SHKUPI

Shkupi, si çdo qytet shqiptar, ka nevojë për reformë shpirtërore, e cila arrihet nëpërmjet dijes, përkushtimit. Shkupi shqiptar, sikurse qytetet tjera, ngulfatet nga kthetrat e subkulturës, si pasojë e mungesës së vizionit të elitave kulturore e politike të shqiptarëve në Maqedoni.

Një Shkup i zhvilluar do të reflektonte kudo, kurse i tanishmi është shndërruar në provincë. Mendja e errësuar e do Shkupin shqiptar të izoluar, geto, të pazhvilluar. Një Shkup të pazhvilluar e duan përfituesit nga mjerimi. Aty ku njerëzit përballen me probleme ekzistenciale shuhen kërkesat për esencialen. Kërkesa e vetme bëhet buka e përditshme.

Shkupi nuk mund të përjetojë reformën shpirtërore me kroesusët e kohës tonë. Kroesusi ishte qenie mitike që dëshironte ta shndërronte në ar gjithçka që e prekte. Në fund vdiq nga uria, sepse edhe buka i bëhej ar posa e prekte.

Nuk guxojmë të strukemi në kullat tona të fildishta për të ruajtur rehatinë personale dhe të heshtim teksa vuajnë të pafajshmit për shkakun e mendjeve mizore të padijes.

Para disa kohësh e mbajta një ligjëratë para të rinjve e të rejave nga Shkupi, ku vërejta dy gjëra: zgjuarsinë dhe zhgënjimin e tyre. Sinqeriteti i të rinjve më krijoi dhembje. E pyeta veten se çfarë kam bërë për këtë brez të zgjuar dhe të sinqertë. Nëse nuk bëjmë diçka të mirë për këtë brez, ai mund të bie në kthetra hienash dhe të keqpërdoret. Nuk guxojmë t’i lëmë të rinjtë të përpëliten në kthetra defetizmi, që e dëmton zhvillimin e një kombi. Dua që ata ta ndjejnë Shkupin si vend ku do të shprehnin kreativitetin e tyre dhe jo si një stacion të përkohshëm para se të marrin botën në sy, në kërkim të mbijetesës. Nga dija e tyre nuk rrezikohet askush, përveç mendjes së errësuar që nuk e duron asnjë konkurrencë dhe që i do hapësirat e ngushta, ngase mendimet i ka të ngushta. Në veprën “Të fyer e të poshtëruar”, Dostojevski thotë se “në banesa të ngushta edhe mendimet janë të ngushta”. E neve na duhen ata që e shtrijnë vështrimin përtej kësaj ngushtësie mendore e shpirtërore.

Një Shkup ndryshe nga çfarë e kemi nuk e pengon zhvillimin e asnjë qyteti tjetër dhe as e kundërta. Nëse do të ngelin provinca, vetëm do të këmbejnë marrëzitë e tyre. Sot kemi një komunikim mbarëkombëtar të antivlerave, por jo dhe të vlerave. Kiçi i prodhuar është i pranishëm në të gjitha hapësirat tona, por jo dhe vlerat që krijohen këtu.

Nëse qytetet tona do të ngritën kulturalisht, atëherë do të konkurrojnë në përthithjen e potencialeve intelektuale. Kjo u bën mirë të gjithëve. I bën mirë Shkupit dhe Tetovës, që nuk janë polise armike, por qytete që e kanë plotësuar dhe duhet ta plotësojnë njëri tjetrin. Stereotipat krijohen nga ata që e duan kombin për ta vënë në shërbim kauzash prej kacëlmici. Ata u ngjajnë xixëllonjave që i përmend Shopenhaueri. E duan terrin që të shihet shkëlqimi i tyre. Ata thirren në vlerat mbarëkombëtare por janë lokalistët më të neveritshëm. Thirren në politika mbarëkombëtare, por bëjnë politikë mizorisht lokale. Duan të avancohen në majat e pushtetit për të qenë në shërbim të katundarëve të tyre. Nëse arrijnë të punësojnë disa njerëz nga farefisi e katundi mendojnë se e kanë kryer misionin dhe se u lejohet të bëjnë pisllëqe të mëdha.

Shqiptarët kanë vuajtur për shkak të kësaj vetëdijeje. E kanë vërejtur edhe studiues të huaj, sipas të cilëve, shqiptarët më shumë e duan fisin se sa kombin. Dikur kjo përligjej. Kur një popull nuk ka institucione autoktone dhe është i përjashtuar nga vendimmarrjet, detyrohet që të krijojë kode të tjera komunikimi për të mbrojtur kodet identitare. Në të tilla rrethana nuk ka qëndrim kritik apo rivlerësues ndaj vlerave tradicionale, që bëhen pengesë përparimi, por ato shërbejnë për mbijetesë. Në rrethanat kur shqiptarët janë pjesë institucionesh shtetërore kjo logjikë është e pajustifikueshme. Mjerisht sillemi në institucione me vetëdije robi. Edhe ai pak pushtet nuk vihet në shërbim të së mirës publike, por keqpërdoret për qëllime mizore.

Sot duhet të stimulohet kreativiteti. Kjo nuk ndodh për sa kohë për vlerat eprore të kombit vendosin të kacagjeluarit e neveritshëm që thirren në ideale të larta. E bëjnë që të vuajë një komb i tërë në emër të një sakrifice që rezulton të jetë bërë për trofe lufte dhe jo për të lartësuar vlerat eprore. E shenjtërojnë luftën dhe nëpërmjet këtij shenjtërimi i realizojnë qëllimet e pista. Hapësira e njerëzve kreativ sot është pushtuar nga kokat kompetente të marrëzisë. Kjo gjendje nuk e përligj disfatën e njerëzve kreativ. Ai që e ka mendjen ka gjithçka. Me fuqi e para nuk i mposhtim militantët që nuk shohin përtej hundës së tyre. Prapa tyre qëndrojnë nëntoka të errëta, që na imponojnë llumin si vlerë kombëtare. Ata mposhten nëpërmjet kreativitetit. Militantët nuk kanë potenciale intelektuale. As nuk i durojnë këto potenciale. I luftojnë me arrogancë. I përkëdhelin hipokritët të cilët vihen në shërbim të këtyre mendjeve prej tutkalli, që mbijetojnë nëpërmjet kërcënimit dhe njëfarë trimërie të shpifur.

Mendjet kreative mund të triumfojnë nëpërmjet rrugëve alternative, duke afirmuar idetë dhe projektet e tyre urbane dhe jo folklorike. Pasiviteti do ta bënte Shkupin vend vullnetesh të shtypura, vend depresionues. Përvoja ka dëshmuar se mendjet e hapura mund të triumfojnë mbi mendjet e errëta edhe kur kanë hapësirë të paktë veprimi. “Çdo mur është një portë”, mjafton që të krijosh një filozofi veprimi më të lartë se sa të atyre që e kanë pushtetin, paranë, pallën.

Im atë, që kishte studiuar në Shkup, më mësoi ta dua vazhdimisht këtë qytet, pa m’i treguar arsyet. Rrënjët e kësaj dashurie të fuqishme i kam kërkuar përherë. Gjatë kërkimit mësova se përse duhej ta adhuroja dhe ta shprehja kudo këtë adhurim e dashuri. Kritikat e mia kundër dukurive të liga nuk janë bërë për vetëkënaqje, por ishin shprehje e një shqetësimi për ta parë këtë qytet ndryshe nga çfarë është tani. Ata që dyshojnë për ndonjë shtirje timen nuk e dinë se ka njerëz në këtë botë që nuk bëjnë miq për shkak të vendit ku jetojnë njerëzit, por për shkak të vokacioneve, bindjeve, marrëzive të përbashkëta, për shkak të disa idealeve, vizioneve, dashurive të serta, që të shtyjnë të flijosh shumëçka për një botë më ndryshe, më të paqme, më të fisme. Dhe këta njerëz nuk kanë mendime të ngushta. Atdheu i tyre është më i madh nga çfarë e paramendojnë mendjet e errëta.

Nëse nuk e duam Shkupin atëherë do ta vjedhin ata që ia ndryshojnë historinë, shpirtin; që ja ndryshojnë imazhin e sotëm dhe të djeshëm. Pa të djeshme nuk ka të sotme. Pa të sotme nuk ka të nesërme.

Shkupi shpërfytyrohet nga ata që nuk i lidh asgjë me kulturën dhe historinë e lashtë të tij. Ja shpërfytyrojnë imazhin në emër të së kaluarës e cila nuk ka ndodhur dhe e futin në harresë të kaluarën e ndodhur, pikërisht nga ata që duan të krijojnë identitet duke mohuar të vërtetat historike. Në misionin e tyre po na copëzojnë dhe errësojnë vetëdijen, na stimulojnë provincializmin tonë të pështirë.

Shkupi ka nevojë për vëmendje qendrash shqiptare, që janë arrogante e përçmuese dhe besojnë se lartësohen duke injoruar ata që kanë nevojë për një motiv dhe një shpresë.

Një investim në ngritjen kulturore dhe në reformë shpirtërore do të ndikonte në riparimin e një katastrofe të heshtur, e cila ndodh dhe bëjmë kinse nuk e shohim. Aty ku heshtin ata që e shohin këtë katandisje, triumfojnë ata që e çojnë një popull drejt humnerës. Mbështes çdo nismë për këtë triumf të mendjes. Jam kundër atyre që keqpërdorin nismat e fisme për të realizuar ambiciet meskine. Është për të qarë kur i sheh ata që hiqen si të ditur e në ndërkohë u ligavitën specieve me vetëdije plebeu, që janë pjesëmarrës mizor në fshirjen e kujtesës. Është për të qarë kur i sheh ata nëpër tubime folklorike, plot patos e mungesë mendimi. I lartësojnë si kulme të arriturash kulturore refrenet që nuk thonë gjë dhe heshtin teksa një komb ec me hapa të gaforres drejt lavdive të së kaluarës, që shërbejnë për lartësimin e mashtruesve të së sotmes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Po i nderuar Shkupin duhet perkrahur dhe ndihmuar te behet qender e mirefillte e shqiptareve ne Maqedoni por jo me projekte te pergatitura alaminut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button