Dy kryetarë

“Çka, çka”? pyeti tërë kureshtje Kunejsi duke e kthyer kryet kah Abdymutalipit dhe Talhai që bisedonin krye më krye në tavolinën pranë tavolinës së Kunejsit në çajtoren plot tym të lagjes, kurse Talhai e ngriti zërin kur e përmendi fjalën “parti”, që ta nxiste Kunejsin.

“Kurrgjë, kurrgjë”… ia ktheu Abdylmutalipi, i cili ia kishte kurdisur bashkë me Talhain një shaka, se e dinin që ai “e ha” lehtë nga shkaku se ngado që shkon Kunejsi imponohet me muhabete partish. Kryet e jep pas partive, thonë për të.

“E dëgjova kur the: parti”…  tha Kunejsi.

“Po, thashë, e përmenda… Po s’është gjë për të qenë o Kunejs. Meqë je interesuar, urdhëro ulu pranë nesh. Ne jemi miq. E di se prej teje nuk del fjala”…
Kunejsi u ngrit menjëherë, me padurim e tërhoqi një karrige dhe  u ul pranë Abdylmutalipit dhe Talhait.

“Hë”, ç’ishte ajo “parti”, nuk u durua Kunejsi.

“Ja le të tregojë Talhai”, i tha Abdulmutalipi. Talhai e nxori pakon me cigare dhe ia zgjati Kunejsit. Kunejsi e mori, e ndezi dhe tha:

“Hë, Talha. Fol”.

Talhai e kruajti pak ballin mbi vetull, mori një pamje serioze, thuajse po bëhet kushedi e se çfarë. U ndal pak, ia afrua Kunejsit dhe, sikur “në besim”, por “edhe mos ta dëgjojnë të tjerët” i tha:

“Dëgjo Kunejs, Mugbili me shokë kanë vendosur ta bëjnë një parti të re. Por… të lutem mos të dalë kjo fjalë prej nesh”. Kunejsi i rrudhi vetullat dhe buzëqeshi hidhur. Atij nuk i erdhi mirë.
“Kush është Mugbili”, mendoi ai, që të formojë parti. Ai pëllumbaxhiu…” tha vet me vete, pastaj iu dridh buza. I shkoi me shikim çajtores anë e kënd, po nuk i bënë përshtypje kornizat e shumta me arabeska, për të cilat njerëzit mendojnë se kanë thënie nga librat e shenjtë, por njëri që e ditka arabishten mirë paska thënë se në to shpeshherë shkruan: “ndalohet duhani”, “mos pështyni në dysheme” e kështu me radhë. Kunejsi nuk e pa as kur ia sollën çajin dhe as që do ta kishte pirë po të mos ia kishte tërhequr vërejtjen Abdylmutalipi:

“Kunejso, – t’u ftoh çaji”. Pastaj Kunejsi e piu me dy gllënjka. U ndal të rrijë edhe pak sa mos të thonë  “se ja iku Kunejsi”. Po s’u durua shumë.

“Ej”, tha, “ika unë. Kam do punë. Ditën e mirë”.

“Ditën e mirë”, ia kthyen. Kuptohet më se çfarë komentesh të shoqëruara me të qeshura bënë Abdylmutalipi dhe Talhai. “ E hëngri”, thanë duke i fërkuar duart prej gëzimit, “e hëngri”…
Kunejsi shkoi në shtëpi, u ul mbi hambar se ishte verë, nxehtë, kurse aty e kishte më freskët dhe flladitej nga flaka që po ia pushtonte shtatin.

“Ap, dadën” shpërtheu  Kunejsi duke ecur me hap të shpejtuar: “Mugbili”! “Ja, na që do ta bëjë partinë ai”, tha me zë dhe e preku nën bërryl krahun e çuar lart. Veçanërisht iu çrregulluan pasionet dhe pulsi. Ndjenjat sikur iu ngjyen në ndonjë lëng me speca djegës dhe me hithra, kurse pulsi i shkoi thuajse deri në njëqind të rrahura. “Mugbili”!, ky emër që s’kishte ndonjfarë peshe për të përnjëherë iu bë i urryer. Pastaj emri i Mugbilit shkonte duke iu përsëritur thuajse ia sillte jehona nga gryka e malit që e kishte përballë, i vinte sikur po ia thoshte me zë të lartë Talhai: “Mugbili, Mugbili, Migbiliiii”!…
Pastaj Mugbili i dilte në poza të ndryshme: duke dalë para foltores, duke u ulur në kolltuk, duke ia hapur derën shoferi, duke pirë kafe me një femër të bukur, sekretareshë personale me mini fund, duke u futur në shtëpinë e tij të re që tash i shfaqej si një vilë luksoze. Pastaj përsëri tha plot vrer: “Mugbili”! Pastaj deshi t’u ikte këtyre mendimeve që e lodhnin dhe nga të cilat nuk i kishte hetuar mizat të cilat ishin mbledhur me shumicë rreth tij sepse dikush para tij kishte ngrënë shalqi dhe nuk ishte mërzitur ta fshijë lëngun e derdhur dhe farat e shpërndara në çardak, ku u ul ta qetësonte veten. U ngrit, e futi njërën dorë në xhep, me tjetrën duke u mbajtur për parmakun e shkallëve zbriti dhe doli. U soll njëherë lagjes e pastaj shkoi te Qazimi, një njeri me të cilin shpeshherë ndërronte ndonjë fjalë. Shok s’e kishte Qazimin. Sepse Kunejsi s’ka asnjë shok, por Qazimi ishte i qetë, i përmbajtur dhe do ta bisedonte me të. Qazimi, si i thotë edhe emri, nuk tha gjë të veçantë, por qetas i tha:

“Më fal Kunejs, nuk dua të përzihem në punë partiake. Nuk e dua politikën”.

“Të kuptoj”, tha Kunejsi i pakënaqur, por shtoi: “Mos të dalë kjo fjalë prej meje”.

E shoqja e Qazimit e dëgjoi bisedën nga dera e hapur derisa e përvëlonte çajin në çardak, të cilën e shfrytëzonin si kuzhinë ndihmëse. Ajo mezi priti të largohej Kunejsi dhe doli te fqinja.

“Nedime, oj Nedime”! i bëri zë fqinjës. “A je aty, moj”?

“Hyr, hyr”! ia ktheu ajo. “Këtu jam… I kam duart në brumë”.

Nedimja i tregoi asaj se me veshët e vet kishte dëgjuar se edhe Mugbilit i kishte ardhur radha të formojë parti. “Qazimi im”, tha ajo, “u mbyt duke ndenjur mbi gazeta – e kurrgjë. Tash Mugbilin, atë pëllumbaxhiun, do ta shohim me sahat me qostek, do t’i lëshojë edhe mustaqet, do të bredhë me Mercedes. Po”, shtoi “mos të dalë kjo fjalë prej meje”. Këto fjalë Nedimja ia përcolli fqinjës tjetër Redifes, Redifja Teusiles, Teusilja Xhelaes dhe tjetra tjetrës, gjithmonë duke porositur njëra-tjetrën që “kjo fjalë mos të dalë prej meje”. Por fjala s’është e rehatshme, kështu që shkoi derë më derë e shtëpi më shtëpi, mori dhenë dhe i ra në vesh të shoqes së Mugbilit, Zejnepit.

“O njeri” i tha Zejnepi të shoqit, “si munde ta bësh atë punë, pa më treguar”.

“Çfarë pune”? pyeti Mugbili.

“Po do të bësh parti. Gjithë bota e di. Unë jam e fundit. Unë qenkam bira e fundit e kavallit për ty. Këtë s’e paskam ditur, e as që e kam pritur prej teje”, tha ajo e përlotur, doli nga dhoma duke e përplasur derën.
Mugbili u habit.
“Kush e tha këtë, kush e shpiku, nga erdhi kjo fjalë. Unë të bëj parti?! Iu kujtua Kunejsi që kishte ardhur ta bisedonte këtë punën e partisë…”? Pastaj doli e thirri të shoqen të flasë me të, por ajo s’u përgjigj. “Zot o zot”, bëri Mugbili vet me vete.

Dhe, derisa Mugbili merrej me të shoqen, njerëzit e lagjes e komentonin dhe e analizonin nëpër çajtore dhe nëpër ndeja punën e partisë që po e formonte Mugbili.
Të nesërmen disa njerëz ia mësyen derës së Mugbilit.

“Mugbil, o Mugbil” e thirrën.

Ai doli. I ftoi brenda, si e do zakoni i vjetër, por ata i thanë se s’ka kohë, se e presin njerëzit, se është mbledhur këshilli iniciues, se janë bërë të gjitha dokumentet gati, nënshkrimet dhe gjithë çka duhet. Mugbili ishte krejt i habitur, në një anë e kishte trullosur gruaja, në anën tjetër ia morën mendtë këta njerëz që e ngutnin. Nuk arriti të pyesë se çfarë këshilli iniciues, për çka, pse. Shkoi pas tyre pa fjalë. Dhe, atje u tha e u bë. Në mbledhje u vendos që Mugbili të jetë kryetar. Kot u mundua i shkreti Mugbil të kërkojë shpjegime, të bëjë diçka.

Derisa shkonte në shtëpi Mugbili ndjehej keq, e ndjente një zbrazëti në shpirt, kurse në gojë – një hidhëti, sepse nuk kishte shpjegim për gruan që u hidhërua nga lajmi se burri i saj po bëhej kryetar partie, pa dijeninë e saj. I shkreti Mugbil nuk ishte shpjegim as për vete.

Kunejsin, nga ana tjetër e lagjes, atë natë s’e mori gjumi. U ngrit herët të nesërmen dhe e kërkoi Abdylmutalipin dhe Talhain. Të flasë me ta për gabimin që kishin bërë duke bërë një parti me një kryetar të gabueshëm. Nuk e gjeti asnjërin, as Abdylmutalipin, as Talhain. Pastaj shkoi te kushërinjtë e tij të shumtë, i mblodhi të gjithë. Foli e çka s’foli për Mugbilin. Keq e më keq.

“Pse po flet për Mugbilin kështu”? E pyetën ata.

“Do të bëhet kryetar i partisë së re”?

“Si bre? Mugbili”?

“Po, po”…

“Po halli”?

“Halli… Lehtë. E bëjmë edhe ne sot një parti”.

“Po kryetar”? e pyetën kushërinjtë. “A mos do ti të bëhesh kryetar, Kunejs”.

“Jo”, tha Kunejsi. Kryetar do ta bëjmë Abdylhakiun. Më mirë është për ne. Abdylhakiu kryetar – unë do të rri prapa tij, si hije. Si të themi ne, ai s’ka çare pa bërë. Se ne jemi këshilli iniciues”.

Dhe, ashtu u bë.

Në fund gruaja e Mugbilit e la Mugbilin, por Mugbili e fitoi një sekretareshë, një veturë. Dhe, kurrë më nuk e mori vesh se si shkonte çmimi i benzinës, i telefonit celular, i rrobave, kollareve… Ato i binin prej reve. Me kohë iu mbush mendja se ish merita e tij për gjithë këtë mbushullim që e mbuloi. Nuk e dinte kush sëmuret e kush vuan për bukë.

Kunejsi shkonte pas Abdylhakiut dhe të dytë bënë nga një shtëpi në mes të lagjes.
Njerëzit i shanin nëpër çajtore Mugbilin, Abdylhakiun dhe Kunejsin, por kur i shihnin në kafene, kurrë nuk i linin të paguajnë. “I respektonin”.

Midis atyre që paguanin ishin edhe Qazimi, Abdylmutalipi  dhe Talhai. Qazimi më së shumti.
Talhai një ditë iu afrua Kunejsit.

“Zotëri Kunejs”… Kunejsi e vuri gishtin pranë kapakut të poshtëm të syrit dhe bëri: “majc”!
Mugbilin dhe Abdylhakiun s’i pa kush më të dalin në çajtore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button