Daçiq: Serbia nuk do të sakrifikohet për 10.000 serbë në veri

Beogradi zyrtar u ka bërë thirrje edhe një herë serbëve të veriut që të marrin pjesë në zgjedhje. Kryeministri Daçiq tha se Serbia nuk është në gjendje të luftojë sërish. Grindje shumë serioze në parlamentin e Serbisë.

“Më së shumti që mund të garantojë Serbia është krijimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës”, u shpreh kryeministri serb Ivica Daçiq, pas takimit të fundit në Bruksel me homologun e tij kosovar Hashim Thaçi. Ndërsa pas kthimit në Beograd ai u bëri thirrje serbëve të veriut që të dalin në zgjedhjet që do të përsëriten me 17 nëntor, në tri vendvotime në veri të Mitrovicës.

“Nëse nuk dalin në votime, kryetar bashkie në veri të Mitrovicës do të bëhet një shqiptar”, tha Daçiq dhe shtoi: “Atëherë serbët e bajshin me shëndet!”. Serbët në veri, sipas tij, duhet të dalin dhe të votojnë jo për shkak të qeverisë serbe, por për shkak se aty vendoset për fatin dhe ardhmërinë e fëmijëve të tyre. Daçiq paralajmëroi serbët se “Serbia nuk do të sakrifikohet për shkak të 10.000 serbëve në veri të Mitrovicës”, raporton DW

Fajtorët për (mos)dalje në zgjedhje

Serbët në veri duhet të bëhen më seriozë, sepse fjala është për ekzistencën dhe jo për çështje statusore. “Serbia po sulmohet për shkak se po i ndihmon serbët e atjeshëm. Ndërkohë që ata nuk e dëgjojnë as Prishtinën dhe as Beogradin, por Partinë Demokratike Serbe (DSS) dhe organizatat ‘Dveri’ apo ‘Obraz’. Si të mbjellni, ashtu edhe do të korrni”, theksoi Daçiq duke shtuar se “do të ishte katastrofë, në qoftë se serbët në veri nuk i marrin të drejtat dhe mundësitë që u ofrohen”, raporton DW.

Kryeministri i Serbisë theksoi se nga ecuria e zgjedhjeve lokale në Kosovë do të varen në masë të madhe edhe procesi i afrimit të mëtutjeshëm të Serbisë me Bashkimin Evropian. Ndaj është e domosdoshme që “serbët në veri të jenë shumë më të arsyeshëm”.
Veriu i Kosovës u përfshi nga veprime të dhunshem gjatë zgjedhjeve të tre nëntorit

Kush e shkaktoi dhunën?

Lidhur me zgjedhjet e 3 nëntorit në Beograd është mbajtur sot (07.11. 2013) edhe një takim i Komisionit parlamentar për Kosovën, ku u dëgjuan tone shumë të ashpra. Marko Gjuriq, këshillitar i presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliq fajësoi Partinë Demokratike Serbe (DSS) dhe Marko Jakshiqin për “dhunë të orkestruar” dhe “mungesë uniteti tek serbët në Kosovë”.

Ndaj akuzave kundër tij, Jakshiq u përgjigj se në ditën e votimeve në veri të Kosovës kanë qenë njësitë e xhandarmësisë së Serbisë, të komanduara nga Bratisllav Dikiq. “Në veri ka pasur shumë pjesëtarë të shërbimit sekret BIA dhe kriminelë të ardhur nga Serbia”. Në parlamentin e Serbisë është krijuar edhe një komision i veçantë i cili duhet të merret me dhunën dhe pasojat e dhunës së shprehur në ditën e zgjedhjeve. Komisioni duhet të saktësojë se kush e mban përgjegjësinë për incidentet me 3 nëntor. Përfaqësuesi i DSS Sllobodan Samarxhiq tha se “Serbia gjendet buzë humnerës dhe se me daljen në votime me 17. nëntor do të bie në humnerë”.

Ndërsa ish – negociatori i Serbisë në dialogun teknik, Borsillav Stefanoviq fajësoi pushtetin në Serbi për dhunën në veri. “Bojkotimi i zgjedhjeve është ndoshta i dëmshëm, por është një formë legale e shprehjes së pakënaqësisë, nëse nuk shprehet në mënyrë të dhunshme”, tha ai. Stefanoviq kërkoi dorëheqjen e ministrit Aleksandar Vulin dhe këshilltarit të presidentit Marko Gjuriq, për shkak të akuzave se “serbët që nuk votojnë për listën ‘Serpska’ janë “serbë të Thaçit” dhe “tradhëtarë të cilët do ta humbin vendin e punës”. Takimi i Komisionit përfundoi pa ndonjë konkluzion të përbashkët, sa i përket pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet që duhet të përsëriten në tre vendvotime me 17 nëntor.(DW)

Lajme të ngjashme

Back to top button