Andov: Gabuam me shqiptarët

Në një intervistë ekskluzive për “tesheshi“, ish kryeparlamentari i Maqedonisë, Stojan Andov pranon disa mëkate të politikës maqedonase kundrejt shqiptarëve, sidomos ato që kulmuan me konfliktin e vitit 2001.

“Shoqëria në Maqedoni është multietnike dhe shteti gjithashtu është multietnik. Për gjendjen e tillë të një shteti kompleks, përgjegjësi më të madhe mbajnë etnikumet më të mëdha në shtet, domethënë maqedonasit dhe shqiptarët. Për fat të keq, në vitin 1991 nën ndikimin e regjimit të trashëguar propagandues të Millosheviqit në Serbi, ne në Maqedoni nuk arritëm të mbledhim forcë që t`i kundërvihemi asaj propagande dhe për këtë shkak bëmë disa gabime, veçanërisht ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë. Gabimi i parë ishte që nuk u dakorduam me shqiptarët se si të quhet çështja e referendumit, dhe ajo procedurë për ne maqedonasit na bën të marrim një përgjegjësi të madhe që shqiptarët e Maqedonisë nuk dolën në referendumin në vitin 1991. Kjo çoi dhe që deputetët shqiptarë në Kuvend të mos votojnë mbi Kushtetutën e parë për Maqedoninë e pavarur”, thotë Andonov.

Sipas tij, nga kjo më pas rrodhën disa mosmarrëveshje ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve për një periudhë më të gjatë kohore, thuajse 10 vite, ku edhe krijuan terren pjellor për luftën e vitit 2001.

“Fakti që ai konflikt është zgjidhur me Marrëveshjen e Ohrit dhe në rrugën parlamentare me sjelljen e 15 amandamenteve në Kushtetutë në 16 nëntor 2001, krijoi edhe kushtet për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet etniteteve, gjegjësisht ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve. Procesi i implementimit të vendimeve të Marrëveshjes kornizë të 2001-ës është në rrjedhë e sipër, dhe mund të thuhet që po përparon me sukses”, shton ai.

“Domethënë gjendja e brendshme në këtë aspekt është e mire, thotë ai duke shtuar se në Maqedoni konflikte të armatosura në kushtet momentale nuk mund të ndodhin nëse pushteti është në gjendje që të kryejë funksionin e vet në kohë duke i pamundësuar qëllimet eventuale avantureske. Raste të tilla në Maqedoni janë të mundura vetëm si rezultat i pamundësisë dhe naivitetit të madh të pushtetit, ose nëse sërish edhe pushteti është i involvuar në organizimin dhe zbatimin e situatave të tilla(lufte).

“Maqedonasët edhe shqiptarët duhet ta shohin ardhmërinë e tyre në krijimin e një shoqërie dinamike me standarde evropiane dhe vlera që të gjithë atyre, pa dallime fetare, racore, apo përfaqësie politike do t’ua jep kushtet dhe mundësitë e njëjta. Për këtë shkak, edhe përkundër ndryshimeve të pashmangshme në qeverinë e Maqedonisë, duhet që Maqedonia si shtet të vendos raporte të mira dhe të përhershme miqësore nën besim dhe bashkëpunim me të gjithë fqinjët e saj”, shton Andonov.

Stojan Andov, është ndër ata emra që ka lënë gjurmë të mëdha në skenën politikë të Maqedonisë. I njohur si kryeparlamentari i parë pas pavarësisë, deri dhe president për disa muaj, tashmë në të tetëdhjetat e moshës, vijon të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet politike në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button