Sela largon tabelën e muzeut që ishte vetëm në gjuhën maqedonase

Kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela, ka larguar sot tabelën e vendosur nga organet e muzeut ” Nikolla Nezllobinski”, e shkruar në gjuhë maqedonase dhe angleze dhe jo në gjuhën shqipe.

Albrim Hoxha nga Komuna e Strugës informon se kjo ndodhi për faktin se në komunën e Strugës mbi 50% të qytetarëve janë shqiptarë, dhe detyrimisht çdo tabelë sinjalizuese duhet të jetë e shkruar edhe në gjuhën shqipe. ”Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, paralajmëron ngritje të padisë penale ndaj personit, gjegjësisht institucionit përgjegjës për këtë veprim, duke u bazuar në disa pika siç janë: mosrespektimi i dygjuhësisë si dhe mos marrja e lejes nga komuna e Strugës, duke pasur parasysh se kandelabrat në të cilat vendosen këto tabela janë në pronësi të komunës së Strugës ”thekson Hoxha.

Në teren kanë dalë edhe inspektorët komunal, të cilët do të kryejnë të gjitha procedurat ligjore sa i përket kësaj çështjeje. Procedura e njëjtë do të vazhdojë edhe nëpër të gjithë territorin e qytetit të Strugës, me qëllim që në rast të ekzistimit të këtyre lloje tabelash, të njëjtat të tërhiqen. Përndryshe institucioni apo muzeu “ Nikolla Nezllobinski”, është nën kompetenca të pushtetit qendror . 

Lajme të ngjashme

Back to top button