DROMCA PËRDITSHMËRIE

Shënimet e mëposhtme janë dromca përditshmërie, të shkruara pa ndjenjën se do të botoheshin ndonjëherë. Nuk është keq të provohet që të flitet me fragmente. 

***

Ne ajrin e thithim, ka që e shesin.

***

Fabrika e vdekjes nuk tregon se çfarë djeg: s’do që të na shqetësojë.

***

Qeveria kujdeset për ne: lejon helmimin e ajrit që të na shkurtojë brengat dhe vuajtjet.

***

Mbase ajri ndotet për emancipim qytetar: të krijojmë vetëdije ekologjike në prag të inkuadrimit në BE.

***

Një deputete ka bërë zbulim në derdimenologji. Sipas saj ndotja bëhet prej qytetarëve që djegin goma për t’u ngrohur. Zbulim i mendjes së fshirë me gomë.

***

Burrat merren me të ardhmen, kurse fëmijët protestojnë për pak frymë. Torturoje një fëmijë dhe ja martiri i ardhshëm…

***

Premtim në fushatën e ardhshme zgjedhore: Do t’u sigurojmë ajër të pastër 24 orë në ditë! Mjegullën e kemi falas.

***

Sot desha të mbjell një fidanë, por nuk gjeta gazetarë për të dhënë lajmin…

***

Dikush tha: politikanët nuk japin dorëheqje, sepse e ngatërrojnë dorëheqjen me këputjen e dorës.

***

Shpallje: Shesim rrena të vjetra me çmim më të lirë se sa rrenat e reja. Cilësia e garantuar…

***

Njëra palë thotë se pushtetari foli marrëzira. Pala kundërshtare thotë se opozitari foli marrëzira. Të dyja palët kanë të drejtë.

***

Një parti i ndërron shpesh kryetarët. Nuk ka krizë kryetarësh, por anëtarësh.

***

Flet për reforma dhe për ardhmëri të ndritur. Po futja një reformë kësaj rruge pa drita e asfalt, se u lodhëm duke e përjetuar mesjetën në shekullin tonë!

***

Ne ecim drejt progresit. E ardhmja është e jona. Vdiqëm për pak të tashme…

***

Kemi shumë vizionarë sa nuk e ndjejmë të sotmen.

***

Me vite u munduan për tre përmendore. Brezat e ardhshëm do t’u ngrenë përmendore për përpjekjet mbinjerëzore…

***

Qeveria ua rrit rrogat gjykatësve dhe prokurorëve. Do të kenë shumë punë.

***

Politikanët janë dorëlëshuar kur paguajnë nga buxheti. Nëse nesër do të kenë punë me gjykatat nuk do të paguajnë nga xhepi. Punë me vizion.

***

Shteti jep kredi për shtëpi me kushte të favorshme, nëse keni rroga mbi 900 euro. Urdhëroni zyrtarë të lartë të shtetit! Mos i harxhoni paratë e gatshme!

***

Nuk dimë çfarë ndodh me situatën politike. Nuk janë prononcuar manekinet.

***

I dështuari në politikë përfundon si analist, pedagog ose si këshilltar.

***

Analistët i analizojnë ngjarjet që do të ndodhin. Lexuesit i analizojnë analistët. Shkrimet nuk i lexon askush.

***

Çdo shkrim e lexon mbrapsht. Të dish 36 germa nuk do të thotë se di të lexosh.

***

Kohë statistikash e sondazhesh: ka rënie në rritje ose rritje në rënie…

***

Dhe i dëshpëruari tha: kur e shet votën për 10 euro, e blen vendin e punës për 5 mijë euro…

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button