Blatter: Rusia fitoi organizimin e Botërorit 2018 para votimit

Joseph Sepp Blatter, presidenti i pezulluar i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA) ka thënë se Rusia ka fituar organizimin e Botërorit 2018 para mbajtjes së votimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Blatter për mediat ruse konfirmoi se ka patur një marrëveshje që Botërorin 2018 ta organizojë Rusia, kurse katër vite më vonë SHBA-të. Marrëveshja dështoi pasi Michel Platini doli me idenë që Katari të organizojë Botërorin 2022.

Deklaratat e tij definitivisht do të shkaktojnë reagime të ashpra në Angli, Portugali dhe Spanjë, por edhe në Belgjikë dhe Holandë, të cilat parashtruan kandidaturë të përbashkët për organizimin e Botërorit 2018 duke shpenzuar miliona euro. Blatter nuk ka dashur të shpjegojë se kush saktësisht ka arritur marrëveshjet e tilla. Ai tha se Anglia dhe SHBA-të pasi dështuan, nxitën krizën që aktualisht ka tronditur FIFA-n.

“Në vitin 2010 janë bërë diskutimet për Kupën e Botës. Atëherë kemi sjellë vendim të dyfishtë në lidhje me kampionatin botëror. U dakorduam që organizimin e Botërorit 2018 ta fitojë Rusia, për shkak se asnjëherë nuk e ka patur dhe në vitin 2022 ta organizojë sërish Amerika. Atëherë Botërori do të organizohej nga dy fuqitë më të mëdha politike në botë. E gjitha shkoi mbarë deri në momentin kur presidenti i atëhershëm francez Nicolas Sarkozy pati një takim me princin e Katarit, i cili tani është sundimtari i Katarit. Pas kësaj, gjatë një dreke me Platinin, i kishte sugjeruar se do të ishte mirë që Katari të organizojë Botërorin 2022, por kjo ndryshoi gjithçka”, tha Blatter.

Ndodhi votimi i fshehtë. Katër vota nga Evropa nuk shkuan për SHBA-në, dhe rezultati ishte 14:8 për Katarin. Me këto katër vota Amerika mund të merrte Botërorin me 12:10.

“Nëse SHBA-të do të organizonin Botërorin 2022, sot do të flisnim për Kupën e mrekullueshme të Botës 2018 e cila na pret në Rusi, dhe jo për problemet në FIFA”, tha Blatter, duke shtuar se nuk ka asnjë mundësi që Rusisë ti merret organizimi i Kupës së Botës.

Blatter është përballur me procedimet penale për shkak të pagesave të diskutueshme ndaj Platinit të dy milionë frangave zvicerane në vitin 2011, si dhe për skandalin mbi shitjen e të drejtave televizive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button