duhej ta menaxhoje kohën. Se nëse të “kapte” ora policore mund të të vrisnin pa paralajmërim.

Mirko Gashi kishte orën e tij. Shëtiste lirshëm nëpër qytet, pa iu bërë vonë se mund të vritej. Në sytë e policëve mbase dukej si i marrë, një i dehur, me të cilin ja vlente të talleshe. Poeti tallej me ata. Ishte njeriu i lirë në kushte terrori…

Disa poezi janë himn për lirinë. Në poezinë “Liria”, kushtuar Lumit, sugarit të tij, thotë: “Eu çfarë djali kam, / eu çfarë Lumi kam. / Sa kafshata, / sa një pëllëmbë / s’e ka mjekrën / s’ka as dhëmbë, / mallkon yje, / shkatërron pyje / edhe në muajin e vet të tetë / s’don të lidhet në djep”.

Kur një foshnje nuk e pranon robërinë, si mund të pretendojë dikush dikë ta mbajë të robëruar?

Mirko Gashi ka krijuar shumë poezi antologjike, për të cilat ja vlen që të shkruhet, të bëhen studime, magjistratura e doktoratura. Unë besoj se studiuesit e rinj do t’i qasen kësaj poezie. Besoj se kjo poezi do të lexohet edhe në të ardhmen. Më çudit harresa e institucioneve tona ndaj emrave të këtillë të rëndësishëm të letërsisë, të cilët, krahas vlerave artistike që krijuan, ndikuan edhe në frymëzimin e brezave të tërë që ta donin poezinë, pra të kishin vetëdije estetike. Na mësuan ta donim lirinë, të ndjeheshim të lirë në kushte terrori. Si mundet që sot pak kush të kujtohet për ta? Si mundet që të mos organizohet asnjë përshpirtje? Si mundet që mos u botohet vepra e plotë me cilësi të lartë botimi?

Ministria e Kulturës së Maqedonisë ua boton veprën e plotë autorëve maqedonas, disa prej të cilëve mund të kenë vlera historike për kulturën maqedonase, por jo edhe vlera artistike. Ua përkthen në disa gjuhë të botës. Paguan honorarë për përkthyes e recensues. Paguan botimin luksoz të veprës. Kjo nuk ndodh me autorët shqiptarë në Maqedoni, disa prej të cilëve pothuajse janë harruar. Kjo nuk ndodh as në Kosovë. Apo ndoshta se politikanët tanë jo që nuk lexojnë letërsi, por edhe e përçmojnë atë.

Këtij fati nuk ka si i ik edhe Mirko Gashi…

Jam i bindur se do të vijë koha kur poezia e tij do të lexohet. Në atë kohë do të thuhet se dikur poeti ishte harruar, sikurse shumë poetë të tjerë…

Më mbetet ta kujtoj një poezi të një poeti boshnjak i cili thoshte (e perifrazoj), se ishte një kohë kur të tjerë emra sundonin kokën tonë, e këta ishin emra shkrimtarësh të mëdhenj, kurse në këtë kohë kokën tonë e sundojnë emra politikanësh, që përmenden vetëm për afera korrupsioni.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button