Kosovë, arrestohet deputeti i opozitës Pal Lekaj

Seanca plenare e Parlamentit të Kosovës e ndërprerë paradite për shkak të hedhjse së gazit lotsjellës nga deputetët opozitarë, Glauk Konjufca i Vetëvendosjes dhe Pal Lekaj i AAK-së, ka vazhduar rreth orës 14:00 por pa praninë e deputetëve opozitarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pavarësisht se në mbledhjen e kryesisë së parlamentit u mor vendimi për mos suspendimin e 6 deputetëve opozitarë, Ilir Deda, Fisnik Ismajli, Faton Topalli, Mytair Haskuka, Valdete Bajrami dhe Besa Baftiu, megjithatë, ata ishin penguar nga sigurimi policor i parlamentit që të futen në sallën alternative në katin e pestë.

Pas ndalesës që edhe këta deputetë opozitarë të marrin pjesë në seancë, ata janë shprehur se nuk e kanë në plan të futen me dhunë dhe se e tëra që po ndodh është turpi i pushtetit që po shkel vullnetin e popullit dhe se janë duke luajtur me ndjenjat e qytetarëve dhe gjithë Kosovën.

Shefja e grupit parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami theksoi se veprimet e sigurimit ishin turp për parlamentin ngase, 6 deputetët u kontrolluan në detaje, madje duke i zbathur këpucët dhe në fund nuk u lejuan të hynë në vazhdimin e seancës, përkundër faktit se nuk ishin të suspenduar.

Ajo insistoi se opozita nuk do të dorëzohet, se pushteti aktual nuk mund t’ia mbyll gojën opozitës dhe ta detyrojë t’i pranojë marrëveshjet e dëmshme për Kosovën, atë për Asociacionin e komunave serbe dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ndërkohë, policia e Kosovës me urdhër arrest nga Prokuroria, ka arrestuar deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekajn për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në seancën e sotme.

Prokuroria më herët kishte urdhëruar arrestimin e deputetëve që kanë hedhur gaz lotsjellës.

Përveç Pal Lekajt, në seancën e paradites, gaz lotsjellës ka hedhur edhe Glauk Konjufca kurse të njëjtën gjë e kishte bërë edhe nënkryetarja e kryesisë së parlamentit të Kosovës nga Vetëvendosja, Aida Dërguti, në mbledhjen e kryesisë.

Këta dy të fundit, Konjufca dhe Dërguti, aktualisht ndodhen në sallën kryesore të parlamentit të Kosovës, së bashku me gjithë deputetët tjerë opozitarë, ku po presin përfundimin e seancës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button