Me doktoratura, magjistratura dhe fakultet, të rinjtë e Tetovës mbeten rrugës
Për shkak të krizës ekonomike dhe mungesës së tregut të punës, Tetova ballafaqohet me problemin e madh të papunësisë së të rinjëve, shumica prej të cilëve me shkollim sipëror, madje dhe me magjistratura e doktoratura.
Të rinjtë e papunësuar shprehen skeptikë për Portalb, lidhur me përmirësimin e kësaj gjendjeje, ndaj shpëtimin e shohin në ikjen nga vendi dhe mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje në shtetet perëndimore.
Sipas statistikave të Agjencionit për punësim në Tetovë, numri i përgjithshëm i të papunëve në komunën e Tetovës, të cilët paraqiten në mënyrë të rregullt në Agjencionin për punësim është 13.277 persona.
“Tetova ballafaqohet me problemin e madh të papunësisë dhe ne si institucion e kemi obligim t’jua lehtësojmë kërkimin e punës të gjithë të interesuarve për të. Ka edhe një grup tjetër të papunësuarish, numri i të cilëve është 4.663, që paraqiten për punë herë pas here dhe ne ndaj tyre nuk kemi obligime” thotë për Portalb, drejtori i Agjencionit për punësim në Tetovë, Goran Jovanovski.
Po japim në vijim tabelën e kualifikimeve të tetovarëve që kërkojnë punë në Agjencionin për punësim dhe atë me përkatësinë e tyre nacionale:
Përgatitja shkollore e atyre që kërkojnë punë: | Numri | Përkatësia nacionale atyre që kërkojnë punë: | ||
Me shkollim fillorë | 6.719 | Shqiptarë | 9.514 | |
Me shkollë të mesme të paplotë | 1.191 | Maqedonas | 3.308 | |
Me shkollë të mesme | 3.735 | Romë | 256 | |
Me shkollë të lartë | 140 | Turq | 104 | |
Me fakultet | 1.420 | Të tjerë | 95 | |
Me magjistraturë | 69 | Gjithsej: | 13.277 | |
Me doktoraturë | 3 | |||
Gjithsej: | 13.277 |
“Problemi i papunësisë mund të analizohet në shumë segmente. Mirëpo shikuar nga këndvështrimi im, Maqedonia nuk ka kapacitet për numrin e madh të studentëve që ka. Këtu mendoj se qëndron problemi real sepse në tregun e punës dalin gjenerata të tëra të diplomuarish që nuk gjejnë dot sistemimin adekuat”, thotë për Portalb, Jusuf Ajredini jurist i diplomuar.
“Problemi është se ka shumë të diplomuar ndërsa vende pune ka shumë pak. Edhe ato vende të pakta të punës për mendimin tim i zënë njerëzit jo profesional”, tha studenti i shkencave kompjuterike Arben Haziri.
Ibrahim Ibrahimi student i shkencave politike tha: “Fajin kryesor për numrin e madh të të papunëve e ka politika jo-funksionale”.
“Papunësia mbetet një plagë e përhershme, sidomos e shoqërive që kalojnë periudhë të stërzgjatur të tranzicionit, siç është rasti edhe me Maqedoninë. Ajo i adresohet mungesës së zhvillimit ekonomik dhe gjendjes së përgjithshme të mjerueshme që mbretëron në shtet në të gjitha dimensionet e saj. Maqedonia gjatë kohë po e vuan këtë tranzicion të përhershëm, por edhe politikat dështuese, që më tepër janë propaganduese se sa realisht janë në funksion të krijimit të vendeve të reja të punës. Padyshim, që plaga e papunësisë mban vulën e politikave jo zhvillimorë. Sigurisht që kjo dukuri ndërlidhet edhe me një suazë më të gjerë të proceseve integruese dhe klimës së biznesit, që pamundësojnë hapjen e tregjeve, investime kapitale dhe lëvizjen e lirë të resurseve njerëzore. Gjithë këto barriera dhe kjo mbyllje krijon ambient të disfavorshëm për uljen e papunësisë” thotë për Portalb, Bardhyl Zaimi – publicist. /Portalb.mk