Ahmeti: Na vërsulen gazetarët e analistët por BDI-në nuk e gjen asgjë, na i marrshin të ligat!

“Të gjithë jemi dëshmitarë se kohën e fundit na janë vërsulur nga qendra të ndryshme shërbime të ndryshme, qoftë nën petkun e gazetaëve, dikush nën maskën e analistit, e dikush tjetër në zgavrat e publicistit, dhe sulmojnë një forcë kombëtare, një vlerë kombëtare. Por sulmet vijnë nga ata që kanë ndërtuar antivlera dhe u pengojnë vlerat kombëtare, me qellim që të dobësohet BDI, të humbasë forcën që e ka pasur… Por pa e zgjatur fare – i marrshin të ligat, i marrshin të keqen, se BDI-në s’e gjen asgjë, por përkundrazi ajo është edhe më e fortë dhe do të mbetet forca më serioze në vend, si përfaqësuese legale dhe legjitime, me verdikt të fortë nga populli që ajo e përfaqëson”.

Kështu me tone kërcënuese ndaj të apostrofuarve, u shpreh sonte në Strugë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë prezantimit në Kuvendin zgjedhor të Forumit Rinor të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ai tha se këtë bindje të sigurtë e ka nga pjesëmarrja e madhe nëpër kuvende të ndryshme të BDI-së, kur ai sheh që rinia shqiptare është aq shumë e intersuar për të ruajtur vlerat pozitive shoqërore dhe kombëtare.

“Kam porosi veçanërisht për dy partitë më të mëdha politike maqedonase, VMRO-në dhe LSDM-në, që t’i lënë luftërat speciale, luftërat nën rrogoz, sepse BDI nuk është një bashkim adoleshentësh, por është një bashkim gjeneratash që kanë bërë historinë në këtë vend, dhe që ua tejkalojnë atyre që përpiqen për ta luftuar BDI-në”, theksoi lideri Ahmeti, duke shtuar se koha ka dëshmuar se dimë të menaxhojmë në situata të vështira dhe të marrim vendime të rëndësishme.

Ai tha se në këtë periudhë turbulente gajshtëmujore, janë munduar me gjakftohëtsi dhe dituri që të sigurojnë shtet normal dhe funksional demokratik.

“Deri më tani janë bërë shumë punë të mira, por megjihatë ka disa projekte të cilat nuk kemi arritur që t’i realizojmë, për të cilat kundërshtarët tanë politik përpiqen që të ndërtojnë arsyet e tyre, gjoja se BDI nuk ka realizuar premtimin kryesor – anëtarësimin e vendit në NATO. BDI ka qenë e vetëdijshme dhe e sigurt për atë premtim dhe e ka bërë punën e vetë. Bëri vizita në të gjitha kancelaritë evropaine e botërore, dhe janë siguruar mbështetje të mëdha, por problemi është mjaft i madh, i vështirë dhe madje edhe emocional”, shtoi Ahmeti.

Ndër arsyet, ai përmendi kontestimin e procesit zgjedhor nga ana e LSDM-së që nga dita e parë, pastaj skandalin e përgjimeve, dhe rrezikun e përmasave planetare në Ukrainë, prandaj e gjithë agjenda për NATO-n rrodhi në drejtime tjera, kurse vendi po shkon në zgjedhje të parakohshme.

“Megjithatë, bindjen që e kemi është e pastër dhe fisnike, dhe çështja e NATO-s dhe BE-së do të ngelet prioritet i yni, dhe jam i sigurt që me hapat e filluar, shumë çështje do të ecin në drejtimin e duhur”, theksoi Ahmeti para rinisë strugane, duke përfunduar se beson në “aftësitë dhe mundësitë, dhe mjafton që motorët që i kemi t’i vëmë në lëvizje, drejt sukseseve të reja.”

Për kryetar të Forumit Rinor të Bashkimit Demokratik për Integrim në Strugë u zgjodh Bledar Ziba.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button