Kliçko, Putini dhe Albini

Javë vërtet me shumë trazira, nga ato globale deri te ato vendore. Glokalizëm. Ndodhi relevante të përshkuara me ndryshime radikale. Nga dialogjia ruso-turke, te protestat dhe arrestimi i avangardës kosovare Albin Kurtit, te përfundimi i epokës së monopolit në sportin e boksit, disfata e Kliçkos. Avioni rus i rrëzuar nga forcat ajrore turke shkaktoi tronditje në skenën e politikës dhe analitikës ndërkombëtare. Turqia mori guximin ta prekë në nerv Rusinë e ringjallur me ideologjinë putiniste që shprehej me shumë komoditet për të hyrë në aventura nga Gjeorgjia në Ukrainë, Krime dhe tani në Siri, të cilën e konsideron si hinterlandin e vet. Ekcesi i avionit vuri përballë dy fuqi të mëdha, Rusinë dhe Turqinë, por edhe aleancën superiore të NATO-s, pjesë e së cilës është edhe Turqia. Erdogani, i mbiquajtur sulltan dhe Putin alias car, dy miq të vjetër, u gjendën në një përplasje shumë serioze që prishi imazhin e dy “autokratëve lindorë” që kishin një bashkëpunim të niveltë në shumë fusha, nga politika, ekonomia, energjetika etj. Konflikti në fjalë ngjalli debatet për Luftën e Tretë, të cilën nostradamusët e skicojnë si të ishte një skenë teatrale jo si një kataklizmë e botës. Nga ana tjetër gazetat e ndryshme si Washington Posti kanë shtruar tezën se inkuadrimi i Rusisë në Siri nënkupton fillimin e fundit të putinizmit (27.XI.2015), që sipas Walter Laquer bazohet në tre shylla: besimi i fortë në Kishën Ortodokse, ndjenja e “fatit hyjnor” për zgjerim (pushtime) në Eurazi dhe frika nga armiqtë e jashtëm, parametra këto që kanë ndikimi të madh te turmat ruse. Thyerja e mitit të fuqisë të pakompromistë të Rusisë përbën një ndodhi që prish ekuilibrat e politikës globale. Ndërkohë shtrohet pyetja nëse Turqia po i hyn detit në këmbë me këtë akt, nëse e fut veten në një zjarr ku mund ta djegë veten dhe të shkaktojë një krizë të përmasave të paimagjinueshme, sepse luani është më i rrezikshëm kur plagoset. Me këtë akt, me sa duket Erdogani e ka kapërcyer veten, ka bërë një hap ndoshta të gjendjes së transit, me të cilin ka fituar pikë në sytë e popullatës, ka ngritur shumë lart moralin kolektiv kombëtar, por ka vënë në rrezik jo vetëm rajonin por edhe më gjerë.

Me gjasë fati i Putinit mund t’i përngjajë atij të Vladimir Kliçkos, i cili ka qenë i pamposhtur me vite të tëra, pa rival konkret, që ka bërë çfarë ka dashur me konkurrentët e vet dhe më në fund u mund nga britaniku Tyson Fury, i cili ia mori kurorën e kampionit botëror në kategorinë e rëndë që ishte mbajtur për më shumë se dhjetë vite nga ukrainasi. Pra javë e shkuar ishte një shtatëditëshe kur u lëkundën dy Vlladimirët, dy divët, dy titanët, i politikës dhe i sportit, i forcës-pushtetit të fortë në dy sfera të ndryshme, njëri u atakua me “thikë pas shpine” (Putin), me raketa, tjetri me grushtat e fortë Furyt.

Ndërkohë në edhe në Kosovën e koalicionit dhe problemit të “Zajednicës” po vlon. U arrestua ikona e rebelizmit social, njeriu që ndër shqiptarët solli kulturën e protestës si antiplatformë kundër apatisë dhe nonshallancës. Me gjitha të mirat dhe të këqijat Albin Kurti përbën një figurë intelektuale që aksionerizmin e ka promovuar si mënyrë jetese. Kosova dhe shqiptarët sadoqë e shohin gazin dhe sprejin në parlament dhe gjakosjen e protestuesve si një skajshmëri politikaneske, fryma e Vetëvendosjes rrezaton një kulturë tjetërfare për mjedisin shqiptar dhe më gjerë, që e solli protestën në parlament, që ngriti zërin kundër një parashteti serb brendapërbrenda Republikës së Kosovës, që gjeneroi një retorikë të nivelit shumë të lartë, shpesh të parrokshme për lidershipin kosovar, që Kosovën e ka prurë në një gjendje që nga Transparency International të quhet një vend gjysëm-autoritar. Janë mendimnxitëse fjalët e Kurtit për TV Klan ku ai kuvendin e quan si vend të josalltanetit, si një vend ku shumica mund të marrë vendime pro Republikës e jo kundër saj. Një gjë e pakontestueshme që shkon në favor të Vetëvendosjes në këtë rast është përpjekja për të penguar bosnizimin e Kosovës, pra ndarjen e saj de jure. Në Kosovë, ndoshta edhe në të gjitha trojet shqiptare, politikanët nuk do ta kenë më komoditetin e politikësbëries pa llogari dhe në mënyrë autoritare. Edhe ne në Maqedoni kemi nevojë për intelektualizim të politikës, për aksionerizëm që do t’u rrijë përballë shpërfytyruesve të qeverisjes, që merren më tepër me festime e urime se sa me veprime në favor të zgjedhësve e të demosit në përgjithësi. Origjinaliteti i vetëvendosjes është kombinimi i metodave institucionale dhe jashtëinstitucionale, krijimi i një lëvizjeje që kapërcen përkufizimin klasik të partisë politike, kundërshtimi i regjimit duke u vënë në ballë të kolonës, të grigjës, duke pranuar që për hir të kauzës të godistesh, madje edhe të arrestohesh! Të gjithë kemi nevojë për një kulturë e re politike, për një frymë të lirisë (sartriane e më gjerë), kuptohet pa dimensionin e agresivitetit dhe radikalizmit!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button