Familja Haliti nga Kumanova ka nevojë për ndihmë

Familja Haliti nga fshati Llopat i Kumanovës ka 20 vite që përballet me mungesën e një shtëpie dhe troket derë më derë për t’u strehuar. Momentalisht gjendet në një shtëpi pranë spitalit të qytetit, por të njejtën duhet ta lirojë në fund të muajit. Anëtarët e familjes kanë probleme shëndetësore, kurse nuk mund të mbulojnë shpenzimet mjekësore. Ata nuk kanë zgjidhje tjetër, apelojnë për ndihmë.

“Kemi nevojë për një shtëpi, për një dhomë që ta dijmë se është e jona.”-deklaroi kryefamiljari Adil Haliti, “Pronari i shtëpisë na ka thënë se mund të qëndrojmë këtu deri në Vitin e Ri, por nëse nuk mund të gjejmë ndonjë vend tjetër për të qëndruar, shpresojmë të na lejojë të qëndrojmë akoma… Nuk kemi ku të shkojmë!”

42 vjeçari tregoi se dëshiron të punojë dhe se shkon sa herë që dikush i ofron punë, por se ka probleme serioze shëndetësore.

“Burri është i sëmurë më se 10 vjet, ka probleme në tru dhe nuk sheh sa duhet. E ka gjendjen shumë të komplikuar dhe mjekët i kanë thënë se duhet të operohet nga specialist kompetent në Shkup e ndoshta do të ketë nevojë t’i vendosin ndonjë paisje në kokë. Shumë herë ka dalur për të punuar, por e kanë sjellur njerëzit në shtëpi, pasi e kanë gjetur në rrugë të alivanosur. Ka marrë shumë lëndime dhe ka filluar të ketë probleme psiqike. Duhet të operohet patjetër, por nuk kemi mundësi t’i mbulojmë harxhimet e operacionit.”-sqaroi  Razija.
 “Edhe vetë jam e sëmurë. Dy damarë të zemrës i kam të bllokuara. Mjekët më kanë thënë se duhet të më vendosin stendë, por ai kushtoka 100 euro! Po ku ti gjej unë ato 100 euro?! Nuk kam. Tani konsumoj barëra, por më kanë thënë mjekët se në rast se më bllokohet edhe damari i tretë më nuk do të mund të ngrihem në këmbë. Venat më kanë plasur në krahun e djathtë. Ndërsa këmbën e kam thyer, jam rrëzuar duke pastruar nëpër shtëpi të huaja. Kam pastruar kudo, për t’u siguruar pak ushqim fëmijëve. Në shkollë të katër janë. Një më vdiq, kam frikë për këto të tjerët. Por  ka rreth 5 vite që më nuk mund të punoj edhe tensionin e gjakut lartë e kam çdo herë.”

“Vajza 4 muajshe fitoi ndezje në mushkëri e nuk pata mundësi ta dërgoja me kohë në mjek. Ditën kur e dërgova në spital më thanë se më nuk ka shpëtim dhe se është tepër vonë. Duke u kthyer në shtëpi, më vdiq në duar. A ta qaj vajzën e vdekur apo këto të gjallët që nuk kanë as bukë për të ngrënë?! Duan edhe këta të shkojnë në shkollë si shoqet e shokët. Nuk i kanë kushtet. Të katër fëmijët janë të traumatizuar, pasi në shumë shtëpi ku kemi qëndruar nuk kemi pasur rrymë fare. Kur alivanoset burri, ata bërtasin nga frika se mos u vdesë i ati.”-rrëfeu 44 vjeçarja.Familja Haliti, Kumanovë

Vajza e madhe Mirsadja, 14 vjeçare tha: “Më ndihmojnë shoqet ndonjëherë, më japin fletore dhe ato fletore i ndaj me vëllezërit dhe motrën. Mundohem të mësoj, por në shkollë punojmë me kompjuter e unë nuk kam kompjuter.” Sipas Razijes, Mirsadja dëshiron të rritet sa më shpejtë, të punojë, të ndërtojë shtëpi e ta dërgojë babanë në spital.

“Djali 11 vjeçar, Xhemaili shkon në xhami dhe falet. Më thotë se e lut Zotin vetëm babanë ta ketë afër. Lutet të mos ia merr Zoti babanë ashtu siç ia mori motrën. Vajza tjetër, Fiza që nuk ka më se 9 vjet është e sëmurë nga zemra dhe çdo natë trembet në gjumë.”-vazhdoi Razija, “Asnjë prej fëmijëve nuk ka librezë shëndetësore e as që shfrytëzojmë ndihmë sociale.”

Kjo gjendje e rëndë nuk e pengoi më të voglin, Idrizin 7 vjeçar të deklarojë dëshirën e tij, i buzëqeshur: “Kur të rritem dua të bëhem berber. Kam dëshirë të pres flokë!”/Portalb.mk

Numër kontakti: 071 872 927

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button