Mbyllen hetimet, Blatter e Platini rrezikojnë përjashtimin përjetë

Komisioni i Etikës së FIFA-s njoftoi se mbylli hetimet ndaj presidentit në detyrë Josef Blatter dhe zëvendësit të tij, njëkohësisht president i UEFA-s, Michel Platini, transmeton SS.

Pas mbylljes së hetimeve për një pagesë të dyshimtë në vlerën e 2 milionë Eurove, organi disiplinor i Konfederatës botërore të futbollit ka paraqitur edhe kërkesat për sanksione ndaj dy drejtuesve më të lartë.

Për arsye që lidhen me privatësinë dhe për prezumimin e pafajësisë deri në konfirmimin e akuzave, Komisioni vendosi të mos i publikojë detajet e raportit dhe as masat ndëshkuese që kërkohen ndaj dy funksionarëve.

Nëse kërkesat e Etikës do të pranohen nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, dy krerët e sportit më popullor rrezikojnë pezullime të gjata, deri në 7 vjet, madje edhe përjashtim përjetë nga çdo aktivitet që lidhet me futbollin.

Natyrisht që nëse CAS në Lozanë i konfirmon fajësinë, Platinisë do ti duhet të braktisë edhe ëndrrën për tu bërë president i FIFA-s, në zgjedhjet e parashikuara në fillimin e vitit 2016, ku do të vendoset pasardhësi i Blatter.

Aktualisht kandidatura e Platini mbetet pezull, deri në nxjerrjen e konkluzioneve rreth hetimit të Komisionit të Etikës. Akuzat lidhen me një pagesë në vlerën e 2 milionë eurove që Blatter i ka bërë në adresë të Platini për shërbime të ndryshme në vitin 2011, por pa një kontratë që ta justifikonte shifrën.

Të dy të hetuarit janë deklaruar gjithmonë të pafajshëm, por vendimin final do ta marrë Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, aty ku çështja ndaj Blatter dhe Platini do të shqyrtohet në fillim të muajit Dhjetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button