Manjani-prokurorëve: Hetoni zyrtarët e lartë, qoftë edhe ministra

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, kërkoi nga prokurorët zbardhjen e dosjeve të çdo zyrtari që abuzon, qoftë ai edhe ministër. Në takimin me Unionin e Prokurorëve, Manjani tha se krimi i rrugës dhe ai në zyrën e shtetit duhet të ndëshkohet.

“Dosja hetimore është më sekrete në gazetë se në prokurori. Është faji i sistemit që kemi zgjedhur, një sistem hibrid që në shoqëri si e jona nuk funksionon. Nuk kemi pse të vendosim afate. Ftesa ime për shërbimin e prokurorisë ka qenë dhe mbetet e qartë. Zbardhini dosjen dhe bashkë me të dhëmbët çdo zyrtari që abuzon! Po, patjetër, ministër apo çfarëdo qoftë ai ose ajo! Dhe nëse prokurori stepet përpara abuzuesit, sigurisht që nuk ka reformë që bën derman. Duhet ta qepim këtë sistem, ta kopsitim. Krimi në rrugë dhe krimi në zyrën e shtetit duhet të ndëshkohet dhe këtë nuk e diskutojmë fare”, tha Manjani. Sipas tij, nëse prokuroria e bën një gjë të tillë atëherë ka zgjidhur çështjen e besimit që i mungon sot opinionit publik ndaj gjyqësorit, drejtësisë dhe shtetit.

Ministri garantoi mbështetjen për të gjithë prokurorët që kryejnë detyrën me përgjegjësi ligjore, ndërsa shprehu besimin se në kushtet aktuale të reformimit të thellë të të gjithë sistemit të drejtësisë, është me rëndësi gjetja e gjuhës së mirëkuptimit dhe arritja e vendimeve të pjekura. Për këtë sipas tij, nevojiten prokurorë aktivë që i dalin zot hetimit.

“Të nderuar prokurorë ju jeni përditë në detyrë, firmosni urdhërarreste, akuza, jeni në përballje me elementë kriminalë. Nuk kam ndërmend të hyj në retorikë publike me asnjërin prej jush për sa kohë jeni në detyrë. Kam shprehur mbështetjen për të gjithë prokurorët që vazhdojnë detyrën në përputhje me ligjet. Duhet ta çojmë më para këtë punë. Na duhet një prokuror aktiv, që të jetë zot që në fillim të hetimit. Jo të hyjmë tek sekretari i prokurorit. Dosja hetimore është më sekret në gazetë se në prokurori. Nuk është faji juaj, por i sistemit hibrid që në një shoqëri si e jona nuk funksionon. Mbetem përkrahës i homogjenitetit në gjykimin penal. Nuk kemi pse t’i vendosim vetes afate që në filan kohë do ndodhë një gjë”, u shpreh ai. Në përfundim të fjalës së tij, Manjani e ka cilësuar formimin e Unionit të Prokurorëve si një organizim të domosdoshëm edhe për të vlerësuar kontributin e çdo prokurori.

“Një akt akuzë e formuluar nga prokurori dhe që arrin të konfirmohet me një vendim gjykate, jam i bindur që është ligji më i mirë i mundshëm”, përfundoi ai ministri. Ndërsa kreu i Unionit të Prokurorëve, Ndini Tavani tha se fushata denigruese dhe etiketimet negative duhet të ndalen, për të mos cenuar punën e përditshme të organit të akuzës. “Etiketimet negative të ndalin për të mos cenuar punën e përditshme për moskrijimin e tensioneve të mëdha ndaj punës tonë dhe për të mos rritur mosbesimin në publik”, deklaroi Tavani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button