KDI: Kosova nuk ka përparuar aspak në luftën kundër korrupsionit

Viti 2015 është një vit i humbur në luftën kundër korrupsionit dhe vazhdimësi e viteve të kaluara ku ka munguar përpjekja dhe rezultatet konkrete të luftës kundër korrupsionit në Kosovë, është konkludimi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) gjatë konferencës së sotme për medie, të mbajtur në Sheshin Skënderbeu, para Qeverisë së Kosovës, me rastin e shënimit të 9 dhjetorit, Ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit, raporton Anadolu Agency (AA).

Artan Canhasi nga KDI tha se edhe një vit në Kosovë ka shkuar huq dhe është humbur, pasi që lufta kundër korrupsionit ka vendnumëruar dhe se organet kompetente të drejtësisë nuk kanë pasur ndonjë plan se si ta adresojnë dhe ta zgjedhin këtë problem, por vetëm kanë akuzuar pushtetin për ndërhyrje në institucionet e drejtësisë.

“Kemi probleme shumë të mëdha me mungesën e prioritetit për rastet e korrupsionit nga gjyqësori, kemi ndërhyrje politike të ndryshme dhe nuk kemi ndonjë adresim të qartë nga Qeverie dhe nga organet tjera vendimmarrëse, se si do të adresohet ky problem. Nuk ka asnjë planë për të ardhmen se si do të shkohet tutje”, tha Canhasi, duke shtuar se mungesa e dënimeve të zyrtarëve të lartë publikë për korrupsion, mungesa e vullnetit politik, ndërhyrjet politike, si dhe mos bashkëpunimi mes institucioneve, të gjitha këto kanë krijuar një klimë të mos ndëshkimit dukurive korruptive në Kosovë.

Sipas KDI-së, Prokurimi publik është ende pika kritike ku fondet publike në mënyrë të paligjshme kalojnë në duar private dhe përfundimisht tek zyrtarët e lartë të lidhur ngushtë me institucionet udhëheqëse në Kosovë, ndërsa gjyqësori i dobët nuk ka arritur ta ndalë këtë praktikë. E gjithë kjo, sipas Canhasit nga KDI, po reflekton edhe në krizën ekonomike dhe varfërinë e qytetarëve të Kosovës.

Po ashtu, KDI akuzoi koalicionin qeveritar dhe opozitën parlamentare për politikë bërje të dobët, për shkak të cilës situata së fundmi ka eskaluar në dhunë, ndërsa nuk ka pasur fare përpjekje të politikës për t’i adresuar problemet e korrupsionit, në mënyrë të duhur dhe serioze.

“Bllokada politike që ka filluar klëtë vit dhe ka eskaluar në dhunë të hapur, në mes të pozitës dhe opozitës, ka shkaktuar mjaftë probleme dhe ka devijuar plotësisht prioritetin e luftës kundër korrupsionit. Duhet të themi se lufta kundër korrupsionit është duke i prekur qytetarët drejtpërdrejtë. Kemi mungesë të liberalizimit të vizave, kemi mungesë të investimeve të huaja dhe gjitha këto janë shkaktuar nga korrupsioni”, tha Canhasi

KDI po ashtu ka bërë me dije se posedon qendrën për këshilla ligjore pa pagesë, për të gjithë ata që duan të raportojnë rastet e korrupsionit, rastet e fituesve të paligjshëm të tenderëve në ministri të ndryshme duke kurdisur kërkesat në favor të fituesit, rastet e nepotizmit në angazhim të stafit nëpër pozita të ndryshme shtetërore apo rastet e moszbatimit të të drejtave të punëtorëve nga ana e kompanive private.

Gjatë kësaj konference u tha se veprimet e ndërmarra nga KDI në kuadër të kompetencave të kësaj zyre, kanë rezultuar në anulime të tenderëve, anulimin e përzgjedhjes së stafit dhe ndryshim të sistemit të përzgjedhjes.

Krejt në fund, Instituti Demokratik i Kosovës njoftoi se gjatë vitit 2015, ka ofruar studime dhe rekomandime të ndryshme sikurse “Vlerësimi i Sistemit të Integritetit Kombëtar” që mund të jetë një udhërrëfyes i fuqishëm për të adresuar problemet më serioze prandaj, sot në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, zyrtarët e KDI-së do t’ua shpërndajnë disa nga këto rekomandime institucioneve më relevante, përmes kartolinave për Vitin e Ri, me urim që të jenë më këmbëngulëse, më të përcaktuara dhe të kenë më shumë vullnet për ta luftuar korrupsionin, gjatë vitit të ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button