Rama: Reforma në drejtësi do të sjell tërmet

Reforma në drejtësi është kryefjala e mandatit qeverisës. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama në konferencën për mediat, e fundit për 2015, ku analizoi situatën ekonomike në vend, si dhe reformën në shëndetësi. Rama shprehu bindjen se konsensusi politik në lidhje me këtë reformë do të arrihet, ndërsa shprehu dakordësinë e tij edhe për rekomandimet e Komisionit të Venezias. Por Rama, tha se nuk e ka lexuar draftin e reformës në drejtësi. Këtë kryeministri e argumentoi me faktin që politika nuk duhet të përfshihet në këtë proces.

Gjatë konferencës së fundvitit, Rama hodhi poshtë pretendimet dhe kritikat të cilat u artikuluan së fundi edhe nga prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla se në këtë proces nuk pati gjithëpërfshirje.Rama foli për një ndryshim rrënjësor në sistemin e drejtësisë, një reformë që sipas tij nuk mund të quhet e tillë nëse nuk prodhon tërmet, tronditje për të sjellë modernizim.

“Reforma në drejtësi është kryefjalë e mandatit tonë dhe si kryefjalë është me një peshë shumë të madhe që prek shumë interesa dhe që nga ana tjetër domosdoshmërish duhet të prodhojë tërmet, një tërmet në të gjithë themelet e sistemit aktual të drejtësisë. Nëse nuk e prodhon këtë tërmet nuk është kryefjala e duhur. Kemi qenë të vetëdijshëm për vështirësinë e saj dhe për faktin që nuk ka pasur asnjëherë reformë ka ardhur sis rezultat i pengesës që ka krijuar politika, mungesë vullneti, eksperience, dije, dhe që besoj pas 25 vjetësh është një pengesë e kapërcyeshme me vullnet dhe me dijet e plota në këtë proces. Qysh në fillim kemi menduar se mund t’i sjellë vetëm ekspertiza, jo politika, është kthyer një proces që është shtrirë në kohë më shumë se një vit ka përfshirë që të gjithë, edhe ata që e mbrojnë, edhe ata që nuk flasin,e dhe ata që e godasin. Të gjitha institucionet, nga presidenti, te prokurorit, gjykata, avokat, noter, magjistratura, të gjithë kanë qenë të përfshirë në proces, kanë qenë të ftuar, kanë pasur ekspertët e tyre, pra përfshirja ka qenë e plotë. Ekspertiza e huaj ka qenë e plotë”, tha Rama.
Kryeministri tha se nuk e ka lexuar draftin e hartuar nga ekspertët e pavarur të nivelit të lartë, dhe këtë tha se e ka bërë me qëllimin për të shamngur ndërhyrjen e politikës në këtë proces të konsideruar kyc për integrimin e vendit tonë në BE. Rama tha se ndihej i suprizuar pozitivisht me dakordësinë që Partia Demokratike ndau me rekomandimet e Komisionit të Venezias, ndaj u shrpeh i bindur se në momentin e votimit të reformës pas tryezave publike që do të reflektojnë propozimet e Venezias, do të arrihet një konsensus që kryeministri e cilësoi “spaktakolar”.

“Politika nuk është përfshirë në këtë proces qëllimisht. Unë nuk e kam lexuar draftin e reformës, juve besojeni ose mos e besoni, nuk jam në dijeni, qëllimisht, sepse unë kam qenë i bindur, nëse në këtë proces do të hyjë unë, do të hyjë bashkëkryetari dhe kjo ka qenë dhe bindja e tij, do të hyjmë me grupe parlamente, me deputetë, vetëm do të pengojmë, jo nga mungesa e vullnetit por nga pamundësia për të dhënë gjykime në nivelin e nevojshëm të ekspertizës.

E kam thënë nuk ka konsensus politik të mundshëm për këtë reformë përveçse duke vendosur në distancë shumica dhe opozita që çelësin e konsensusit na e jep Komisioni i Venezias. PD u ndje më e lumtur se asnjëherë qëkur unë e mbaj mend në raport me diçka që i takon edhe palës tjetër dhe ju referua Venezias me superlativa që mund t’i referohesh vetëm një shpëtimtari të ardhur nga zoti. Bukuri perfekt, jemi në një fazë të re dhe kemi bërë një avancim fantastik. Kemi komisionin n e Venezias, kemi draftin, përputhim të dyja, votojmë reformën dhe bëjmë një konsensus spektakolar të pa imagjinuar në parafytyrimet e mia më optimiste. Politika nuk do shkojë në mënyrë robotike në parlament, vullneti ynë politik do të vendoset si investim i kërkuar nga publiku që na ka votuar mbi bazën e një drafti dhe dakordësie. Raporti i Komisionit të Venezias është baza”, u shpreh Kryeministri.
Rama tha se ka përpjekje për të përçarë shumicën në këtë proces, por shtoi se asnjë qëllim i tillë nuk do të ketë sukses.

“Unë besoj shumë që ne do t’ia dalim dhe asnjë përpjekje e çfarëdolloj për të carë shumicën në këtë proces nuk do të ketë sukses. E them sepse ka shumë përpjekje në këtë drejtim, nuk do të kenë sukses, reformën në drejtësi do ta bëjmë së bashku por ne si shumicë nuk do të shkelim asnjë parimësi dhe nuk do të bëjmë asnjë kompromis për të reduktuar pushtetin e drejtësisë dhe efektin tronditës që kjo reformë do të ketë. Pa një tronditje nuk ka modernizim. Ky është një pushtet i korruptuar dhe kriminal në kuptimin e plotë të fjalës. Reforma shikohet si një formë tronditëse që do të sjellë burgosjen dhe pak kush e shikon si bazën mbi të cilën do të ngrihet një sistem modern dhe i pavarur që do t’u shërbejë atyre që nuk gjejnë drejtësi për pronën e tyre”, tha Rama.

Shërbimi falas nga mjeku i familjes

Nga viti i ardhshëm pritet të fillojë shërbimi shëndetësor falas tek mjeku i familjes. Premtimi është bërë nga Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së tij të fundvitit.

“Lajmi i ri dhe lajmi i mirë tek shëndetësia është se vitin e ardhshëm fillon shërbimi shëndetësor falas tek mjeku i familjes. Nuk do të ketë më asnjë tarifë, asnjë pagesë për mjekun e familjes. Bazuar tek projekti ynë i madh kombëtar i check-up-it falas për 870 mijë qytetarë të moshës 40-65 vjeç që e përfitojnë këtë kontroll shëndetësor çdo vit, ne iu kemi kursyer qytetarëve 45 milionë dollarë.

Këtë shifër ta shënojnë dhe ta mbajnë mend mirë të gjithë ata që janë vërsulur në mënyrë barbare kundër këtij projekti dhe që e kanë përfshirë në listën e shënjestrave për të gjuajtur me baltë.

Nga ana tjetër, për herë të parë kemi vendosur bazën për të pasur atë që çdo shtet normal e ka prej shekujsh apo prej dekadash, atë që ne na mungon; një panoramë të gjendjes shëndetësore të popullsisë dhe një instrument për të identifikuar në kohë probleme që janë në zhvillim dhe që mund të parandalohen dhe për të përcaktuar edhe gjithë profilin e politikave dhe shpenzimeve në shëndetësi.

Nuk po zgjatem me çmime te barnave që janë konsoliduar përfundimisht në minus 30%, krahasuar me dy vite më parë, dhe një ulje prej të cilës përfitojnë drejtpërdrejtë qytetarët, ashtu sikundër përfitojnë dhe 70 milion dollarë, ose 100 dollarë për familje nga heqja e taksës për ilaçe.

Dy vjet më parë taksohej çdo aspirinë. Këto janë para që ne kemi parapëlqyer ti lëmë në xhepat e qytetarëve dhe jo ti marrim me taksa në buxhetin e shtetit. Ka një gamë të tillë masash lehtësuese që kanë rritur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe sigurisht kanë ulur masën e parave të mbledhura në buxhetin e shtetit.

Dua të nënvizoj dhe një fakt tjetër të panjohur, që gjatë këtij viti është forcuar shërbimi i urgjencës. Mbetet një sfidë shumë e madhe, pasi kemi ende një urgjencë shumë të prapambetur. Kemi kryer 400 fluturime shpëtimi më shumë se sa në vitin e kaluar apo në vitet e tjera që as nuk mund të bëjmë asnjë krahasim”, tha Rama.

Rritja ekonomike mbi 3 %

Duke folur për ekonominë, Kreu i Qeverisë, tha se qeveria synon që vitin tjetër rritja ekonomike të shkojë përtej 3%. Ai tha se Qeveria ka paguar 600 milion dollarë borxhe të prapambetura dhe të fshehura nga qeveria e shkuar. “Duke e nisur me ekonominë, që është edhe pjesa që ju intereson drejtpërdrejtë dhe më shumë të gjithëve, por që është edhe pjesa më e vështirë pasi ndërthurr brenda të gjithë komponentët e tjerë, dua të them se kemi realizuar objektivin për të vazhduar rritjen e vazhdueshme dhe jemi besimplotë se viti i ardhshëm do të jetë viti i një kapërcimi përtej 3% të rritjes ekonomike.

Nga ana tjetër, pikërisht sepse jemi në një proces ku reformat kanë filluar të japin rezultate, ia kemi dalë të zerojmë taksën për 83500 biznese të vogla me xhiro vjetore deri në 50 milionë lekë, si dhe të përgjysmojmë taksën për 15 900 biznese të tjera me xhiro vjetore 50-80 milionë lekë, rezultat i drejtëpërdrejtë i operacionit kundër informalitetit, që na ka dhënë arsye shumë të forta për të qenë të inkurajuar fuqimisht në vazhdimin e këtij procesi shtetndërtues. Kemi shlyer mbi 600 milionë dollarë borxhe të prapambetura dhe të fshehura nga qeveria e kaluar në të gjithë sektorët për punë apo shërbime të kontraktuara, punë publike, arsim, energji, transport, kulturë, bujqësi, drejtësi, e me radhë. Si dhe kemi shlyer të gjitha borxhet e akumuluara dhe të fshehura ndaj njerëzve në nevojë”, tha Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button