Rama: Ulëm taksat për biznesin e vogël

Kryeministri Edi Rama e vijoi turin “Ta pastrojmë më tej Shqipërinë” në Berat, nga ku i bëri një ekspoze reformës në arsim. Ai tha se, dy vjet më parë kur erdhi në pushtet qeveria e tij gjeti 177 mijë nxënës me dije të deformuara dhe spitale që dukeshin si fronte lufte, transmeton Tch.

Por pjesën më të madhe të fjalimit prej 48 minuta, Rama ia dedikoi heqjes së taksave për biznesin e vogël.

“I kemi premtuar biznesit të vogël përgjysmim, heqje takse, ajo taksa e famshme e dyfishtë e antikushtetuese dhe përgjysmim të tatimit mbi fitimin. Që në vitin e parë e ulëm me 25 për qind taksën për biznesin e vogël. Nga taksa e sheshtë 10 për qind në 7.5 për qind, ndërsa rritëm me 50 për qind taksën për biznesin e madh. Nuk e kemi fshehur kurrë, përkundrazi e kemi thënë qartë: duam një taksim të ndershëm, kush fiton më shumë paguan më shumë. E kemi rritur këtë taksë sepse e kemi premtuar këtë që në fushatën elektorale. Do të rrisim taksat për biznesin e madh, që do paguajë 15 për qind dhe nuk do të rritet më tutje, ndërsa biznesi i vogël do paguajë 50 për qind më pak. Dhe ja ku kemi ardhur sot, kemi zeruar taksat për 83 mijë e 500 biznese të vogla”, deklaroi Rama.

Punësimi, tha Rama, është një problem kudo për të gjitha qeveritë. “Në fund të 2013-s, në shtetin shqiptar ishin të regjistruar 471 mijë e 248 vetë si të punësuar. Në tetor 2015 kemi 627 mijë e 14 të punësuar. Janë vende të reja pune të formalizuara. Janë 26 mijë e disa qindra vende pune në dispozicion në zyrat e punës. Nëse do punë, shko puno”, theksoi Rama.

Kemi ulur taksat, shtoi Rama për 97% të atyre që paguajnë taksa në sektorin publik dhe privat. Kjo, sipas tij, përkthehet në rritje të të ardhurave.

Duke folur dekriminalizimin kryeministri Edi Rama u shpreh se “do të votohen ndryshimet kushtetuese dhe do të shikojmë me fakte se ku janë ata kriminelët që do të kapë ligji, dhe të kujt janë”.

Në Berat 400 persona iu bashkuan PS duke marrë teserat e anëtarësimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button