Rama-Pitella: 2016, viti i çeljes së negociatave të anëtarësimit

Kryeministri Edi Rama, ka pritur këtë paradite në një takim kryetarin e së majtës evropiane, Gianni Pittella, i cili po zhvillon një vizitë në Tiranë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, si Rama ashtu edhe Pitella shprehën besimin se viti i ardhshëm do të jetë viti i çeljes së negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

“Ne presim me qetësi dhe maturi progres-raportin, që mendojmë se do të jetë rikonfirmimi i progresit të nisur. Gjithashtu kemi besimin se vitin e ardhshëm do të marrim dritën jeshile për nisjen e negociatave të anëtarësimit”,- ka deklaruar Rama.

Në të njëjtat linja, zoti Pittella është shprehur: “Qeveria Rama ka punuar shumë mirë për reformat sociale e institucionale. Ju inkurajoj të vijoni me reformën në gjyqësor. Kemi bindjen se vitin e ardhshëm Shqipëria do të marrë çeljen e negociatave të anëtarësimit”.

Çështja e refugjatëve ka qenë një tjetër temë e prekur në konferencën për shtyp, me kryeministrin Rama që ka dhënë garancinë e tij se Shqipëria do të luajë rolin e saj për menaxhimin e këtij problemi.

“Shqipëria është e përgatitur të marrë përsipër rolin e saj dhe të bëjë gjithçka për të lehtësuar sado pak këtë krizë të rëndë, në bashkëpunim me vendet që kanë peshën më të madhe, si Gjermania”,- ka thënë Rama.

Nga ana e tij, Pittella ka vlerësuar angazhimin e treguar nga Tirana zyrtare duke thënë: “Vendet e Ballkanit po japin një leksion mikpritjeje për emigrantët, që disa vende evropiane e kanë harruar. Nuk duhet të kemi frikë nga emigrantët”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button