Viti i ri, libido dhe ksenofobia

Ditëve të fundit në shtypin europian temë e debateve të nxehta është ndodhia e natës së Vitit të Ri, kur u shënua një skandal në qytetin gjerman të Këlnit, ngacmime seksuale në të cilat ishin përfshirë njerëz kryesisht të ardhur nga vendet e krizës së Lindjes së Mesme dhe nga Afrika, por edhe ca evropianë e të tjerë. Na atë hepening, ku mijëra njerëz janë në transin e kremtimit të ndërrimit të motmoteve, si në çdo vend tjetër, morën pjesë individë të kategorive të ndryshme, nga më të kulturuarit deri te maniakët, anomikët, deri te (e)migrantët që janë as në qiell as në tokë, individë të lëkundur e të thyer nga trazirat e vendeve të veta, që ende nuk e kanë lexuar mirë kontekstin e ri, që kujtojnë se Evropa është vatër e lirive të pakufishme, e një libertinizmi absolut, që në fakt nuk është. Një pjesë minore e këtyre imigrantëve libidon e tyre deshën ta zbrazin duke bërë gjah në të turbullt, duke e seksualizuar pjesën femërore të grigjës. Gjetjet flasin se nga 31 persona që janë shoqëruar në ambientet e policisë nëntë kanë qenë algjerianë, tetë marokenë, pesë iranianë, katër sirianë, dy shtetas gjermanë, një irakian, një serb dhe një amerikan. Në total, 18 nga të shoqëruarit kanë qenë azil-kërkues, ndërkohë që pjesa tjetër, emigrantë të ligjshëm ose shtetas të huaj. Dhe një porosi nudiste nga një manekine zvicerane, Milo Moiré, e cila të premten paradoi para një katedraleje të Këlnit e zhveshur dhe me një porosi shkrimore për të treguar se femra nuk është vetëm biologji dhe fizikus, vetëm objekt seksual por shumë më tepër. Ndodhi ç’ndodhi, në gishti i linçimit medial u drejtua kah arabo-islamikë për të cilët teoria e etiketimit është e gatshme: pasardhësit e orientalëve të haremeve. Si duhet lexuar seksualizimi i migrantëve? Në fakt, grupimi i ardhacakëve janë njerëz që për momentin janë kategori e medikalizimit, kategori psiko-patologjike (me trauma), bashkësi e individëve që kanë nevojë për zbrazje të të gjitha natyrave, që vijnë nga kultura ku akcesi te femra është shumë më i rëndë sesa në Evropë, ku komunikimi dhe kontakti mes dy sekseve është i kushtëzuar fetarisht, madje shpesh edhe i pamundshëm, me përjashtime të vogla. Dhe agora e një qyteti europian, bota femërore e frojdizuar në kokën e arabo-lindorit, e simbolizuar me seks-makinën e saj në kuptimin e sendëzimit, krijon shtytje të mundësisë për orgji dhe shfryrje libidoiste. Vërtet Europa është një hapësirë e detradicionalizmit të raporteve gjinore dhe seksuale, ku adulteri është “natyralizuar”, ku intimiteti është komercializuar përmes industrisë seksuale, por megjithatë ka një opinion publik dhe organe që përkujdesen për etikën publike, ka një ndjenjë që megjithatë nuk lejon libidoizimin publik, ka një ndërgjegje primordiale. Është e vërtetë që shumica e kundërvajtësve të rastit Këln ishin me identitet aziatiko-afrikan, arab dhe mysliman, por në mesin e tyre kishte edhe një pjesëtar nga “djepi i demokracisë moderne”, SHBA-të, europianë të lindur andaj është e gabuar që të anashkalohet shumëngjyrësia e skajshmërisë seksuale të shfaqur në këtë rast. Nga ky rast në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që të nxirren përgjithësime stigmatizuese për joeuropianët brenda Europës, për myslimanët të cilët janë në shënjestër të ksenofobisë dhe islamofobisë ultra-agresive në veçanti pas vitit 2001 e këndej. Qarqet djathtiste mezi që presin shkaqe të këtilla për t’ia përkujtuar shtetin “gabimin që bën me pranimin e emigrantëve”, me naturalizimin e ardhacakëve që dallojnë kulturalisht dhe që vetëgetoizohen, që abstragohen nga shoqëria e mesit, që nuk i pranojnë vlerat autentike europiane. Shoqëria e shëndoshë këtyre njerëzve, pra migrantëve duhet t’u ndihmojë në adaptimin dhe socializimin në rrethana të reja, duke iu siguruar jo vetëm ushqim e mirëqenie materiale, por edhe kurim psikologjik, trajtim jo vetëm si raste sociale por edhe si dukuri sociologjike, si bashkësi që duhet të europianizohet pa u asimiluar (muslimanët e paasimilueshëm – unassimilable muslim immigrants- National Review). Qarqeve ekstremiste nuk duhet lejuar që ta grabisin (hijack) këtë rast ku aktorë ishin kryesisht imigrantë të ardhur në Gjermani brenda një periudhe njëvjeçare. Raste të tilla ka pasur edhe më herët me siguri, andaj çdo qasje ksenofobike dhe islamofobike është antieuropiane, antidemokratike. Nuk mundet që një numër prej miliona emigrantësh dhe myslimanësh (sipas Pew Research Center, numri i myslimanëve në Gjermani në vitin 2014 ka qenë  5,068,000)   të vihen në kalvar për një shifër prej rreth njëzet vetash. Vërtet në Europë ka edhe “zona të paligjshmërisë ” (no-go zones), por edhe figura të suksesit si Kullashi, Riz Khan, Zidane, Ozil etj.

”Identitete vrastare” ishte titulli i një libri i botuar kohë më parë, në të cilin në bazë të materialeve të pasura dhe argumenteve shpjegohet se si kërkimi për identitetin e pastër, i cili nuk do të jetë “i përlyer” me asgjë nga jashtë, mund të shndërrohet në forcë destruktive politike. Qëndrimet si ai i Orbanit se tanimë nuk shtrohet pyetja se në çfarë Europe do të jetojmë por se a do të ekzistojë dot ajo që ne e quajmë Europë” janë ksenofobike dhe profetizime apokaliptike që s’kanë të bëjnë me realitetin sociologjik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button