Veliaj: Nesër përmbytje në kryeqytet, shmangni lëvizjet

Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto dhe kryebashkiaku Erion Veliaj kanë inspektuar punimet e Unazës së Re. Ministri Haxhinasto tha se punimet po ecin me ritme të mira, por ai nuk la pa ngritur edhe problemin e shpronësimeve.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës veç shpronësimeve të banorëve, ngriti edhe një shqetësim tjetër. Ai u bëri thirrje qytetarëve që ditën e nesërme të shmangin lëvizjet nga ora 14.00 deri në orën 19.00, pasi pritet të ketë përmbytje në kryeqytet, transmeton Gazeta Shqip.

“Nesër parashikohet që të ketë përmbytje në Tiranë. Ndaj i kërkoj qytetarëve që të shmangin lëvizjet nga ora 14.00 deri në 19.00. Rreth 400 njerëz janë në terren duke punuar”, sqaroi ai.

Haxhinasto deklaroi se çështja e shpronësimeve kërkon ndërhyrje ligjore.

“Punimet janë duke ecur, do të dëshironim të ecnin edhe më shpejt. Ka disa vështirësi me të cilat do të përballemi. Çështja e shpronësimeve mbetet një problem i cili kërkon ndërhyrje ligjore dhe do ta realizojmë së shpejti, pasi heqja e këtij ngërçi do të na çlirojë nga shumë probleme që janë të trashëguara që në fillimin e projektit”, theksoi ministri i Transporteve.

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj theksoi se do të shpronësohen të gjithë banorët që preken nga projekti.

“Ju e dini shumë mirë që edhe 3 pllaka të shtrosh duhet të rrish te koka, jo më të realizosh një projekt që zgjidh një nga nyjet kryesore të trafikut dhe transportit në Tiranë. Kjo është arsyeja se pse po i rrimë te koka këtij projekti. Shpronësimet nuk bëhen as me paratë e ministrit dhe as kryetarit të bashkisë, por bëhen me paratë e taksave. Shpronësime që janë legalizuar dhe hipotekuar deri në vitin 2013 kryesisht mbi kolektorë, mbi telat elektrikë, që janë bërë në mënyrë të paligjshme”, deklaroi Veliaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button