Zbulimi tronditës, kush është vajza misterioze?

Opinioni grek është shokuar pas zbulimit të një vajze të mitur, me sa duket të rrëmbyer që në lindje, në një kamp romësh në Farsala, pranë qytetit të Larisës. 

Gjatë një operacioni për zbulimin e lëndëve narkotike në kampin e romëve, policia gjeti vajzën rreth 4 vjeç, që ka tipare dukshëm të ndryshme, nga ato të prindërve të supozuar. 

Burri dhe gruaja rome, që u paraqitën si prindërit e saj ranë në kontradiktë në dëshmitë e tyre. Në fillim thanë se ishin prindërit e vërtetë të vajzës. Pas testit të ADN-së ata pranuan se nuk ishte fëmija i tyre, por se e kishin gjetur në një supermarket, ndërsa pastaj gruaja tha se e kishte lindur atë me një burrë tjetër. Megjithatë policia beson se vajza është rrëmbyer që në lindje. 

Mosha e vajzës nuk është llogaritur me saktësi, por besohet të jetë 4-6 vjeç. Bazuar në karakteristikat e jashtme, lëkurë shumë të bardhë, me flokë të verdhë e sy bojëqielli, autoritetet vlerësojnë se prindërit e saj biologjikë janë nga Evropa Veriore ose Lindore. Vajza flet gjuhën rome dhe nuk kupton fare greqisht, gjë që do të thotë se ka qenë pranë romëve që në foshnjëri. Pritet që një antropolog të studiojë profilin e kockave për të përcaktuar se nga e ka origjinën fëmija. 

Policia ka shpërndarë foton e vogëlushes që mban emrin Maria dhe kërkon ndihmën e komunitetit për gjetjen e prindërve biologjikë të saj, ndërsa për këtë qëllim është njoftuar Interpoli dhe është vendosur bashkëpunimi me policitë e vendeve të Ballkanit. Po hetohet edhe në gjendjen civile të Athinës, ku vajza është pajisur me çertifikatën e lindjes.
Rasti ka vënë në lëvizje gjithë strukturat madje edhe qeverinë greke. Vetë kryeministri Samaras i ka kërkuar ministrit të Punës të jepet çdo ndihmë dhe mbështetje që është e mundur, për hetimet dhe gjetjen e prindërve biologjikë të fëmijës. 

Ngjarja ka ngritur dyshimet se bëhet fjalë për një organizatë të madhe të trafikimit të fëmijëve. Sipas këtij versioni, gra shtatzëna të huaja (kryesisht bullgare) sillen në Greqi për të lindur dhe më pas fëmijët e tyre dërgohen për t’u shitur. 
Vogëlushja Maria e gjetur në kampin e romëve

Mediat britanike shkruajnë se identifikimi i Marias është një shpresë e re për prindërit e Madleinës së vogël, të zhdukur në vitin 2007. 

“Daily Mirror” bën një paralele mes historisë së Marias, vajzës bjonde që u gjet në kampin e romëve në Larisa, me atë të Madlein Mek-Keit që u zhduk në Portugali në vitin 2007, ndërsa ishte me pushime me prindërit e saj. 

Madlein Mek Kei, e zhdukur në vitin 2007

Lajme të ngjashme

Back to top button