Marrëveshja, Opozita: Shqiptarët mbeten “jashtë loje”

Kanë reaguar edhe partitë shqiptare që nuk ishin pjesë e dialogut politik në lidhje me finalizimin e Marrëveshjes së Përzhinos. Ata e kanë përshëndetur marrëveshjen, por kanë adresuar kritika të ashpra drejt faktorit politik shqiptar në këtë proces.

Kreu i Rilindjes Demokratike Kombëtare thekson se ata janë pro respektimit të Marrëveshjes, ajo duhet të zbatohet. “Pa zbatimin 100% të marrëveshjes zgjedhje nuk do të kishte dhe nuk do të duhej të kishte”, deklaroi ai për Portalb, duke shtuar se gecjet dhe shkeljet e afateve Memedi i vlerëson se lojëra politike.

“Finalizimi po tregon se ngecjet kanë qenë lojëra politike”, tha për Portalb Memedi.

Nga Lëvizja Besa thonë se në këtë mënyrë u dëshmua edhe një herë se Maqedonia është shtet që mund të funksionojë vetëm në saje të ndihmës së miqve ndërkombëtarë dhe se ndryshe politikanët vendorë janë të prirë më shumë t’i mbrojnë interesat e tyre partiake sesa interesin shtetëror. Për këtë të fundit ishte dëshmi shkelja e të gjitha afateve.

“BESA beson se Maqedonia kthehet në shtegun e euro-integrimeve, që është rruga e vetme e prosperitetit të vendi. Me këtë rast nuk mund të mos theksojmë se shqiptarët e Maqedonisë nuk ishin të përfaqësuar politikisht në këto bisedime dhe, rrjedhimisht, kështu nuk u mbrojt asnjë çështje me interes shqiptar”, thuhet në Kumtesën e Lëvizjes Besa, duke shtuar se përfaqësuesit e BDI-së dhe të PDSH-së në këto bisedime ishin aty për ta mbështetur Nikolla Gruevskin dhe për të kërkuar mëshirë nga Zoran Zaevi.

Edhe Partia për Prosperitet Demokratik konsideron se me këtë marrëveshje hapen rrugët e zgjidhjes së krizës politike në vend dhe krijon kushte për zgjedhje të lira e demokratike.

“PPD shpreson se pas zgjedhjeve të prillit 2016 liderët e partive politike fituese në zgjedhje do të përkushtohen më tepër për agjendën evro-atlantike se sa për interesat partiake”, ka porositur Nexhat Bexheti, kryetar i PPD-së.

Nga Lëvizja për Reforma-PDSH kanë qenë të pakapshëm për t’u prononcuar rreth temës./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button