VETËDIJA LOKALISTE

Vetëdija lokaliste, fatkeqësisht, e dominon jetën politike e publike. Ajo është mbizotëruese te “elita” që pretendon se është intelektualiste. Më është krijuar bindja se aty ku flitet për intelektualizëm mungon intelekti.

Ata që duan të hiqen si pjesë e elitës intelektuale sot i gjykojnë kërçovarët për shkakun e gabimeve të disa politikanëve nga Kërçova. I gjykojnë tetovarët për shkak të gabimeve të disa politikanëve tetovarë. Gjithashtu edhe shkupjanët, kumanovarët, dibranët, gostivarasit, struganët e kështu me radhë.

Nuk dallon kërçovari nga tetovari apo shkupjani. Padrejtësisht i atakojmë qytetarët e këtij qyteti, që shquhen për zemërgjerësi e fisnikëri. Janë punëtorë të ndershëm. Ata që sot duan t’i identifikojnë kërçovarët si njerëz pushteti, nuk e kanë parasysh faktin se pushtetet e kanë goditur pamëshirshëm këtë qytet.

Ta lëmë të kaluarën dhe t’i kthehemi të tashmes. Qytetari i Kërçovës nuk jeton më mirë se sa qytetari i ndonjë qyteti tjetër. Të rinjtë kërçovarë janë si gjithë të rinjtë e tjerë. Kanë vetëdije pa ngarkesa lokaliste, ndryshe prej “baballarëve” të kombit, me shikim drejt mashnave të tyre. Edhe pas diplomimit janë të papunë. Ikin jashtë vendit sepse kjo shoqëri ka qenë indiferente ndaj tyre.

Të njëjtën gjë mund ta themi për të rinjtë nga Kumanova, nga ky qytet i lënë në harresë, i cili po zbrazet heshturazi për mungesë perspektive.

Shkupi është dobësia ime. Një qytet shumëshekullor, me emër në të kaluarën. Shkupi edhe sot ka emra të mëdhenj, që nuk i qas askush. Mjerisht. Prandaj na e vjedhin.

I dua dibranët. Të veçantë. Me humor të këndshëm. Me kulturë të madhe. Para shumë vitesh atje bëhej jetë kulturore që sot mungon. Çuditesh kur i sheh plakat me tipare aristokratike. Po sot Dibër më thuaj si je? Qyteti “më i rëndësishëm në Arnautllëk”, duket si fshat. Ka më shumë dibranë nëpër botë se sa në Dibër. Kam shumë miq në këtë qytet. E dua jo vetëm për shkak të miqve, por edhe për shkak të emrit të madh në histori.

Gostivari po ashtu. Qytet i këndshëm. Me njerëz punëtorë. Me një zotnillëk të çuditshëm. Manastiri më dhemb sa Prespa e Ohri. Me Strugën jam i lidhur miqësisht. Fëmijët e mi e ndjejnë veten gjysmë tetovarë dhe gjysmë struganë. Struga është ndër qytetet më të bukura shqiptare. Me liqen e lum. Me bukuri mahnitëse. Me gjithë të mirat që ja fali Zoti. E sërish të rinjtë ëndërrojnë ikjen. Nuk jam prej atyre që këndoj “o kurbet i zi”. Dua që njerëzit të udhëtojnë. Të përfitojnë nga udhëtimi, i cili është jo vetëm zhvendosje, por edhe kalim nga një kulturë në tjetrën, por kur emigrimi merr përmasa shqetësuese dëshmon se po ndodh diçka e ligë.

Nuk dua të përmend qytete të tjera si Krusheva, Velesi, Prilepi, ku është vështirë të jesh shqiptar.

I përmenda qytetet shqiptare jo për patetikë, por t’i kundërvihem vetëdijes provinciale, shprehur tek ata që vetëquhen elitë intelektuale e politike. Mjerisht sot na udhëheq kjo elitë, e cila nuk shikon përtej gardhit të tyre. Me kësi logjike bota shqiptare vazhdon të fragmentarizohet keqas. Aq më keq kur stereotipat lokaliste mbarten në vendimmarrjet politike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button