Për një ndërgjegje shoqërore

Mendjengushtësia e prijësve tanë përgjatë historisë ka shkaktuar dëme të pariparueshme dhe shumë drama ekzistenciale. Në çaste vendimtare janë udhëhequr nga logjika provincialiste dhe nuk kanë hedhur shikimin përtej “principatave” të tyre.

Rilindjes Kombëtare i takon merita për formësimin e vetëdijes kombëtare. Rilindësit tanë shkuan përtej izolimit provincial. Ata e krijuan ëndrrën orientuese drejt krijimit të shtetit shqiptar.

Mohuesit e sotëm të Rilindjes i duan shqiptarët pa vetëdije kombëtare, prandaj janë dhe kombmohuesit më të mëdhenj, të cilët, çuditërisht dhe dhelpërisht, i mohojnë kodet themelore identitare.

Udhëheqës provincialistë u shfaqën edhe pas krijimit të Shqipërisë londineze dhe u bënë pjesë lëvizjesh të projektuara nga armiq të shqiptarëve. Fatmirësisht kishte edhe mendimtarë që jo vetëm e kundërshtuan këtë logjikë, por shkuan përtej ëndrrës romantike të rilindësve, si p.sh. Faik Konica. Ata ishin për një Shqipëri reale. Për një komb dhe shtet modern, të çliruar nga pengesat e së kaluarës. Si shtet modern ai duhej që të funksiononte sipas normave juridike, të përshtatura me normat morale. Normat juridike bazohen te normat morale të një kombi, prandaj çdo shtet, çdo komb, i ka ligjet e veta. Mospërputhja e këtyre normave krijon tronditje. Te vepra “Antigona” e Sofokliut kemi përplasjen ndërmjet normës morale (që mbrohej nga Antigona) dhe normës juridike (që mbrohej nga Kreoni). Kjo përplasje çoi në tragjedi…

Mendimtari i shquar shqiptar Branko Merxhani angazhohej për një Shqipëri të kufizuar së jashtmi dhe të pakufishme së brendshmi. Sipas botëshikimit të Merxhanit individi nëpërmjet ndërgjegjes shoqërore mund të transformohej në personalitet shoqëror. Ai thoshte se “kombet ekzistojnë vetëm atëherë kur mundin të krijojnë një ndërgjegje shoqërore”. Merxhani ishte i bindur se një komb formësohej nëpërmjet shpirtit krijues dhe jo nëpërmjet fantazive të së shkuarës. Kombet e mposhtin çdo rrezik jo duke u vetëkënaqur me lavditë e moçme, por kur e njohin vetveten, kur e organizojnë kaosin brenda vetes, kur e kuptojnë rrezikun që u kanoset.

Mendimtarë të këtij kalibri ofruan modele të ndryshme për formësimin kombëtar dhe shtetëror dhe përjashtuan logjikën provinciale.

E dimë prerjen e mëpastajme që i ndodhi rrjedhës normale të historisë, me ardhjen në pushtet të komunistëve. Nën direktivat e emisarëve jugosllavë, u eklipsuan lëvizjet ideore, kulturore dhe politike shqiptare. Komunistët shqiptarë shuan dhunshëm çdo ideologji të bazuar në specifikat shqiptare.

Mjerisht logjika provincialiste edhe sot është shumë e shprehur në botën shqiptare. Ndarja nëpër “principata” i dobëson politikisht shqiptarët, veçanërisht të Maqedonisë. Kjo nuk do të zgjasë deri në pakufi, por shkakton vonesa të mëdha dhe është dëmsjellëse.

Para 20 vitesh në shkrimin “Atdheu me përmasa oborri” kritikoja logjikën provincialiste që e dominonte politikën shqiptare, jo vetëm në Maqedoni. Pas kaq vitesh, ky shkrim, nuk është zhvleftësuar nga tirania e kohës.

Sot është i pajustifikueshëm folklorizimi i politikës dhe ngulfatja e përmbajtjeve të reja kulturore e politike. Përmbajtje të reja kulturore e politike janë ofruar nga njerëzit e mendimit, por janë luftuar nga aktorët e veprimit politik, të cilëve u intereson vetëm atdheu i tyre me përmasa oborri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button