Në Tiranë u mbajt konferenca shkencore “Lëvizja Studentore e dhjetorit, 25 vjet pas”

Nën organizimin e drejtpërdrejtë të ish-studentëve më të spikatur të Lëvizjes historike të dhjetorit në Shqipëri, prof. dr. Shenasi Rama, Akli Fundo, Arben Lika, Arben Sulo, Myftar Gjana, më 12 dhjetor 2015, në njërën nga sallat e hotelit “Tirana”, në Tiranë u zhvillua konferenca kombëtare për kontributet e Lëvizjes së dhjetorit, kur studentët shqiptarë i dhanë fund regjimit diktatorial.

Në këtë konferencë shkencore morën pjesë shkencëtarë shqiptarë, si prof. dr. Mirela Bogdani, Universiteti i Tiranës; prof. dr. Shenasi Rama, Universiteti i Nju-Jorkut; prof. dr. Afrim Krasniqi, Universiteti i Tiranës; Fred Abrahams, dr. Llukman Halili, nga Instituti Helvetik për Studime i Evropës Juglindore; Grid Roji, Universiteti City i Nju-Jorkut; dr. Valbona Karanxha, Universiteti Yale etj.

Me kumtesat e tyre në këtë Konferencë u shquan prof. James Pettifer, nga Universiteti i Oxfordit; dr. Luisa Chiodi, Qendra Studimore për Ballkanin dhe Kaukazin; Miranda Vickers, Grupi Ndërkombëtar i Krizave. I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe mr. sci. Dashnim Hebibi, Instituti Helvetik për Studime i Evropës Juglindore. Por, vlen të veçohet kumtesa komparative e dr. Llukman Halilit, me titull: “Studentët shqiptarë të Zagrebit dhe Lëvizja studentore kroate e vitit 1971”.

Në auditor diplomatë, studiues, si edhe miq të veçantë nga dhjetori ‘90. Gjatë konferencës u zhvillua debat për modelin e tranzicionit në Shqipëri, ndikimet e ndryshimeve të 25 vjetëve më parë, për raportin me elitat politike, me lëvizjet në vendet e tjera ish-komuniste, me konceptet e shtetit dhe kombit, me modelet studentore 1968, 1981, 1971, si dhe 1997 në Kosovë, si dhe tema të tjera plotësuese në një debat profesional.

Gjithashtu, me rastin e 25-vjetorit të Lëvizjes studentore 1990-1991 në Shqipëri, pas shumë aktiviteteve të ndryshme që po organizohen në mbarë vendin në lidhje me këtë ngjarje historike, më 11 dhjetor 2015 u promovua edhe libri në gjuhën kroate i doktorit të shkencave nga Tërnoci i Bujanocit, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, dr. Llukman Halili, me titull: “Lëvizja studentore dhe tranzicioni i Shqipërisë, 1990-1991”, i cili u vlerësua nga të pranishmit. Me disa fjalë të pranishmit i përshëndeti edhe vetë autori, ndërsa prof. dr. Shinasi A. Rama e rrumbullakoi me disa fjalë gjithë materialin që ka përdorur z. Halili në kohën e protestave, gjersa ishte edhe në cilësinë e gazetarit. Salla ku u mbajt ky promovim në hotelin “Tirana” ishte e përmbushur.

Në këtë eveniment, profesor Shinasi A. Rama ua dhuroi të pranishmëve edhe dy librat e tij më të rinj, kushtuar ngjarjeve të protestave të viteve 1990-1991. /j. f./

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button