Rama thotë se reforma në shëndetësi është komplekse

Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e së martës në qytetin e Durrësit, ku inspektoi projektin “Receta Elektronike”. Kreu i qeverisë theksoi se “reforma në shëndetësi është komplekse”, duke premtuar se “do të bëjmë të mundur që hap pas hapi njerëzit ta ndjejnë ndryshimin”.

“Reforma në shëndetësi është shumë e rëndësishme, pasi e prek fizikisht dhe shpirtërisht njeriun që ka nevojë për shërbimin mjekësor. “Receta Elektronike” do të shtrihet në të gjithë territorin në harkun e këtij viti. Na duhet një panoramë e qartë e problematikave dhe nevojave, bazuar në statistikat e sëmundshmërisë”, u shpreh Rama.

Kryeministri nënvizoi se në të kaluarën nuk është bërë asgjë për të reformuar shëndetësinë: “Më mirë një vezë sot, sesa një pulë mot. Kjo ka qenë motoja e qeverive të mëparshme. Ja kanë lënë të tjerëve të merren me malin e problemeve që janë krijuar në mungesë të reformave. Shëndetësia sot do të ishte në një situatë krejt tjetër nëse do të ishin ndërmarrë reformat”.

“Sot po paguajmë ende faturën e reformave të pandërmarra dje. Reforma në shëndetësi është jo për të garantuar pushtetin e sotëm, por të përcaktojmë një rrugë që definon atë që duhet të bëjë shteti në të ardhmen”, shtoi kryeministri, transmeton Top Channel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button