Shkenca nuk është punë amatorësh

Mediat tona shpesh i shumëfishojnë si ekskluzive disa “studime” qëpër të painformuarit duken me shumë vlerë, por për studiuesit e vërtetë shërbejnë për argëtim. Të këtilla janë “studimet” për Albaninë kaukaziane, të cilat i kemi me bollëk prej “historianëve” sllavë, që tentojnë ta mohojnë vazhdimësinë tonë prej ilirëve, për të na paraqitur si ardhacakë në këto vise.

Në këtë grackë bienedhe pseudoshkencëtarët tanë, që duan gjithë njerëzit t’i bëjnë me origjinë shqiptare.

Të parët e shqiptarëve mund të kishin emigruar deri në Kaukaz, por historia nuk jep dëshmi bindëse. Dihet vetëm se të parët tanë nuk kanë ardhur në këto vise prej Albanisë kaukaziane.

Ky rajon duket interesant, por kjo nuk do të thotë se banorët e atyshëm janë shqiptarë. Duke dashur të krijojmë lidhje të këtilla e paraqesim veten si ardhacakë në këto troje.

Nuk jam prej atyre që besojnë se ata që kanë ardhur më vonë në këto vise duhet që të dëbohen. Kjo është logjikë e mbrapshtë, që ka prodhuar tragjedi të shumta. Ballkani ka vend për të gjithë.

Merremi me “histori” të këtilla sepse nisemi nga fakti i pamohueshëm se në Ballkan të gjithë tmerret, dëbimet, pastrimet etnike janë bërë si pasojë e mashtrimeve dhe gënjeshtrave të ndërlidhura me historinë e sajuar për qëllime ogurzeza. Duke u manipuluar e kaluara, është vënë pushtet mbi të tashmen…

Në vend se të kërkojmë shqiptarë anekënd botës, do të bënim mirë t’i mbrojmë vlerat tona,që i mohojmë.

Do të bënim mirë të ishim të kujdesshëm për shqiptarët që treten në trojet e tyre etnike.

Do të bënim mirë sikur të mos ishim indiferentë kur përçmohen e përçudnohen figurat tona historike e kulturore nga shpirtshiturit, të cilëve u pengon edhe simboli kombëtar.

Kalojnë në heshtje aktet e këtilla të trishta, sa njerëzit kanë filluar të besojnë se e vërteta është siç e thonë shpirshiturit, të cilët i mohojnë edhe kodet themelore identitare.

Jo se do të arrijnë t’i mohojnë, por krijojnë probleme të shumta, që do të duhej të ishin të tejkaluara.

Sot në institucione publike promovohen libra të këtillë, madje edhe të autorëve që kombin e konceptojnë vetëm si kategori empirike dhe jo edhe si kategori mistike.

Kanë lexuar disa përkufizime mbi kombin, por edhe ato i komentojnë gabimisht. U ngjajnë “shkencëtarëve” të Stalinit, që dëshironin shuarjen e kombeve në emër të krijimit të një kombi imagjinar.

Ata që mahniten nga Albania e Kaukazit, siç duket, këtë e bëjnë nga mosdija. Mendojnë se kështu e lartësojnë kombin. Për dallim prej atyre, disa të tjerë duan që të krijojnë një komb tjetër, thuajse krijojnë parti politike, mjafton të gjesh disa bashkëmendimtarë…

Shkenca, megjithatë, nuk është punë amatorësh e entuziastësh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button