Shqipëria vendi i 4-t më i shtrenjtë në botë për celularët

Unioni Botëror i Telekomunikacioneve, një agjenci nën varësinë e OKB-së, e rendit Shqipërinë si vendin e katërt në botë me çmimet më të larta të telefonisë së lëvizshme. Në raportin e fundit  mbi zhvillimet globale në industrinë e telekomunikacionit, Union vëren se në Shqipëri tarifa mujore e shërbimit të telefonisë celulare kushton 30.1 dollarë. Por nëse konvertohet sipas standardit të fuqisë blerëse rezulton se kjo tarifë rritet në 56 dollarë. Ky është niveli i katër më i shtrenjtë në botë.

Vetëm 3 vende të tjera paguajnë më shumë për telefoninë e lëvizshme në raport me të ardhurat se sa Shqipëria. Ato janë Nikaragua, ku tarifat e telefonisë mobile kushtojnë 78 dollarë në muaj, Bullgaria me 63 dollarë në muaj dhe Madagaskari me 58 dollarë në muaj, gjithmonë sipas standardit të fuqisë blerëse. Në vendet e tjera niveli i tarifave mujore varion nga 7 në 40 dollarë.

Vendi më i prapambetur

Por Shqipëria nuk është vetëm vendi më i shtrenjtë për telefoninë e lëvizshme. Ajo është edhe vendi më i prapambetur në Europë për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Sipas raportit, me një klasifikim prej 4.73 pikësh në Indeksin e Zhvillimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (IDI), Shqipëria renditet e 94 në 167 vende të botës. Por në Europë ajo renditet e fundit.

“Të dhënat tregojnë se Europa është rajoni me nivelin më të lartë të zhvillimit teknologjik në këtë industri me një indeks prej 7.35 pikësh. Shqipëria është i vetmi vend në Europë, i cili ka një nivel zhvillimi më të ulët se mesatarja globale” thuhet në raport.

Indeksi i Zhvillimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit është treguesi më i rëndësishëm global që mat nivelin e zhvillimit të vendeve në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Ky indeks mat disa nëntregues, si përqindjen e familjarëve që kanë kompjuter, nivelin e penetrimit të internetit, atë të telefonisë fikse dhe të lëvizshme si dhe tarifat përkatëse të këtyre shërbimeve, transmeton Syri.net

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button