Për Hasanin mbrojtja nga zhurma nuk është kundër objekteve fetare

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takime të ndryshme. Fillimisht, ai ka pritur në selinë e Kryesisë së BIK, Komisionin e Kuvendit të Kosovës për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural , Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, të kryesuar nga deputeti Nait Hasani- kryetar i Komisionit.

Në takim, Tërnava ka paraqitur vërejtjet e propozimet për projektligjin mbi zhurmën që tashmë ka kaluar në leximin e parë në Kuvendin e Kosovës.

“BIK gjithnjë ka qenë dhe do të mbetet e përkushtuar që të gjitha çështjet t’i zgjidhim duke debatuar dhe kërkuar zgjidhjet më të mira të mundshme me institucionet tona”, tha, përveç tjerash, Myftiu Tërnava.

Kryetari i Komisionit, Nait Hasani, nga ana e tij, e informoi atë për punën që ka bërë në komision, për projektligjin në fjalë, duke theksuar se projektligji për mbrojtjen nga zhurma nuk është kundër objekteve fetare, e as kundër bashkësive fetare, sikur, siç tha ai, “është trajtuar nga disa media dhe grupe të caktuara politike”.

“Ne jemi për bashkëpunim të hapur, të dëgjojmë dhe të pranojmë vërejtjet dhe sugjerimet e bashkësive fetare prandaj dhe jemi këtu, dhe më lejoni që në e emër të Komisionit t’ju ftojmë të mërkurën të merrni pjesë aktive si grup i interesit me propozimet tuaja konkrete”, tha Hasani.

Ndërkaq, Myftiu Tërnava ka pritur edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Grupi Parlamentar 6 + të kryesuar nga deputeti Rasim Demiri, që shoqërohej nga Duda Balje, Qerim Bajrami dhe Xhezair Murati, të cilët e çmuan angazhim e myftiut dhe të BIK në mbarëvajtjen e jetës fetare në vend, me theks të veçantë për kultivimin e frymës tolerante dhe bashkëpunuese me të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë.

“BIK është i përkushtuar që këtë frymë vëllazërore të bashkëpunimit në mes besimtarëve të shtyjë edhe me tej përpara”, tha Myftiu Tërnava.

Lajme të ngjashme

Back to top button