Ahmeti letër Hanit: BDI gjithmonë partner i Brukselit dhe Washingtonit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, sot i ka shkruar letër eurokomesarit Johanes Han, duke e falënderuar atë dhe pjesëmarrësit në negociatat për arritjen e marrëveshjes për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos dhe duke e ftuar që të ndihmojë që Maqedonia sa më shpejtë t’i fillojë negociatat për anëtarësimin në BE dhe NATO, për këtë sipas Ahmetit, BDI, gjithmonë është partner i Brukselit dhe Washingtonit.

“I nderuari komisionar Han, ju lutem më lejoni që si pjesëmarrës në negociatat për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni si dhe në emrin e të gjithë neve pranë Bashkimit Demokratik për Integrim, të ju shpreh vlerësimin tim për angazhimin tuaj të drejtpërdrejt, por edhe të Ambasadorëve Aivo Orav dhe Xhes Bejli si dhe stafit të tyre, bashkë me lehtësuesin Piter Van Hojte, në zgjidhjen e krizës politike në vendin tim dhe mbylljen e çështjeve më kontestuese që mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill të vitit 2016. Bashkëpunimi me komunitetin ndërkombëtar dhe ndërtimi i përbashkët i politikave i ka sjellë gjithnjë dobi vendit tim dhe qytetarëve tanë, qysh nga arritja e Marrëveshjes së Ohrit, marrjes së statusit vend kandidat për anëtarësim në BE, liberalizimit të vizave, rekomandimet për hapjen e negociatave me BE si dhe të qenurit në prag të anëtarësimit në NATO. Andaj, ju ftoj që ta përsërisni rekomandimin e Komisionit për hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE dhe bashkërisht me miqtë në Washington si dhe vendet anëtare të BE-së, të riktheni fokusin në zgjidhjen e çështjes së emrit dhe hapjes së perspektivës EuroAtlantike të Maqedonisë. Ne zotohemi që do të angazhohemi për zbatim të reformave të kërkuara për të ndërtuar institucione më të qëndrueshme si dhe shoqëri demokratike dhe të përgjegjshme, ndërsa njëkohësisht presim përkushtimin tuaj në tejkalimin e pengesës së fundit që qëndron midis Maqedonisë dhe integrimit EuroAtlantik. Maqedonia dhe rajoni kanë nevojë për stabilitet dhe siguri, prandaj, le mos të kursejmë përpjekjet tona të përbashkëta për ta integruar vendin tonë në BE dhe NATO sepse ky është përcaktimi jonë strategjik pa asnjë alternativë. Për këto dhe për vlerat demokratike, Brukseli dhe Washingtoni kanë një partner tek unë dhe tek Bashkimi Demokratik për Integrim”, thuhet në letrën e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti për eurokomesarin, Johanes Han.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button