Çka fsheh marrëveshja me Kinën? Jep dikush kredi nga dashuria?!

Lajm i mirë për Maqedoninë, në lindje do të ndërtohet autostrada Milladinovci – Shtip, në perëndim aksi Kërçovë – Ohër. Ndërtimi i plotë i këtyre dy magjistraleve ishte i pashmangshëm duke pasur parasysh gjendjen e keqe në të cilën gjenden me vite të tëra. Për këtë mega-projekt infrastrukturor, qeveria e mori njërën nga kreditë më të mëdha deri tani, në vlerë prej 783 milionë dollarësh. Kredinë do ta japë banka kineze Eksport-Import. “Portalb”-i publikon disa detaje nga marrëveshja me Kinën, e cila duhet të marrë aminin e shumicës parlamentare që të hyjë në fuqi.
 
Me para kineze – do të blihen mallra dhe teknologji kineze!
Kredinë prej rreth 800 milionë dollarësh, Maqedonia duhet ta kthejë në periudhë prej 20 vjetësh, edhe atë me 5 vjet grejs-periudhë dhe 15 vjet kthim të kësteve. Kamata për këtë hua është fikse dhe është 2%. Sipas praktikës bankare, në grejs-periudhën kryesisht paguhet vetëm kamata e shumës së përgjithshme në nivel vjetor. Kështu, një llogari e përafërt tregon se në këtë periudhë vetëm si rezultat i kamatës do të duhej të paguante 78 milionë dollarë. Në 15 vitet e tjera, vetëm për pagesë të pjesës kryesore, pa kamatë, kësti do të jetë 52 milionë dollarë.

Llogaritja nuk përfundon këtu. Sipas marrëveshjes me Kinën, Maqedonia fillimisht duhet të paguajë një provizion fiks për kreditë për dy autostradat në vlerë prej 2 milionë dollarësh. Në mënyrë plotësuese, do të paguhet edhe kamatë me përqindje prej 0,25% për pjesën e pashfrytëzuar të parave gjatë gjithë periudhës.

“Çdo gjysmëvjetor, Marrësi i huasë (Maqedonia) do t’i paguajë Dhënësit të huasë (Kinës), provizion për pjesën e patërhequr të huasë, e llogaritur sipas përqindjes së theksuar të bilanceve të patërhequra dhe të paanuluara të kredisë”, shkruan në Marrëveshjen me bankën kineze.

Provizioni i njëhershëm do të duhet të paguhet në afat prej një muaji nga Ratifikimi i Marrëveshjes për hua. Përqindja e kamatës është e volitshme, por më shpesh huatë e këtilla “të lira” kanë një prapavijë të fshehur, konsideron analisti Kire Naumov. 

“Më shpesh, marrëveshjet që bëhen me vendet e Lindjes, përmbajnë ndikim “të fshehur”, gjegjësisht qëllimi është të përfitohet diçka tjetër, më shpesh përparësi në tenderë për biznese të tjera. Kreditë e këtilla “të lira” sipas meje fshehin favore të tjera për atë që e ofron kredinë, për shkak se në biznes, askush nuk jep para nga dashuria”, thotë Naumovi. 
Gjatë ndërtimit të autostradave, Maqedonia megjithatë, siguron favore për kreditortë kinezë, duke u obliguar se me paratë do të blejë mallra dhe teknologji nga Kina.

“Mallrat, tekonologjitë dhe shërbimet që do të blehen duke i përdorur mjetet e kredisë, preferohet të furnizohen nga Kina, në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes komerciale”, shkruan në Marrëveshje. 

Nga qeveria thonë se kjo Marrëveshje është me rëndësi strategjike për Maqedoninë, duke sqaruar se kontraktuesi kinez do të jetë i obliguar të angazhojë firma vendore si nënkontraktues.

“Kontraktuesi kryesor i punëve ndërtimore do të jetë i obliguar të angazhojë nënkontraktues të punëve ndërtimore nga Maqedonia për së paku 49% të punëve të parapara, e poashtu, edhe të blejë së paku 49% të materialeve ndërtimore nga prodhues nga Maqedonia. Kontraktuesi dhe nënkontraktuesi, gjatë ndërtimit, duhet të angazhojnë, poashtu, së paku 51% shtetas të Maqedonisë”, deklaroi ministri për transport dhe lidhje, Mile Janakievski.

Sipas Marrëveshjes, ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër do të kushtojë gjithsej 555,5 milionë dollarë. Nga kjo shumë, 50,5 milionë dollarë do t’i sigurojë Ndërmarrja publike për rrugë, ndërsa pjesa tjetër prej 505 milionë dollarësh është hua nga Kina. Ndërtimi i autostradës Milladinovci – Shtip, është vlerësuar në 306 milionë dollarë. Prej tyre, 28 milionë dollarë janë para të Maqedonisë, nëpërmjet Ndërmarrjes publik, ndërsa pjesa tjetër prej 278 milionë dollarëve janë hua kreditore nga Kina. Rrugët do t’i ndërtojë kompania kineze “Sinohidro Corporation”, me të cilën ndërmarrja publike do të nënshkruajë marrëveshje.

Ashtu siç ndërtohen autostradat, në atë mënyrë Maqedonia do të jetë e obliguar të dorëzojë raporte të kompletuara për zhvillimin e punëve, e kështu në Marrëveshje shkruan:
“Çdo gjysmëvjetor, gjatë periudhës së paraparë, Marrësi i huasë  do t’i dorëzojë Dhënësit të huasë (Kinës), raporte për statusin e punëve të projektit dhe për shfrytëzimin e mjeteve të lëshura nga kredia.”

Çka nëse nuk respektohet marrëveshja?
Marrëveshja që Maqedonia e nënshkroi me Kinën, e obligon vendin që me kohë t’i përmbushë të gjitha obligimet, pagesën e kamatave, pjesës kryesore dhe provizioneve. Maqedonia duhet të dorëzojë raporte për zhvillimin e punëve, të blejë mallra dhe teknologji nga Kina, të cilat do t’i përdorë gjatë ndërtimit.

Çdo mosrespektim, mund të çojë deri te prishja e Marrëveshjes, vetëm me anë të një letre që Kina mund t’ia çojë Maqedonisë. Kina do të ketë të drejtë ta prishë Marrëveshjen dhe të kërkojë rikthim të plotë të kredisë, pa mos qenë e obliguar, siç shkruan në Marrëveshje, që të dërgojë “kërkesa të mëtutjeshme, njoftime ose formalitete të tjera të cilit do lloj.”
Pikërisht neni 7 i Marrëveshjes me Kinën, ka të bëjë me sanksionet në rast se nuk respektohet ajo që është nënshkruar në marrëveshje. Kryesisht, i gjithë teksti ka të bëjë me sanksionet eventuale kundër Maqedonisë. Vetëm një pjesë ka të bëjë me rastin eventual të shkeljes së marrëveshjes nga ana e bankës kineze.

“Në rast të ndryshimit të ligjeve ose politikave qeveritare, qoftë në vendin e Huamarrësit ose atë të Huadhënësit, që do ta pamundësonin Huamarrësin ose Huadhënësin t’i përmbushë obligimet e tij sipas Marrëveshjes, Huadhënësi (Kina) mund, me njoftim me shkrim deri te Huamarrësi, ta ndërpresë pagesën e kredisë, dhe ta shpallë gjithë pjesën kryesore dhe kamatën e llogaritur, si dhe të gjitha shumat e tjera të parapara për t’u paguar, se duhet të paguhen menjëherë nga ana e Huamarrësi, pa kërkesa të mëtutjeshme, njoftime ose formalitete të tjera të cilit do lloj”, shkruan në Marrvëshje.

Në këtë mënyrë, sipas ekonomistëve, Kina është plotësisht e mbrojtur si dhënëse e kredisë.
Autostrada Shkup – Shtip do të jetë me gjatësi prej 53 kilometrash ndërsa ajo Kërçovë – Ohër, me gjatësi prej 56,7 kilometrash.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button