Arrihet marrëveshje: Oliver Spasovski ministër i ri i Punëve të Brendshme

Liderët e katër partive politike, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, pas bisedimeve të mbrëmshme, kanë arritur marrëveshje për ligjin për Qeverinë kalimtare dhe ligjin për “bombat”, njofton Portalb.

Sekretar i përgjithshëm i LSDM-së Oliver Spasovski do të jetë ministër i ri i Punëve të Brendshme, ndërsa nënkryetarja Frosina Remenska do të jetë ministreshë e Punës dhe Politikës Sociale. Përveç tyre në postin e zëvendëministrit të financave është zgjedhur Kire Naumov, ndërsa në ate të bujqësisë, Lupço Nikollovski, VMRO-DPMNE në këto ministri do të ketë zëvendësministra. Nikolla Gruevski sipas marrëveshjes do të qëndrojë në pozitën e kryeministrit deri 100 ditë para zgjedhjeve, ndërkaq sipas marrëveshjes, gjatë asaj periudhe do të vendoset kryeministër i ri i cili do të propozohet nga VMRO-DPMNE, njofton Portalb.

Ligji për Qeverinë kalimtare parasheh që zëvendësministrat të kenë të drejtën e vetos vetëm në çështjet në lidhje me zgjedhjet dhe mund ta shfrytëzojnë atë menjëherë pasi ta marrin detyrën. Komisioni Shtetëror Zgjedhor do të jetë e ngarkuar për zgjidhjen e problemit lidhur me interpretimit e ndryshëm të çështjes lidhur me zgjedhjet.

Ligji për “bombat”, prapë, parasheh dënime për mediumet të cilat do t’i publikojnë materialet në të cilën rrezikohet privatësia e njerëzve, por jo edhe të atyre që bëhet fjalë për funksionarët shtetëror dhe që janë në interes publik. Prapë, partitë për këtë ligj do të kërkojnë mendim nga Komisioni i Venediktit.

Deklarata e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski:

“Dua të them se sot mbaroi marrëveshja me sukses, unë jam mjaft i kënaqur nga ajo që është arritur, qëllimi jonë strategjik ka qenë që të betonohet data e zgjedhjeve të parakohshme, LSDM ka tentuar ta anulojë, gjegjësisht ka kërkuar që të anulohet, por ne atë nuk e kemi lejuar duke insistuar që të ngelet më 24 prill”, tha Nikolla Gruevski.

Deklarata e kryetari të LSDM-së, Zoran Zaev:

“Sonte fitoi Maqedonia, nga sonte është fillim i ri për Maqedoninë dhe për të gjithë qytetarët e saj. Është arritur marrëveshje që nesër duhet të formalizohet legalisht dhe juridikisht. Gjatë kësaj periudhe duam ta demokratizojmë Maqedoninë, institucionet e Maqedonisë, mediumet, në Gjyqësor sepse rritja e demokratizimin nëpër institucione do të thotë që të gjithë jemi fitimtarë”, tha kryetari i LSDM-së Zoran Zaev.

Deklarata e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit:

“Ju njoftoj se sonte definitivisht të gjitha partitë politike parlamentare, kanë arritur marrëveshje për realizimin e Marrëveshjes së Përzhinos, të gjitha dallimet dhe qëndrime i kemi unifikuar deri edhe në marrëveshje edhe për ministrat e ri zëvendës ministrat e ri. Të gjithë kanë fituar, asnjë s’ka të humbur”, tha Ali Ahmeti.

Deklarata e nënkryetarit të PDSH-së, Imer Aliut:

“Është arritur marrëveshje, PDSH ngelet opozitë e vetme në këtë shtet, ne nuk kemi besim që kjo marrëveshje do të realizohet, mirëpo për këtë përgjegjësia ngelet për ato që janë pjesë e përbërjes qeveritare, kryetari i partisë nuk ka qenë prezent, pasi që ishte më larg, unë kam pasur mandatin që të bisedoj sa i përketë këtyre çështjeve dhe sigurisht kam qenë në konsultim të përhershëm me të”, tha Imer Aliu.

Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve të cilët ishin pjesë e bisedimeve gjatë gjithë periudhës që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Përzhinos e deri më sot, 24 prilli ngelet datë përfundimtare për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërkaq deri më atëherë pritet zbatimi i kësaj marrëveshjej. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button