(De)Centralizimi shqetësues i Maqedonisë: komuna pa para, jotransparencë në fonde

Komisioni Evropian përmes Raportit të fundit të Progresit porosit Maqedoninë t’i kushtojë rëndësi ndër tjerash edhe procesit të decentralizimit edhe atë: të sigurojë qëndrueshmëri financiare të komunave rurale e shpërndarje transparente dhe të koordinuar të fondeve kapitale.
Sipas njohësve të çështjes në fjalë, këto rekomandime përsëriten tashmë një kohë, por Maqedonia ndodhet larg decentralizimit, respektivisht përcjellja e drejtë e kompetencave nga organet qendrore në organet lokale nuk mund të bëhet pasi që institucionet i ka gllabëruar politika. Profesorët universitarë thanë për Portalb se Ministria për vetëqeverisje lokale (MVL) është institucion i panevojshëm dhe hendikep më vete.
Nga ana tjetër, ministri Lirim Shabani deklaroi për Portalb se MVL angazhohet për decentralizim në të gjitha fushat.

“Decentralizimi i qeverisë ka rëndësi të veçantë si një element kyç i Marrëveshjes kornizë të Ohrit.”thuhet në raportin e progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë.

“Mjerisht edhe pse rregullativa është e qartë decentralizimi ende nuk është realizuar sipas frymës së kushtetutës , kështuqë akoma kemi një pushtet të centralizuar dhe kompetencat më të rëndësishme ushtrohen në kuadër të organeve qendrore.” sqaron juristi Osman Kadriu.
Sipas tij, është e nevojshme që pushteti qendror t’ia bart pushtetit lokal kompetencat që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e njeriut, pasi qytetari do t’i realizojë të drejtat e tij në mënyrë më kualitative.

“Vetëm pas kalimit të krizës aktuale politike në vend, do të mund të fillojë realizimi i decentralizimit, si çështje jetike për të gjithë qytetarët”, shprehet ai për Portalb.

“Disa përparime janë bërë me miratimin e programit strategjik të decentralizimit për periudhën 2015-2020 dhe planit të saj të veprimit. Megjithatë, procesi i decentralizimit duhet të koordinohet më mirë dhe është e nevojshme të sigurohet se sidomos komunat rurale kanë qëndrueshmëri financiare për t’i kryer përgjegjësitë që iu transferohen.”-thuhet në raport, ku theksohet se një komunë, respektivisht Plasnica as nuk e ka përfunduar fazën e dytë të decentralizimit fiskal.

Sipas profesorit universitar Mersel Bilalli, është absurde të flitet për decentralizim në Maqedoni, derisa Maqedonia është diktaturë e shekullit XXI.
“Sa i përket komunave rurale, mesatarja e financimit të tyre nga buxheti është rreth tre herë më e ulët se sa mesatarja europiane. Ka mangësi financiare, ndërsa pa financim nuk mund të funksionojë asnjë institucion e aq më pak vetëqeverisja lokale. Vërejtjet që në kontinuitet i jepen Maqedonisë në këtë drejtim nuk janë të reja, janë vazhdimësi e vërejtjeve paraprake dhe shumë ekspertë janë të mendimit se në një shtet jo-demokratik është gati demagogji të bisedohet për decentralizim efikas të vetëqeverisjes lokale. I tërë sistemi doemos duhet të re-montohet tërësisht që mandej të zhvillohet dhe të funksionoj vetëqeverisja lokale konform dinamikës së definuar dhe të shkallëzuar.”

Shpërndarja e fondeve kapitale për komunat duhet të bëhet në mënyrë sa më transparente dhe të koordinuar. Planifikimi i buxhetit shumëvjeçar dhe përmirësimi i mbledhjes së të dhënave statistikore në nivel lokal është po ashtu e nevojshme.”-vazhdohet në raportin e Komisionit Evropian.

“Problemi serioz është në atë se shumë nga fondet, veçanërisht IPA fondet, Maqedonia nuk arrin t’i shfrytëzojë as rreth 28% dhe të gjitha ato mjete kthehen prapë për shkak të mungesës së projekteve. Duke e pasur parasysh mos-kapacitetin e vetëqeverisjes lokale që të hartojë projekte konkrete dhe të konkurrojë me ato projekte, mundet shteti të formojë agjenci apo shërbim të veçantë, i cili do t’i ndihmojë teknikisht në përpilimin e projekteve, por as kjo nuk bëhet.”

“Është çështje shqetësuese ajo që disa komuna të drejtuara nga opozita ishin subjekt i një numri disproporcional të inspektimeve.”-thuhet në raport.

Ministria për vetëqeverisje lokale, një prej kompetencave të së cilës është inkurajimi i zhvillimit të zonave më pak të zhvilluara, drejtpërsëdrejti është e lidhur me kompetencat e pushtetit vendor; nëpërmjet pjesëmarrjes së saj në qeveri dhe parlament duhet të ndikojë në realizimin e decentralizimit, duhet të angazhohet për zhvillimin permanent të të gjithë rajoneve në vend e veçanërisht për njësitë rajonale rurale, të cilat kanë ngelur akoma në nivel shumë të ulët të zhvillimit, në mënyrë që t’i arsyetojë kompetencat që ka, komentojnë ekspertët.

 “Është çmenduri historike që të kemi ministri për vetëqeverisje lokale. Sepse praktikisht vetëqeverisja lokale është pushtet i katërt, pra krahas legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit dhe ajo është kundërshtuese e çdo qeverisje tjetër. Kështu që njëra përjashton tjetrën. Pra nuk mund të kemi ministri-resor që koordinon punën e vetëqeverisjes lokale, e cila realisht nënkupton përzierje të pushtetit ekzekutiv dhe vetëqeverisjes lokale. Vetë ekzistimi i ministrisë është hendikep. Në shumicën dërmuese të shteteve demokratike nuk ekzistojnë këto ministri.”-tha Bilalli.

Ministri për vetëqeverisje lokale, Lirim Shabani për Portalb thotë se MVL inkurajon zhvillimin e zonave më pak të zhvilluara me anë të projekteve për regjionet dhe programeve për bashkëpunim ndërkufitar, si ai në bashkëpunim me Greqinë.
“Ne përmes Këshillit për zhvillim të barabartë në RM-së për këtë vit për herë të parë kemi dyfishuar projektet, dmth kemi shpallur thirrje të re për projekte që kanë për qëllim të ulin diskualitetet mes regjioneve në RM-së.”

Në pyetjen se sa është i koordinuar procesi i decentralizimit, Shabani deklaroi:
“Nëse shikohet në tërësi procesi i decentralizimit pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit deri më tani, të arriturat janë të mëdha dhe të prekshme për të gjithë qytetarët: ndarja-territoriale, ingerencat e kryetarëve të komunave, ingerencat në formimin e institucioneve në nivel lokal në sferën arsimore, sociale dhe në sfera tjera. Por akoma na ngelet shumë punë për të arritur targetin tonë të përbashkët, standartet europiane të këtij procesi.”

Sipas Shabanit, MVL është përgjegjëse për procesin e decentralizimit në të gjitha sferat, por se pyetjet për qëndrueshmërinë financiare të komunave rurale dhe  planifikimin buxhetor shumë-vjeçar për komunat duhet bërë ministrisë kompetente. /Portalb.mk

LEXO:Publikohet raporti i KE-së: Maqedonia përjeton krizën më të rëndë politike nga 2001-shi
LEXO: Si mund të zvogëlohet papunësia në Komunën e Likovës?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button