Kërcënohet Tirana, Nishani mobilizon forcat e shtetit

Në adresën personale të postës elektronike të ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri, ka mbërritur një mesazh kërcënues që lidhet me terrorizmin.
Mesazhi është dërguar nga një adresë me emrin “Brigadat e Kuqe” në orën 10:44 të paradites së shtunë dhe përmbajtja e tij nuk lidhet me ideologjinë e këtyre grupeve komuniste, por përcjell një mesazh kërcënues me prapavijë fetare dhe në të lihet të kuptohet se pas sulmeve në Paris, është radha e Tiranës, njofton Top Channel, transmeton Portalb.
“Tani e keni radhën ju! Filloi lufta e shenjtë ndaj atyre që janë përfshirë në luftën kundër shtetit islamik. Do dridheni dhe do gjunjëzoheni para Allahut”, shkruhet në mesazh.
Pas këtij mesazhi, strukturat antiterror të Policisë së Shtetit Shqiptar kanë nisur hetimet.

Kurse pas sulmeve terroriste në Francë, Policia e Shtetit Shqiptar njofton se ka kaluar në gatishmëri të plotë që prej mbrëmjes së të premtes.
Zyrtarisht policia  deklaron se efektivët e policisë dhe struktura të veçanta, sikurse është Antiterrori, do të jenë në gatishmëri të përforcuar në të gjithë vendin pa një afat të caktuar.

Ndërkohë, pas ngjarjeve tragjike dhe tronditëse në Francë, gjatë mesditës Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka takuar numrin një të Shërbimit Informativ Shtetëror në Shqipëri , Visho Ajazi Lika.

Objekti i këtij takimi ka qenë interesimi i Presidentit Nishani për t’u informuar mbi rreziqet e elementëve radikale që mund të ndodhen edhe në vendin tonë. Megjithatë, nuk jepen hollësi të mëtejshme mbi këtë takim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button