Vizita e Ahmetit në Athinë “turizëm diplomatik”

Ali Ahmeti të premten do të qëndrojë për vizitë në Athinë. Në kumtesën e partisë thuhet se “kryetari Ahmeti dhe ministri i jashtëm grek Koxias do të shkëmbejnë mendime dhe ide rreth marrëdhënieve ndërfqinjësore, çështjeve të hapura midis dy vendeve dhe integrimit euroatlantik të Maqedonisë”. Megjithatë, Ministria e Jashtme e Maqedonisë këtë vizitë e ka cilësuar si partiake dhe se, siç thuhet në kumtesën e MPJ-së, s’ka të bëjë me vizitë qeveritare, raporton Portalb.

Kujtojmë se partia e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim është pjesë e pushtetit ekzekutiv.

Analistët e kontaktuar nga Portalb vizitën e Ali Ahmetit e cilësojnë si vetëmashtrim dhe si një shembull tipik se në Maqedoni Qeveria më tepër funksionon për interesa personale.

“Kokëfortësia e Ali Ahmetit se kinse bën diçka vazhdon. Vazhdon në dimensione të çuditshme. Kjo nuk është asgjë tjetër por vetëm një vetëmashtrim. Diplomacia e këtillë është e dëmshme për politikën shqiptare, për arsye se krijon ndasi të reja mes Greqisë dhe Maqedonisë. Më tepër është një manovër e Ali Ahmeti për nevojat interne se kinse bën diçka, në fakt është vetëm një “turizëm diplomatik””, theksoi për Portalb ish diplomati Alajdin Demiri.

Ndërkaq, për profesorin universitar Jove Kekenovskin kjo vizitë e Ahmetit dhe moskoordinimi i partive në Qeveri vërteton pushtetin e dyfishtë në Maqedoni.

“Ky fakt tregon se kjo Qeveri funksionon vetëm për interesa personale. Kjo tregon se kryeministër i shqiptarëve është Ali Ahmeti, ndërsa i maqedonasve Nikolla Gruevski. Që do të thotë se kemi pushtet ekzekutiv të dyfishtë dhe kjo qartë tregon se deri ku kanë arritur punët. Nuk mundet politika partiake të funksionojë kundër politikës shtetërore. Moskoordinimi i tyre tregon se secila anë bën matematikat e veta. Prandaj i shfrytëzojnë këto raste si marketing plus”, u shpreh për Portalb Kekenovski./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button