“Dëshira e Enverit pas infarktit ishte të shihte Gjirokastrën”

Sot është kolonel në pension, por vite më parë, 90-vjeçari Sulo Gradeci ka qenë shefi i grupit të shoqërimit të Enver Hoxhës.

Ai thotë se më 16 tetor së bashku me shokët do të shkojë me një tufë lulesh te varri i komandantit dhe kjo ka të bëjë me një ritual, që ai nuk mund ta anashkalojë për sa është gjallë. 

Kur do të viheshit në shërbim të udhëheqësit? 

“Partia ka menduar të të ngarkojë një detyrë të rëndësishme e delikate…” Kështu më ka thënë Hysni Kapo në viti 1956. Që prej asaj kohe u vura në krye të shërbimit, që përgjigjej për jetën e Enver Hoxhës. Por me Enverin isha njohur qysh prej demonstratës së madhe të 28 nëntorit ‘41.

Kur do të shfaqeshin problemet serioze me shëndetin e Hoxhës? 

Në 16 tetor 1973. Kur sapo kishte përfunduar pritjet me rastin e 65-vjetorit të lindjes, Enver Hoxhës iu shfaq një kolaps i rëndë. Infarkt miokardi, diagnostikuan mjekët. Infarkti ishte i rëndë e shqetësues, por falë aftësisë së mjekëve tanë, goditja e parë, më e rrezikshmja, u përballua. Pas kësaj u vendos që për shëndetin problematik të Enver Hoxhës të kujdesej një grup mjekësh të përbërë nga: Fejzi Hoxha, Petrit Gaçe, Isuf Kalo si dhe Nikolla Shurbani, Ylli Popa, Ahmet Kamberi, Hajro Shyti, Panajot Boga, Arben Fino, Gjergji Cepa, Ylli Shtylla, Bajram Preza, Skënder Sinoymeri, Xhavit Gjata etj. Fillimisht grupi i mjekëve u vendos 100 metra larg Vilës nr. 4, pranë Pallatit të Brigadave, ku banonte përkohësisht familja Hoxha. Ndërsa, kur Vila e re “31” në Bllok u inaugurua, grupi i mjekëve u vendos në fund të lulishtes, ku ishte një godinë enkas për shërbimin mjekësor.

 Cila ishte kërkesa e domosdoshme e tij pasi filloi rehabilitimi i shëndetit?

 Ishte ende në një gjendje jo të mirë kur më lajmëruan se më kërkonte. Në dhomën e tij gjeta në këmbë dhe Nexhmije Hoxhën. Me tha se më kishte thirrur për një problem krejtësisht personal. Dukej që ishte i mallëngjyer e gati i përlotur. “Kam mall, dashuri e respekt për Gjirokastrën time. Ta them me gjithë zemër që imagjinata më çon në vendlindje. Do të më ndihmoje shumë po të më sillje ca pamje të Gjirokastrës, nga më të thjeshtat. Dua të kujtoj fëmijërinë, shkollën fillore e mësuesit, dua të di për liceun e pedagogët e shkëlqyer që asnjëherë nuk i harroj. Dua të shoh kalanë shekullore dhe njerëzit rreth saj. Më pëlqen një pamje nga pika dominuese e Gjirokastrës, sidomos nga Kuculla”. Qëndrova me një bllok në dorë dhe mora shënim të gjitha kërkesat. Aty iu drejtua Nexhmijes: “Lashë ndonjë gjë tjetër pa i thënë për Gjirokastrën time?” Ndërsa mua më tha: “Këto janë kërkesat e mia të papërmbajtura. I mbajte shënim. Ke paqartësi?”.

 Çfarë do të bënit pas kësaj kërkese? 

U nisa të zbatoja dëshirën e tij njerëzore. Shkova në Gjirokastër, u përqendrova në shokët e miqtë e tij. Afërsisht paraqita këto sekuenca: Pamje Gjirokastre, shkolla “Drita” ku kreu filloren, shtëpinë e dajës ku qëndroi pasi u dogj shtëpia e tij, oborri dhe muret e saj që ishin dëshmitarë të viteve të fëmijërisë. Pamje nga Liceu. Fjalë nga pedagogu i vjetër Thoma Papapano, që ishte një nga mësuesit e tij të parë. Ai më shpjegoi se me iniciativën e Enverit u ngritën shoqëritë “Studenti” dhe “Triumfi” që shërbenin për dëfrim e për përhapjen e ideve patriotike. 

Një vend të konsiderueshëm i kushtuam pjesëmarrjes së shokut Enver në vitin ‘36 duke folur mbi varrin e Bajo Topullit ku tha: “Ju bëtë sa mundët, por ne gjatë 25 viteve nuk kemi bëra sa duhet. Djalëria që po mëkëmbet zotohet mbi këtë varr, që është faltorja më e shenjtë e çdo shqiptari, se nuk do t’i mungojë as vullnet dhe as kurajë që të përgatisë një Shqipëri të begatë. Ne të rinjtë nuk do të kemi për ideal kolltukun, por mbarëvajtjen e Atdheut, bashkimin e vërtetë të kombit, një bashkim që ta ketë burimin në zemrat e vërteta të shqiptarëve”. Me pamjet e grumbulluara dhe me skenarin tim u realizua një dokumentarin 30 minuta. Enveri më thirri sërish dhe më pyeti “Çfarë bëre për Gjirokastrën?” I thashë që e kisha përgatitur dhe ishte gati. Më tha: “Me siguri tani nuk të lënë mjekët dhe Nexhmija se mos emocionohem”. “Sigurisht ata kanë merakun e tyre, por ju kur të doni filmin e keni gati”- i thashë unë. Enveri ishte vërtet njeri emocional, megjithatë ai s’u demoralizua nga ato që përjetoi prej goditjes. 

Çfarë do të ndryshonte në punën tuaj pas sëmundjes? 

Në fund të vitit ‘73 detyra e shërbimit të sigurimit u inkuadrua në dy fronte: Së pari, jeta e Enver Hoxhës dukej siguruar nga gjithçka kishte të bënte me ndonjë eliminim fizik të tij. Detyra e dytë kishte të bënte me përkujdesjen shëndetësore ndaj tij. Po të kihej parasysh se Enver Hoxha në ato kohë nuk lëvizte jashtë vilës, edhe ekipi i shërbimit të sigurimit i kishte më të kufizuara lëvizjet. U koordinua me gjithë sektorët e tjerë: me Gardën e Republikës e Drejtorinë e Pritjes. Në mënyrë të veçantë bashkëveprimi ishte me Klinikën Speciale që mbante dhe peshën kryesore. Bashkëpunimi i parë u bë me Pavllo Milon, drejtorin e Klinikës Speciale, ku u siguruan një sërë aparaturash bashkëkohore. 

Ju keni bërë dhe shumë fotografi nga jeta e tij private…

Nga duart e mija kanë dalë 45 mijë fotografi ku është fiksuar Enver Hoxha në të gjitha aktivitetet edhe në çaste familjare. Por kam regjistruar me kamera, të paktën 50 orë film nga jeta dhe veprimtaritë e tij. Të gjitha i dorëzova me procesverbal të rregullt në Arkivin Qendror të Shtetit. Por kam ruajtur si të shtrenjta, të paktën 2000 fletë ditari, në të cilat kam përshkruar qindra detaje nga jeta në shërbim të udhëheqësit. 

Detaje të cituara nga Gradeci 

Njeriu që i qëndroi pranë Hoxhës për 30 vite, sjell për “Shekullin” detaje nga jeta e tij

 Duhani – Deri në vitet ’70 Enver Hoxha njihej si pirës i rregullt duhani. Në vitet e luftës, ai ka pirë dhe gjethe fiku në mungesë të tij. Ndër ata që këmbëngulnin për ta lënë duhanin ishte shoku i tij i fëmijërisë, profesor Fejzi Hoxha. Pas shumë përpjekjesh, një ditë shoku Enver vendosi që të mos e ndezë më. 

Regjistrimi – Gradeci thotë se Enver Hoxha nuk e njihte pushimin, madje, edhe kur i duhej të pushonte apo të shëtiste, ai mbante me vete gjithmonë një diktofon, ku e kishte më të lehtë të shprehte mendimet apo kujtimet e tij. Këto shirita më pas zbardheshin nga punonjëse të veçanta dhe daktilografoheshin.

 Mjekët – “Lidhur me shëndetin e Enver Hoxhës, KQ e Qeveria morën masa. Në Shqipëri erdhi një ekip prej 11 mjekësh kinezë të kryesuar nga profesori Çu. U bashkëpunua dhe me ekipin francez ku u angazhua profesor Miliezi. Të dy ekipet; bashkëpunuan ngushtë me mjekët shqiptarë”, shprehet. 

Shikimi – Problem mbetej shikimi. U porositën syze me xhama specialë që zmadhonin germën, por nuk bëri efektin e duhur. Enveri ankohej se nuk lexonte dot axhanset. Më pas përdori lupa zmadhuese. Në fund u përdorën makina fotokopjuese që zmadhonin germat. Kjo duket se e rehabilitoi situatën.

(Leonard Veizi)

Lajme të ngjashme

Back to top button