Sulmi në krizë, ndryshon Shqipëria

Kombëtarja shqiptare mund të pësojë ndryshime të mëdha në eliminatoret e ardhshme për “Francë 2016?. Aktivizimi i paktë i disa lojtarëve, si dhe paraqitja bindëse e disa të rinjve, pritet të ndryshojnë edhe 11-shin titullar të kuqezinjve.

Këtu bën përjashtim vetëm porta, ku Etrit Berisha, megjithëse është rezervë te Lazio, mbetet i padiskutueshëm në katërkëndëshin e Shqipërisë. Ndërsa Samir Ujkani, Tomas Strakosha, Olsi Teqja dhe Entonio Elezaj pritet të jenë rezervat kuqezi.

Lorik Cana dhe Mërgim Mavraj janë dy lojtarët e “salduar” nga De Biazi edhe për edicionin e ardhshëm. Presion të vazhdueshëm mbi ta do të ushtrojë Loret Sadiku, i cili ka një potencial të madh për të ardhmen. Pritet largimi i Armend Dallkut dhe në vend të tij mund të aktivizohet Taulant Xhaka, i cili pak ditë më parë u pajis edhe me pasaportë shqiptare. Në të majtë Ansi Agolli vazhdon të ketë besimin e trajnerit italian, ndërkohë që si alternativa janë Elseid Hysaj e Renato Arapi.

Migjen Basha dhe Ergys Kaçe pritet të jenë dyshja para mbrojtjes. Këto janë pa dyshim edhe pozicionet ku konkurrenca është tej mase e ashpër, sepse për një vend titullari luftojnë edhe Amir Abrashi, Vullnet Basha dhe Ervin Bulku. Krahët e mesfushës mund të pësojnë ndryshime të rëndësishme. Sipas panorama sport, Odise Roshit i rrezikohet seriozisht vendi nga Andi Lila. Mbrojtësi kavajas pëlqehet shumë për disiplinën taktike në fushë, për potencën dhe grintën. Humbet pikë në fazën sulmuese, por jep më shumë siguri në fazën mbrojtëse. Ndërkaq, nga krahu i majtë mund të luajë Ermir Lenjani dhe jo Valdet Rama. Ky i fundit pritet të spostohet si fantazist i mirëfilltë pas qendërsulmuesit, por nuk përjashtohet mundësia që në ndeshje të caktuara të luajë vetëm si sulmues, i mbështetur nga Alban Meha.

Shumë ndryshime pritet të ndodhin në ekipin përfaqësues për shkak të krizës së sulmuesve. Edgar Çani nuk luan te Karpi në Serinë B. Hamdi Salihi ende nuk ka gjetur ekip të ri, ndërsa Armando Sadiku është shumë pak për të përballuar një sezon. Për këtë motiv, trajneri i Kombëtares, De Biasi, po e modifikon mesfushën, me qëllim që të krijojë një sistem loje 4-4-1-1, që mund të konvertohet brenda ndeshjes edhe në 4-1-4-1 ose edhe 4-4- 2. Në “nxemje” gjatë gjithë kohës pritet të jenë Ahmed Januzi dhe Edmond Kapllani. 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button