Si po e lë viti 2015 Tetovën, ja çfarë thonë tetovarët

Për qytetarët e Tetovës, viti që po e lëmë pas nuk është viti që ata e dëshiruan të jetë. Portalb, anketoi disa qytetarë në lidhje me atë se çka e karakterizoi Tetovën sipas tyre në vitin 2015 dhe çka presin të ndryshojë në vitin 2016. Shumica e të anketuarve i radhitën pothuajse problemet identike me të cilat janë përballur përgjatë këtij viti.

 “Për dallim prej viteve tjera , 2015 u karakterizua me vetdisimin e qytetarëve në lidhje me atë se për problemet e tyre vetëm ata mund të bëjnë ndryshimin. Tetova u përpoq që të aktivizohet dhe të ngrejë zërin për problemet e saj edhe pse duhej që të ballafaqohemi me situata kritike për ti hapur sytë. Vlen të përmenden përmbysjet në malësi dhe ndotja e ajrit që edhe pse do ngelen si pika të zeza në ngjarjet e këtij viti, ishin ngjarje që na shërbyen si alarm zgjimi nga pasiviteti. Shpresoj se 2016 do të ndryshoj kursin e ngjarjeve negative”, tha Dokleata Qamili.

Ndërsa Fitim Beqiri tha: “2015 do ta quaja si vit jo të mirë për Tetovën. Vet fakti se protestojmë për ujë dhe ajër, tregon fotografinë e qartë që sipas mendimit tim e përshkruan vitin që po e lëmë pas. Ndërsa 2016 e shoh si vit ku duhet reflektuar sa më shumë për të mirën e Tetovës”.

“Tetova në vitin 2015 ka pasur disa zhvillime në aspektin infrastrukturor. Me vendosjen e parkingut zonal është rregulluar sadopak komunikacioni rrugor. Krahas këtyre të mirave ka edhe mungesa në disa sfera në të cilat është dashur të investohet duke filluar nga uji i pijshëm, mungesa e bibliotekës, teatrit, investime këto që ngelem me shpresë se do të përfundojnë në vitin 2016”, tha Shaqir Zulbeari duke shtuar:  “meqenëse unë jam absolvent i mjekësisë, mendoj se nëpër spitale duhet investuar ende më shumë ndonëse ka pasur investime si ndërtimi dhe hapja e qendrës në të cilën kryhen tomografi, koronarografi të cilët u shërbejnë mjaft qytetarëve të Tetovës”.

“Viti 2015 për tetovarët konsiderohej si viti i pritjes së kthimit të shpresës për një jetë më të mirë… Tetova do të mbahet mend si qytet më i ndotur në botë. Gjithashtu vera e 2015 për tetovarët do të ngel në kujtesë si vera e vërshimeve të mëdha në malësinë e Tetovës, që morën me vete edhe jetë njerëzish”, tha Gëzim Sulejmani.

Bujamin Beqiri i pyetur se çka e karakterizoi Tetovën në 2015 sipas tij dhe çka pret në vitin 2016, tha:  “Po t’i klasifikojmë ngjarjet e 2015 problemi i ajrit zë vend në temat kryesore, në problemet kryesore. Është momenti i fundit që duhet të ndërmerren masa konkrete, përndryshe shifrat e të sëmurëve me kancer flasin keq. Problem tjetër është edhe vonesa e rikonstruimit të stadiumit të qytetit. Mendoj se tetovarët e meritojnë që në 2016 t’i kenë gjërat elementare, nuk kërkojmë shumë ama të paktën t’i gëzojmë të mirat që na i fali Zoti”.

Ndryshe, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ditën e hënë (28.12.2015), mbajti një konferencë për shtyp ku si qëllim pati  prezantimin e punëve gjatë vitit 2015.
Kryetarja Arifi deklaroi se Komuna e Tetovës trashëgon një sërë problemesh nga qeverisjet e kaluara. Ajo theksoi se qyteti ynë nuk hy në grupin e qyteteve model për nga dinamika, infrastruktura, bulevardet, parqet…

Kryetarja Teuta Arifi, preku edhe çështjet jetike si ndotjen e ajrit dhe ujin e pijshëm.

“Komuna e Tetovës ka ndërmarrë të gjitha masat në kuadër të kompetencave të saja ligjore për të zbutur situatën e ndotjes enorme të ajrit ambiental dhe që qëndrojmë pas kërkesës tonë si komunë dhe kërkesës së qytetarëve tanë që qeveria si subjekt me kompetencë ligjore ta zgjedh problemin që ka krijuar me vazhdimin e lejes për punë te fabrikës Jugokrom në komunën e Jegunovcës pa filtra mbrojtës” tha Arifi.

Ndërsa për problemin e ujit të pijshëm, kryetarja e Komunës së Tetovës deklaroi:
“Projekti i ujësjellësit të Tetovës gjendet në fazën përfundimtare”, ajo më tej shtoi “sipas dinamikës së paraparë pritet të mbarojë në vjeshtën e vitit 2016”.

Në konferencën për shtyp kryetarja Arifi përmendi edhe çështjen e parkimit zonal, për këtë projekt ajo tha: “në vitin 2015  në bulevardin Iliria dhe Ilinden, filloi të implementohet me sukses projekti i parkimit zonal”.

LEXO: Teuta Arifi: nuk kemi shkop magjik për problemet

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button