Harrohen përmendoret e shqiptarëve nga “Shkupi 2014”

Asnjë gjurmë e vetme nga tre përmendoret shqiptare, ajo e Josif Bagerit, Nexhat Agollit dhe Pjetër Bogdanit, të cilat u premtuan nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim si balancë që do të zbuste karakterin një etnik të projektit “Shkupi 2014”. Institucionet hedhin përgjegjësinë tek njëra tjetra, por askush ende nuk mund të caktojë një datë të saktë se kur do të vendosen ata në sheshin qendror të Shkupit. Nga Qeveria thonë se nuk janë kompetent për këtë temë, ndërsa përgjegjësinë e hedhin tek Komuna Qendër. BDI-ja, në këtë rast ndjehet e pafuqishme. Ata vetëm apelojnë dhe akuzojnë dy partitë maqedonase që sipas partisë së Ahmetit nuk arrijnë të tejkalojnë interesat ditore dhe të bëjnë një hap konkret në rritjen e mirëbesiminit ndëretnik, njofton Alsat M.

“Për ne është e papranueshme që në konfliktin politik maqedonas për projektin “Shkupi 2014”, të pësojnë pikërisht përmendoret shqiptare, kur dihet fakti se ato duhet t’i japin karakterin shumetnik ndërtimeve të reja në qendër të Shkupit dhe të forcojnë besimin mes komuniteteve. Jemi të zhgënjyer nga mungesa e gatishmërisë dhe kurajës së dy partive maqedonase, që në emër të bashkëjetesës ndëretnike për të cilën deklarohen, të tejkalojnë interesat ditore dhe të hedhin një hap konkret që do të rriste realisht mirëbesimin ndëretnik. U bëjmë apel dy partive dhe Këshillit të Komunës Qendër të votojnë menjëherë vendosjen e përmendoreve shqiptare, duke i dhënë fund njëherë e mirë qasjes hipokrite ndaj temave etnike”, përgjigjen nga zyra për informim e BDI-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button